Fitoi besimin e Tetovës, Ahmetaj sfidon “senatorët” për një fanellë titullari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 23:13

Fitoi besimin e Tetovës, Ahmetaj sfidon “senatorët” për një fanellë titullari

Trajneri Edlir Tetova ka thënë shpesh se po provon diçka të re këtë sezon me ekipin. Kundër Bylisit, ku skuadra e tij fitoi thellë, 4-0, ai la në stol Lushkjen dhe Zejnullain, të cilët i aktivizoi në çerekorëshin e fundit. Mund të ketë qenë një mesazh për këta lojtarë që e nisën kampionatin si titullarë, po të kemi parasysh faktin se kampionët vinin pas një paraqitjeje të dobët me Vllazninë, ku humbën 3-1.

ahmetaj2

Nga minuta e parë luajti Alesandro Ahmetaj, i cili e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme rastin, duke shënuar 2 gola, që e bëjnë mesfushorin edhe shënuesin më të mirë të skuadrës. Ahmetaj ka hedhur kështu kandidaturën për të qenë titullar edhe kundër Elbasanit në fundjavë, në ndeshjen e javës së 6-të të kampionatit. Aleksi duket i palëvizshëm në formacionin e Egnatias për vetë cilësitë që ka, ndërsa Lushkja, Zejnullai dhe Ujka luajnë për një ose dy vende në formacion, në varësi të skemës që do të zgjedhë trajneri durrsak. Të paktën njëri nga tre të fundit duhet ta nisë nga stoli.

Rrogozhinasit, të cilët kryesojnë bashkë me Vllazninë, kanë një organikë të pasur në numra, ndërsa trajneri Tetova tashmë ka detyrën për të gjetur formulën më të mirë, që do ta ndihmonte Egnatian për të mbrojtur titullin kampion në Superiore. Ndeshja e radhës me Elbasanin do të jetë një provë serioze për këtë skuadër.

GOLEADORI – Pas 5 javësh kampionët në fuqi nuk kanë mundur ende të identifikojnë goleadorin e tyre. Rrogozhinasit fituan 4-0 me Bylisin, por asnjë nga sulmuesit e aktivizuar në këtë ndeshje, Vuthaj dhe Xhoel si titullarë, si dhe Jahaja dhe Kasa si zëvendësues, nuk mundën ta gjenin rrugën e rrjetës. Goli nuk është problem në fakt për të besuarit e Tetovës, ekipi shënon sistematikisht, por duket se mungon profili i një goleadori, të paktën deri tani.

Rrogozhinasit kanë shënuar më shumë me mbrojtësit dhe mesfushorët. Sulmuesi Bakajoko, i afruar nga klubi në merkaton e verës për të bërë këtë detyrë, nuk po luan ende që pas dëmtimit të pësuar që në ndeshjet europiane. Edhe kundër Bylisit ai mungonte në protokollin e ndeshjes dhe me siguri do t’i duhet kohë për të kapur formën optimale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"