Flamurtari bën autokritikë me Erzenin, Agostineli i kënaqur me vlonjatët. Bespalla: Duhet pak durim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2024 | 12:12

Flamurtari bën autokritikë me Erzenin, Agostineli i kënaqur me vlonjatët. Bespalla: Duhet pak durim

Flamurtari e ka bërë direkt autokritikën e humbjes me Burrelin, pasi përveç fitores nuk kishte rrugë tjetër për të besuarit  e trajnerit Agostineli. Thuhet kështu, pasi drejtuesit e klubit vlonjat kishin vënë ultimatum për ekipin, ku duheshin 3 pikët në Shijak, për të mos shkuar te masat ndëshkuese.

flamurtar

Ndërsa rikthimi pas dy vitesh i Erzenit në shtëpi nuk ka shkuar si duhet, pasi të besuarit e trajnerit Justin Bespalla nuk ia kanë ndalë ndaj vlonjatëve. Takimi u mbyll me fitoren 2-0 të Flamurtarit, ku shënuan nga një gol për çdo pjesë. Në minutën e 17-të është Herald Marku që zhbllokon rezultatin me një gjuajtje nga distance, ndërsa në minutën e 70-të mbrojtësi Sodiq Atanda, me një gjuajtje me kokë në zonë dyfishon dhe vulos trepikëshin e vlonjatëve në Shijak, Flamurtari arrin të marrë tri pikët e para, ndërsa Erzeni i formatuar pak para startit të sezonit njeh vetëm humbje në dy javë.

Ndeshja- Vlonjatët janë më kërkues që në fillim, kjo galë edhe përbërjes së lojtarëve, ndërsa tek Erzeni mbizotërojnë lojtarët e rinj. Në minutën e tetë Kobian provon me një gjuajtje nga distanca, por pret portieri Dema. Shijakasit provojnë të rrezikojnë me Akibu, i huazuar në limite nga Bylisi, por në fund pret portieri Frashëri. Nuk vonon dhe në të 17-ën vlonjatët gjejnë golin me Herald Markun, që me një gjuajtje në kufijtë e zonës e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për Flamurtarin. Pas golit vendasit reagojnë me Lajthinë, por portieri Frashëri reagon më së miri.

Në të 32-ën miqtë kanë një mundësi me Shkurtajn e Bathën, por pa rezultat. Pjesa e parë mbyllet 0-1. Pjesa e dytë nis më e ekuilibruar, ku të dy trajnerët freskojnë përbërjet me zëvendësimet e kryera. Në momentin më të mirë të Erzenit, Flamurtari gjen golin e dytë në Minutën e 70-të, ku Atanda me kokë dërgon në rrjetë topin e krosuar nga këndi. Pas këtij goli duket se të dy ekipet pajtohen me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fund, ku Flamurtari mori trepikëshin e parë sezonal në transfertë.

ERZENI-FLAMURTARI 0-2

Golat: Marku 17’, Atanda 70’

ERZENI: Dema, Skënderaj (Stojkoviç 71), Jori, Shani, Gjoni, Zaimaj (Xheka 67’), Isteri, Lajthia (Radovani 38’), Hodo (Bespalla 71’), Oulare (Buraneli 46’), Akibu; (Në dispozicion: Arevalo, Kortes, Baruti, Marinaj). Trajner: Justin Bespalla

 

FLAMURTARI: Frashëri, Beqja (Hasa 46’), Bolanos, Atanda, trashi, Batha, Marku (P.Pjeshka 67’), D.Pjeshka, Fernando (Selimi 67’), Kobian (Adem 72’), Shkurtaj; (Në dispozicion: Kaloshi, Kacbufi, Alla, Leshi, Hoxhaj, Allmuça). Trajner: Andrea Agostineli

Kartonë të verdhë: Zaimaj 13’, Jori 71’ / Beqja 34’

GJYQTARË: E.Jorgji (Elbasan), D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

Vëzhgues: Genc Maloku (Tiranë)

Delegat: Aramand Mandro (Tiranë)

 

 

Vlonjatët

Agostineli: Më kënaq fitorja dhe paraqitja

agostineli

Andrea Agostinelin e kënaq fitorja e parë, që Flamurtari e mori në Shijak. Për “Panorama Sport”, trajneri i Flamurtarit, tha se më shumë është i lumtur për paraqitjen e skuadrës. Agostineli e shikon të ardhmen edhe më të mirë. “Më kënaq shumë fitorja që arritëm në Shijak. Patjetër që më kënaqin tri pikët e para, por mbi të gjitha jam i lumtur për paraqitjen e skuadrës në fushë. Ishte një takim i interpretuar mjaft mirë nga futbollistët dhe kishim shumë raste. Kjo është një gjë shumë e mirë. Unë i falënderoj shumë futbollistët për këtë ndeshje. Natyrisht, duhet punë për të arritur më të mirën. Me rikuperimin e gjendjes së disa futbollistëve do të jemi një skuadër edhe më e fortë. Kjo fitore me Erzenin na fut në rrugën e duhur dhe tani na mbetet për të punuar sa më fortë për sfidat e radhës”, përfundon Agostineli.

Bespalla: Duhet pak durim, ekipi duhet të mbështetet

justin bespalla

Justin Bespalla i dinte vështirësitë e kësaj sfide. Për “Panorama Sport”, trajneri i Erzenit tha se duhet pak durim. “E dinim çfarë skuadre kishim përballë. Një skuadër e mirëinvestuar, pretendete për Superioren, si edhe me lojtarë me eksperiencë. Kurse Erzenit është ndërtuar me lojtarë të rinj, që dita-ditës them që do të rriten fizikisht dhe nga ana e besimit për rezultat. Një gjë duhet t’ua them tifozëve të Erzenit: Ky ekip edhe këta lojtarë duan pak kohë që të përshtaten si me Kategorinë e Parë, ashtu edhe me lojën. Janë djem të rinj dhe duan mbështetje e besim, pasi situata që kaloi Erzeni nuk ishte në favorin tonë. Ekipi ka nevojë për durim dhe mbështetje. Shumë shpejt do argëtoheni të gjithë me lojërat që do zhvillojnë dhe me paraqitjen në fushë. Objektivat janë që Erzeni të ngjitet sa më lart në renditje duke zhvilluar lojëra të bukura dhe duke marrë fitore”, tha Bespalla.

FERIZ FERIZAJ/ ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"