Fitore për “infarkt”, Pogradeci lë “thatë” Erzenin me kroatin Panadiç. Nikaj: Ndeshja më e dobët, por fati qe me ne
Pogradeci arriti një fitore dramatike përballë Erzenit në frymën e fundit të sfidës. Fitore për “infarkt”, por që vlejnë e shijojnë, aq më shumë në situatën ku ndodhej skuadra e trajnerit Nikaj. Liqenorët iu falën golit të kroatit Panadiç në minutën e 93-të, duke arkivuar 3 pikë “të arta”, falë realizimit të sulmuesit 29-vjeçar, i cili konfirmohet si bomberi i skuadrës së Samuel Nikajt me 3 gola të shënuar në 5 javë.Një duel tepër delikat ai i zhvilluar në “Gjorgji Kyçyku”, për të dyja skuadrat që vinin pas një ecurie negative radhazi. Ngarkesa psikologjike dhe nevoja për pikë u pasqyrua edhe në fushën e lojës nga të dyja skuadrat. Si pogradecarët ashtu edhe shijakasit ishin të nxituar në veprimet e tyre duke gabuar shumë, si në fazën ofensive dhe atë difensive. Në fragmentin e parë të lojës, vendasit provuan disa herë, si me Panadiç, por edhe me Topllarin dhe Shkulakun, të cilët nuk mundën të konkretizonin. Pavarësisht se loja e Erzenit ishte fokusuar në mbrojtje, edhe skuadra e trajnerit Bespalla tentoi me kundërsulme dhe goditje standarde të befasonte liqenorët, me Oulare, Bespallov dhe Migone, por duket se finalizimi çaloi.
Në startin e pjesës së dytë trajneri Nikaj vendosi të kryente menjëherë 3 zëvendësime, duke hedhur në fushë Beçkën, Kasmollarin dhe Kastratin. Ndërkohë, në minutat në vazhdim edhe Erzeni freskoi skuadrën me zëvendësime dhe dukej se po kënaqej me pikën e marrë, që mund të ishte e para në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Ndërkohë që gjyqtari i katërt kishte akorduar 4 minuta shtesë dhe kur të gjithë menduan se ndeshje do të mbyllej në barazim, ishte sulmuesi kroat Panadiç, i cili gjeti golin e avantazhit, në minutën e 93-të, duke çuar peshë zemrat e tifozëve pogradecarë. Një gol ky që erdhi si shpërthim për liqenorët, të cilët ishin duke vuajtur presionin e rezultatit prej disa javësh. Në krahun tjetër për Erzenin e Justin Bespallës, kjo disfatë dramatike, e komplikon akoma më shumë situatën, ku edhe pse janë luajtur 5 ndeshje, shijakasit nuk e kanë provuar ende shijen e pikës. Në duelin e javës së ardhshme, Pogradeci do të përballet në transfertë ndaj pretendentëve të Vorës, ndërkohë që Erzeni do të presë Kastriotin.
POGRADECI-ERZENI 1-0
GOLI: Panadiç 90+3’
Pogradeci: Nikoloski, Karabatiç, Pere, Duarte (Ivani 61’), Pengu (Peqini 69’), Shkulaku (Kasmollari 46’), Kazim (Kastrati 46’), Danladi, Raza, Topllari (Beçka 46’), Panadiç. (Në dispozicion: Beqiri, Hysenllari, C.Pius, Nallbati, Këndezi). Trajner: Samuel Nikaj
Erzeni: Arevalo, Baruti, Isteri, Zaimaj (Xheka 64’), Gjoni, Dialo, Hodo (Duraku 53’), Jori, Migone (Brahja 75’), Oulare (Marinaj 74’), K. Bespalla (Radovani 62’); (Në dispozicion: Dema, Çillambo, Stojkoviç, Akibu, Lajthia). Trajner: Justin Bespalla
Kartonë të verdhë: Raza 48′, Peqini 85′, Kastrati 86′, Pere 89′, Beçka 90+4′ / K.Bespalla 41′, Brahja 79′, Jori 81′, Radovani 88′
Gjyqtarë: E.Çelaj (Tiranë), T.Kasa, N.Likaj (Vlorë)
Delegat: Besnik Çela (Tiranë)
Vëzhgues: Sokol Avdo (Tiranë)
Trajneri i Pogradecit
Nikaj: Ndeshja më e dobët, por kësaj radhe patëm fat
Pogradeci me vështirësi arriti të marrë një fitore që i jep frymëmarrje ekipit. Samuel Nikaj, trajneri i Pogradecit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” tha: “Ishte ndeshja më e dobët, ndër pestë të luajturat deri tani. Luajtëm nën presionin e 3 humbjeve radhazi, ndaj nuk shfaqëm futboll të bukur. U treguam të nxituar në veprime, nuk patëm ekuilibër. Edhe në tranzicion negativ vuajtëm shumë. Me rëndësi ishin 3 pikët që i morëm me pak fat, por Zoti i futbollit kështu funksionon, diku t’i merr dhe diku t’i jep. E them këtë, pasi në Lushnjë dhe në Burrel meritonim nga 1 pikë. Goli i shënuar në fundin e ndeshjes ishte meritë e gjithë skuadrës, që me forcën e dëshpërimit arritëm një trepikësh të merituar. Pavarësisht dobësive që i përmenda më lartë, raste për gol krijuam dhe shpërdoruam pafund. Shpresoj që fitorja ndaj Erzenit të na shërbejë në aspektin psikologjik për sa i përket vazhdimit të kampionatit”.
ILDI MEROLLI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"