Flamurtari fiton bindshëm, Apolonia pëson tronditje. Agostineli: Nuk e diskutoja suksesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2024 | 13:25

Flamurtari fiton bindshëm, Apolonia pëson tronditje. Agostineli: Nuk e diskutoja suksesin

Flamurtari ka siguruar fitoren e katërt radhazi në kampionat, duke u ngjitur në vendin e dytë në renditje, vetëm një pikë pas Besës së vendit të parë. Vlonjatët mundën në shtëpi Apoloninë me shifrat 3-1, në një ndeshje që nuk e vunë kurrë në diskutim fitoren.

FLAMURTARI FEST

Ememe në pjesën e parë dhe Oshafi e kapiteni Pjeshka në të dytën i dhanë një avantazh të ndjeshëm vlonjatëve, ndërsa fierakët thjesht shkurtuan diferencën në fund me Maksutin.

PJESA E PARË- Në minutat e para dy skuadrat studiuan njëra-tjetrën, por Flamurtari duket më dominant. Atanda jep shkëndijat me një top të gjatë. Kundërpërgjigjen fierakët me të njëjtën mënyrë, pret Kaloshi.  Agostineli është i pa kënaqur nga skuadra pasi kërkon më shumë. Në minutën e 13-të Trashi ekzekuton një goditje dënimi, por grushtohet nga portieri i fierakëve. Minuta 15, Oshafi kroson me të majtën, por portieri Bushi bën detyrën. Kofi ngre këmbën ndaj Ememe që kërkon një penallti, por gjyqtari nuk mendon kështu. Vlonjatët insistojnë me Ferandon. Trashi shfaqet mjaft aktiv nga krahu i majtë. Flamurtari luan me topa të gjatë.

Një faull i Kofit kundrejt Diavarasë sjell reagim në tribuna. Zhbllokomi i shifrave erdhi në minutën e 31-të. Ememe bën gjithçka vetë, i shpëton mbulimit të Repajt dhe shënon, 1-0. Menjëherë pas pësimit të golit, Apolonia ndryshon skemën. Repaj largohet i dëmtuar dhe në lojë sulmuesi Maksuti. Ndeshja shoqërohet në vijim me tension dhe nerva. Antoni dhe Bolanos mbeten të dëmtuar, por ka probleme edhe për mesfushorin Diavara. Marku gabon me një goditje dënimi. Në minutat shtesë të pjesës së parë portieri Kaloshi ndal gjuajtjen e Maksutit. Apolonia mbeti pa trajner në fund të pjesës së parë, pasi Artan Mërgjyshi lë pankinën pas ndëshkimit me karton të kuq, për protesta ndaj arbitrit të katërt, Edi Spahiu.

PJESA E DYTË- Duket se në këtë fraksion loje Apolonia hyri në fushë edhe më “e dërrmuar”. Mërgjyshi do ta ndiqte ndeshjen pranë derës së tunelit. Nuk do të vononte shumë dhe vlonjatët shënuan të dytin. Minuta 55, Marku shërben për Oshafin, i cili përfiton edhe nga dalja e portierit mik dhe nuk e ka të vështirë të shënojë. Goli i tretë do të shënohej 10 minuta më vonë. Trashi krosoi nga këndi dhe kapiteni Pjeshka mbërrin me shpejtësi në krahun tjetër dhe e dërgon topin në rrjetë, 3-0 për Flamurtarin.

Në minutën e 71-të Rakipaj tenton, por gabon. Kofi dhe Antoni provojnë, por pa rezultat. Më pas Maksuti gjuan me kokë. Në minutën e 80-të do të vinte goditja e parë në portë e Apolonisë nga Albashir Musa, por Kaloshi është i kujdesshëm. Në minutën e  85-të Apolonia shkurton diferencën me Maksutin, që shënon i vetëm përballë Kaloshit. Më pas, Maksuti tenton sërish të rrezikojë brenda zonës, por bllokohet nga mbrojtja. Pesë minutat shtesë në fund nuk do të sillnin ndonjë ndryshim përveç disa tentativa pa rezultat të Kofit, Hebejas dhe Kananajt. Gjithçka mbyllet me fitoren bindëse të Flamurtarit, që i shkaktoi një humbje tronditëse Apolonisë.

FLAMURTARI-APOLONIA 3-1

GOLAT: Ememe 32′, Oshafi 55′, D.Pjeshka 65’/ Maskuti 85′

Flamurtari: Kaloshi, Atanda, Bolanos, D.Pjeshka (P.Pjeshka 77′), Alla, Trashi, Marku (Kacbufi 87′) Dos Santos, Diavara, Oshafi (Hoxhaj 76′),  Ememe (Kobian 88′); (Në dispozicion: Frashëri, Batha, Selimi, Leshi, Adem). Trajner: Andrea Agostineli.

Apolonia: Bushi (Kaçaj 64′), S.Repaj, Ndubuisi, Asllanaj, Topi, Jasin (O. Repaj 81′), Hebeja, Musa (Kananaj 81′), Kofi, Trifoni  (Rakipaj 61′), Umejiego; (Në dispozicion: Rajmond).  Trajner: Artan Mërgjyshi.

KARTON TË VERDHË: Musa 23′, Ndubuisi 44′

KARTON I KUQ: A.Mërgjyshi 45′

GJYQTARË: K.Barjamaj (Tiranë), R.Muzhaqi, D.Memelli (Elbasan)

DELEGAT: Armand Mandro (Tiranë)

VËZHGUES: Tanush Latifi (Gjirokastër)

Trajneri italian

Agostineli: Nuk e diskutoja suksesin, përgëzoj lojtarët

Agostineli

Flamurtari, nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostineli, nuk ka të ndalur pas humbjes që pësoi në start kundër Burrelit. Vlonjatët kanë marrë dje fitoren e katërt radhazi dhe ka qenë Apolonia ajo që e ka pësuar nga forca dhe cilësia që mbartin kuqezinjtë. Andrea Agostinelin e kënaq fitorja e katër radhazi nën drejtimin e Flamurtarit. Për “Panorama Sport”, italiani i pankinës vlonjate thekson se nuk e kishte vendosur në asnjë moment në diskutim suksesin.“Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe me lojën e skuadrës. Nuk e kisha vënë në diskutim as një herë dhe e besoja që do ta fitonin këtë ndeshje, pasi unë kam lojtarë me kualitet. Kemi bërë një ndeshje të bukur dhe ishte një fitore e merituar. Ishte një ndeshje totalisht e dominuar nga lojtarët e mi, të cilët i falënderoj shumë dhe i përgëzoj për paraqitjen, si dhe fitoren që arritën”, përfundoi trajneri Agostineli. Vlonjatët e kanë shfrytëzuar frenimin e Besës dhe tashmë diferenca me kreun mbetet vetëm 1 pikë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"