Flamurtari del i pari, “shtyp” edhe Pogradecin. Agostineli: Kryesimi nuk ka rëndësi tani. Nikaj: Vlonjatët s’janë rivali ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 13:16

Flamurtari del i pari, “shtyp” edhe Pogradecin. Agostineli: Kryesimi nuk ka rëndësi tani. Nikaj: Vlonjatët s’janë rivali ynë

Flamurtari është si rul dhe pa mëshirë, “shtyp” këdo që i del përpara. Forcën e kuqezinjve e provuan edhe pogradecarët, që u mundën 4-0 në Vlorë. Skuadra e trajnerit Agostineli me këtë fitore kap vendin e parë, duke bashkëkryesuar me Vorën në kuotën e 21 pikëve, një më shumë sesa Besa që ka zbritur në vendin e tretë. 

flamurtari

PJESA E PARË- Vendasit e nisin lojën në sulm dhe gjithmonë kërkues, ku loja anon më shumë nga krahu i Trashit që shërben pa fund për shokët me vertikalizimet e tij. Minuta 17, Beqja pason për Ememe, por gabon. Një minutë më vonë, Oshafi godet me kokë, por mbi kuadrat. Minuta 23, Trashi harkon por Lila e devijon. Sërish Trashi me kokë, por kapiteni Pjeshka gabon me shënjestrën. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 26-të. Ka rrëmujë në zonën dhe një top i mbetur në qendër të saj, aty ku është Oshafi që me roveshatë shënon një supergol dhe 1-0. Kasmollari kroson nga këndi, Oshafi devijon pranë shtyllës së parë dhe vendos Kaloshin në vështirësi. Pogradeci vuan, gjithsesi Ivani përpiqet që të vendos në vështirësi vlonjatët, por nuk ka shumë kërcënim. Pogradeci kërkon që të gjejë hapësira, por gjuajtja e Kasmollarit shkoi mbi kuadrat. Në minutën e 39-të, Flamurtari ka shansin që të dyfishojë, ku  Trashin pason për Markun në zonë, por ai shpërdoron shansin për golin e dytë me portën thuajse të boshatisur. Vendasit janë të pafat, pas dy minutash Ememe godet, por prek shtyllën. Provon edhe Panadiç, por largon me kokë Denis Pjeshka. 1-0 për vendësit u mbyll pjesa e parë.

PJESA E DYTË – Ky fraksion nisi me zëvendësime nga të dy ekipet. Kasmollari vendos në presion në Flamurtarin. Më pas Marku ka një mundësi, por vonon. Dy harkimet e Trashit nga këndi grushtohen nga portieri.  Shkullaku dhe Panadiç përpiqen të bëjnë diçka në vijim. Minuta 58, Ememe me shpejtësi hyn në një zonë thuajse të boshatisur, por devijon Lila. Në vijim aktivizohen Murataj dhe Shkurtaj. Minuta 65, Ememe përfiton nga një gabim në mbrojtje dhe mposht me lehtësi portierin mik dhe 2-0 për Flamurtarin. Në minutën e 72-të, Pogradeci shfaqet për herë të parë rrezikshëm në portën e mbrojtur nga Kaloshi, ku Kazim lëshon të majtën kërcënuese. Në vijim është radha që të “kërcënojë” Ememe, por mbyll saktë Danladi. Në minutën e 73-të erdhi edhe goli i tretë për kuqezinjtë. Shkurtaj shërben për Muratajn, i cili me një parabolë kalon topin mbi portierin dhe shënon, 3-0. Në minutën e 82-të topi përplaset në shpinën e Dragoit dhe kthehet në asistin perfekt të kapitenit Pjeshka, i cili e shfrytëzon topin e mbetur në qendër të zonës dhe shënon, 4-0 për vendësit. Flamurtari argëtohet në fushën e lojës. Kobian provon me të majtën ,por mbi kuadrat. Në fund, Beqja ka një mundësi të mirë shënimi, por topi merr një trajektore të çuditshme dhe përfundon jashtë kuadratit të portës. Në vijim provon Shkullaku, por mbyll Alla. Nuk ka shtesë në fund, Flamurtari bind në këtë sfidë duke marrë fitoren e shtatë radhazi dhe me meritë kryesojnë kampionatin pas tetë javësh.

FLAMURTARI-POGRADECI 4-0

GOLAT: Oshafi 26’, Ememe 65’, Murataj 75’, D.Pjeshka 82’

FLAMURARI: Kaloshi, Bolanos, D.Pjeshka, Atanda, Trashi (Hasa 81’), Beqja, Marku (Murataj 61’), Diavara, Batha (Alla 46’), Ememe (Kobian 81’), Oshafi (Shkurtaj 61’); (Në dispozicion: Qarri, P.Pjeshka, Fernando, Adem). Trajner: Andrea Agostineli

POGRADECI: Jelovac, Ivani (Hysenllari 79’), Lila, Dragoj, Kasmollari, Topllari (Kazim 46’), Pengu (Alidema 64’), Raza, Danladi, Duarte (Shkulaku 46’), Panadiç (C.Pius 79’); (Në dispozicion: Nikoloski, Nallbati, Pere, F.Pius, Kapllani). Trajner: Samuel Nika

Kartonë të verdhë: Alla 53’/ Lila 22’, Sulo 67’, Lipo 70’, Ivani 77’

Gjyqtarë: K.Shahini, F.Lama (Durrës), S.Met-Hoxha (Lushnjë)/ VAR: O.Kuka, F.Lata (Tiranë)

Vëzhgues: Alfred Lamçe (Patos)

Delegat: Eraldi Shera (Tiranë)

 

 

Agostineli: Vendi i parë nuk ka rëndësi, komplimentoj ekipin

 

agostineli

Flamurtari vazhdon i sigurt marshimin drejt realizimit të objektivit madhor dhe nga java në javë skuadra njeh vetëm rritje parametrash. Andrea Agostineli, trajneri i Flamurtarit nuk është aspak euforik që Flamurtari u ngjit në vendin e parë. Për “Panorama Sport”, italiani përgëzon skuadrën për fitoren, ndërsa e di që do të jetë një luftë deri në fund. “Vendi i parë ka pak rëndësi. Sot (dje) dua që t’i bëj vetëm komplimenta ekipit për mënyrën se si luajti. Janë të gjitha ndeshjet e vështira, kjo edhe pas rezultateve të ditës së diel. Ne nuk duhet të kënaqemi se jemi në vend të parë. Do jetë një luftë deri në fund bashkë me dy ekipet e tjera. Momentalisht jemi të lumtur, kjo edhe për faktin se ekipi përveçse shënon dhe krijon shumë raste për gol, arrin edhe të pësojë pak. Duhet që të vazhdojmë të luajmë sikundër deri tani. Duhet të jemi të përulur dhe të respektojmë të gjitha ekipet në vijim”, u shpreh trajneri Agostineli për “Panorama Sport”.

Nikaj: E dinim, Flamurtari s’është rivali i Pogradecit

Trajner i Pogradecit, Samuel Nikaj, e dinte që me Flamurtarin do ta kishte të vështirë. Pas humbjes, për “Panorama Sport”, Nikaj u shpreh: “Ne e dinim se çfarë ekipi të mirë ka Flamurtari. Erdhëm që shfaqnim futboll të mirë, bashkëkohor dhe jo të luajmë ‘pistë’. Kjo filozofi duhet të na shoqërojë. Pati sekuenca shumë të mira loja jonë, ishim korrektë në detyra. Lojën e morën në kontroll deri te goli dytë, që erdhi për shkak të një gabimi dhe na prishi vazhdimësinë. Nuk duhet të ndodhte ai shpërfytyrim, le të na bëhet mësim. Edhe me ndërrimet që bëra doja të merrnim barazimin. Ky rezultat nuk është rrjedhojë e diferencave që kemi, pasi ne kishim rastet tona dhe loja mund të merrte rrjedhë tjetër. Filozofia ime është që skuadra të fitojë me rivalët. Flamurtari nuk është rivali ynë, pasi janë një tjetër dimension, i 4-5 ekipe të Superiores”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"