“Fitorja me Kastriotin nuk ishte aq e lehtë sa tregon rezultati”, Mëllugja: Ja sekreti i ecurisë së Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 10:00

“Fitorja me Kastriotin nuk ishte aq e lehtë sa tregon rezultati”, Mëllugja: Ja sekreti i ecurisë së Besës

Besa ka vijuar serinë pozitive të këtij fillimsezoni, ku në javën e katër mposhtën Kastriotin me rezultat të pastër, 3-0. Ka qenë po ai, “profesori” i Besës, Mentor Mazrekaj, që shënoi tripletën e tij të parë në karrierë. Kjo e gëzoi pa masë fantazistin kosovar, aq sa kërkoi firmat e shokëve mbi topin e ndeshjes.

mellugja besa

Me këtë fitore kavajasit kryesojnë të vetëm me 12 pikë të plota. Treguesit janë  domethënës, teksa kanë shënuar 8 gola, me mesatare 2 gola për ndeshje, dhe më e rëndësishmja, askush s’ka mundur do t’u shënojë gol në katër javët e para. Për mesfushorin me përvojë, Donald Mëllugja, “postblloku” ndaj çdo sulmi të kundërshtarit, fitorja me Kastriotin nuk ishte aq e lehtë sa tregon rezultati. Suksesi erdhi falë administrimit plot përvojë të situatave ku u ndodh ekipi. “Kur sheh rezultatin, 3-0, që mund të shkonte edhe 4-0 me rastet e krijuara në fund të takimit, mendon se Besa paska fituar lehtë. Në fakt, nuk është kështu, pasi në pjesën e parë Kastrioti mbuloi mjaft mirë lojtarët tanë, duke luajtur fort e bukur.

Gjetëm golin e parë falë klasit të Mazrekajt. Vetëm pasi gjetëm golin, gjërat ndryshuan tërësisht dhe në fushë ishte vetëm Besa, por Kastrioti mbetet ‘kockë e fortë’ për çdo ekip. Besoj e patë që edhe në Pogradec, disa minuta të pjesës së parë nuk ishin të mira për ne. Nga momenti që shënuam, e komanduam takimin duke e bërë më të lehtë. Dua të them, se me asnjë kundërshtar nuk mund të fitosh nëse nuk beson e sakrifikon”, u shpreh fillimisht Mëllugja për “Panorama Sport”. Për matjanin, kryesorja është harmonia në ekip dhe përgjegjshmëria e secilit që futet në fushë.

“Mendoj se pika më e fortë e kësaj Bese është harmonia në grup, si dhe përgjegjshmëria, që secili ka sapo shkel në fushën e lojës. Një tjetër avantazh i yni, mendoj se qëndron te përbërja e ekipit me disa lojtarë me përvojë, të cilët dinë të administrojnë momentet e vështira, të ruajnë qetësinë dhe të rikthehen fort kur duhet. Në çdo ndeshje, nuk mund të ketë 90-të minuta të mira, por kërkohet të administrosh edhe momentet kur kundërshtari të vë nën presion. Këtë besoj e kemi bëtë mirë, por mos harroni se gara sa vjen e bëhet më e fortë. Të shohim se si do të reagojnë pas një rezultati jo pozitiv. Uroj të mos na ndodhë, por e përmenda se ekipi është i aftë të menaxhojë çdo situatë në fushë, apo ta kalojë edhe jashtë saj. Jemi në rrugë të mbarë, por na presin dy transferta, në Lushnjë e Fier. E gjithë vëmendja është aty. Fituam një betejë, por nga një na pret çdo javë”, përfundoi Mëllugja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"