Flamurtari-Besa, vijojnë reagimet mes dy presidentëve. Idrizi, Bizhdilit: Duhen arbitra të huaj, t’i paguajmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2024 | 11:25

Flamurtari-Besa, vijojnë reagimet mes dy presidentëve. Idrizi, Bizhdilit: Duhen arbitra të huaj, t’i paguajmë ne

Sinan Idrizi i përgjigjet Nexhat Bizhdilit. Presidenti i Flamurtarit kërkon nga homologu i tij i Besës të bëhet nismëtar për krijimin e një tryeze për të dalë me konkluzione. Idrizi propozon, që në ndeshjet e rëndësishme të arbitrohen nga gjyqtarë të huaj dhe të paguhen nga vetë klubet.

Idrizi

“Nuk është historia me kë hamë drekat dhe më kam hamë darkat. Sigurisht unë jam 100% me atë që thotë presidenti, miku im Bizhdili, që Flamurtari dhe Besa janë dy ekipe dhe dy qytete në Shqipëri që historikisht kanë luajtur “fair play”. Kjo është historia që mua më gëzon më shumë nga të gjitha. Është një gjë e deklaruar botërisht dhe unë nuk i vë asnjë presje. Ndërsa thelbi nuk është te drekat dhe darkat. Unë jam 100% dakord me presidentin Bizhdili kur thotë, që arbitrat… Unë kam kohë që e them këtë, që futboll nuk po luhet më nëpër fusha.

Të mos bëhemi si qaramë, por meqë Besa është nga më të dënuarat si puna jonë, të iniciojë miku im Bizhdili një tryezë me të gjithë aktorët, FSHF-ja, Komisionit të Arbitrimit, të të gjithëve çfarë janë bashkë dhe realisht të dalim në një konkluzion. Bashkë mund të nxjerrim një fond, që të mos financojmë ekipe të treta dhe të katërta që luajnë kundër nesh, por të financojmë më shumë tek ajo që të vijnë arbitra të huaj. Në VAR të jenë gjyqtarë të huaj në ndeshjet kryesore. Është miku im dhe unë e marrë me shumë dashamirësi dhe me mirëkuptim të jashtëzakonshëm”, shprehet fillimisht Idrizi.

AKUZAT PËR “DHURATAT” – Presidenti i Besës, Bizhdili, deklaroi se ka dëgjuar se edhe Idrizi ka dhënë premio. Administratori Idrizi jep këtë përgjigje. “Mua më tha presidenti i Vorës, kur i thashë të lutem… Kam dëgjuar dhe për ty më tha. Atëherë, unë i thashë që këta të tjerët po e përdorin si argument që më jep ti. Kjo histori do një përfundim. Unë e kam hapur i pari këtë histori dhe këtë lojë duhet ta mbyllim njëherë e mirë. Tani dolën të gjithë. Në Vorë më thanë që është e mbyllur kjo histori dhe nuk ka shanse. Presidenti Bizhdili më thotë, që në moralin tim nuk ekziston një gjë e tillë dhe nuk ka lidhje me këtë mesele. Por që ta mbyllim këtë histori u them që, a ka mundësi, meqë FSHF-ja nuk i ka mundësitë që të sjellin arbitra të huaj, që të mos jenë më nga këta.

Është e thjeshtë kjo pastaj, që t’ia lëmë në dorë gabimit njerëzor. Nuk është detyra ime të bëj tashmë kush është dhe kush nuk është, unë konstatoj, shikoj ndeshjet dhe më vijnë këto informacione. Më vijnë ish-lojtarë të Flamurtarit dhe më thonë, që na është premtuar një premio dhe unë e bëj publike, nuk e mbaj të fshehur. Nuk është normale që në një kampionat normal të ndodhin këto gjëra. Nuk po them që do ndërtojmë një kampionat të engjëllorëve, por të paktën në vija themelore të mos jetë më ky. Nuk duhet që kjo kategori të ketë më këto histori, që unë të jap një pikë këtu, ti më jep tri pikë aty. Unë nuk kam mundësi të mbajë ekipin, por ti më jep kaq se më jep më shumë ai tjetri mua? Nuk është më futboll ky. Ata që nuk e mbajnë dot më, të largohen mor burrë. Kjo është thirrja ime”, deklaron kreu i klubit vlonjat për presidentin e Besës.

RRUGË LIGJORE- Sinan Idrizi thekson se duhet të ndryshojnë disa rregulla loje në futbollin shqiptar. Ndoshta këto çështje mund të shkojnë edhe në dyert e organeve të drejtësisë. “Janë ca gjëra që duhet të ndryshojnë, disa histori futbolli në Shqipëri. Duhet të ndryshojnë disa rregulla loje, pasi realisht është shumë për të ardhur keq. Nuk e di çfarë duhet bërë, duhet bërë drejtësi, apo duhet bërë kjo. Por jemi ne që duhet ta shtyjmë këtë gjë dhe të dalim bashkë të bëjmë këtë histori.

Mos të merremi, që ai më erdhi me arbitra, unë i shkova me arbitra. Të iniciojmë një gjë të tillë, që në ndeshjet kryesore të ketë gjyqtarë të Huaj. Sa duan arbitrat e huaj për të arbitruar, t’i financojmë ne. Iniciativën e parë e kam unë. Në ndeshjet më të rëndësishme do të kërkoj arbitra të huaj dhe do t’i financoj vetë si klub. Do t’i paguaj unë. Të zgjedhë kë të dojë FSHF, por të mos jenë më shqiptarë, meqë kanë këto paragjykime. Pa dashur që t’i paragjykoj unë, se i kemi arbitra të FIFA-s, që nuk e di. E kam si pikënisje këtë që duhet të rregullohet diçka”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"