Fitorja në Tropojë e ka rritur besimin te verilindorët, Kukësi synon një cikël rezultatesh pozitive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 14:55

Fitorja në Tropojë e ka rritur besimin te verilindorët, Kukësi synon një cikël rezultatesh pozitive

Pas fitores në Tropojë përballë Valbonës, Kukësi kërkon një tjetër sukses, kësaj here ndaj Korabit në shtëpi. Synohet vazhdimësia në rezultate, si mënyra më e mirë për t’iu larguar fundit dhe për një pozicion sa më komod në renditje.

kukesi

Tri pikët në transfertë kanë rritur së tepërmi moralin, për më tepër që erdhi me përmbysje, duke treguar edhe karakterin dhe mentalitetin e kësaj skuadre, që po përpiqet të injektojë trajneri Emiliano Çela te futbollistët. Për këtë arsye, ata duan ta shfrytëzojnë në maksimum momentin e mirë, edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar jo të lehtë, pavarësisht se dibranët janë një vend më poshtë sesa kuksianët në klasifikim. Kukësi do të synojë tri pikët edhe për faktin se luan në shtëpi dhe kuptohet që në Kategorinë e Parë është një faktor plus dhe një motiv më shumë për skuadrën që të japë maksimumin përballë tifozërisë së saj.

Me kalimin e javëve dhe zhvillimin e seancave stërvitore, në Kukës shpresojnë që grupi të harmonizohet plotësisht, duke ditur se janë bërë shumë lëvizje në skuadër dhe për më tepër që një pjesë e mirë e tyre janë djem të rinj dhe pa shumë eksperiencë. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Kukësi do të nisë një cikël rezultatesh pozitive apo do të bëjë hapa falsë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"