Flamurtari i afrohet kreut, trajneri Nica “ngujohet” pas humbjes. Oshafi: Dëshira ime, të shënojë gola dhe të ndihmoj vlonjatët
Flamurtari i jep leksion Kastriotit duke e mposhtur me rezultatin 3-0 në Vlorë. Sfida u vendos nga goli i Oshafit dhe dygolëshi i Ememe në pjesën e dytë të lojës. Me këtë fitore të rëndësishme, vlonjatët i bëjnë presion kreut me 2 pikë larg Vorës kryesuese dhe 6 pikë nga Besa e vendit të tretë.
Ndeshja – Takimi nis me vendasit në sulm, ku shkëndijën e parë e jep Trashi. Flamurtari është më kërkues, ndërsa Kastrioti beson më shumë te kundërsulmi. Në minutën e 33-të vlonjatët pretendojnë për një prekje të topit me dorë në zonë, por për gjyqtarin nuk është penallti. Përpos rasteve të shumta për shënim, pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-0. Fraksioni i dytë nisi me ndryshime në formacion te të dyja skuadrat. Një harkim i Ememe bllokohet nga mbrojtja e Kastriotit. I pafat Joan Çela, që do të linte fushës 5 minuta pasi ishte aktivizuar për shkak të një përplasje me Zunën. Shifrat u zhbllokuan në minutë e 54-t, ku Flamurtari kaloi në avantazh.
Harkim fantastik i Trashit në zonë dhe Oshafi finalizon, 1-0 për vlonjatët. 4 minuta më vonë provon Ememe, por pa rezultat. Kastrioti nuk reagon si duhet. Flamurtari nuk nxitohet dhe interpreton me pasime të shumta. Kastrioti shfaqet pa ide për të interpretuar lojën. Në minutën e 70-të, pas një gabimi të Berishës në mbrojtje, vlonjatët dyfishojnë. Kobian pason te nigeriani Ememe, i cili shënon dhe 2-0. Diavara largohet nga fusha duke çaluar dhe Ahmetaj e zëvendëson. Pa fat Kastrioti, Alberto Arrojo largohet nga fusha e lojës i dëmtuar dhe zëvendësohet nga Goga. Flamurtari vijon kontrollin e lojës.
Në minutën e 86-të, Ememe me të djathtën potente shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Flamurtarin dhe 3-0. Miqtë nuk realizojnë dot as golin e nderit në minuta e 88-të, kur Moses fluturimthi tenton portën e Kaloshit, por portieri i vlonjatëve eviton një gol të sigurt. Musaj dhe Kobian gjatë një dyluftimi përplasen në fushën e lojës nga nervat dhe ndëshkohen me kartonë. Hasa harkon nga e djathta, por shumë fort. Tre minuta shtesë në fund nuk do të sillnin asnjë gjë, ndërsa Flamurtari blindon vendin e dytë duke e shtuar presionin ndaj Vorës për kreun.
FLAMURTRI- KASTRIOTI 3-0
GOLAT: Oshafi 54’, Ememe 70’,86’
FLAMURTARI: Kaloshi, Atanda, Bolanos, Trashi, Beqja (Kobian 46’), D.Pjeshka, Marku (Batha 46’), Diavara (Ahmetaj 83’), Oshafi (Shkurtaj 72’), Selimi (Hasa 55’), Ememe. (Në dispozicion: Frashëri, Kacbufi, Murataj, Allmuca, Fernando). Trajner: Andrea Agostineli
KASTRIOTI: Puja, Berisha, Doseh, Zuna, Musaj, Moses, Kuka (Burgaj 58’), Hodo (Çelaj 46’)(Pica 51’), Arrojo (Goga 82’), Ajazi. (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Qyra, Biba) )Trajner: Stavri Nica
Kartonë të verdhë: Hasa 90’/Berisha 6’, Zuna 24’, Musaj 90’
Gjyqtarë: O.Çela (Lushnjë), D.Mile (Fier), A.Muxhaj (Gjirokastër)
Vëzhgues: Emirion Sino (Fier)
Delegat: Agim Mone (Lushnjë)
Sulmuesi
Oshafi: Dëshira ime, të shënojë gola dhe të ndihmoj vlonjatët
Aldrit Oshafi ishte i pari që shënoi ndaj Kastriotit. Për “Panorama Sport”, sulmuesi shprehet i kënaqur për këtë fitore, si dhe dëshiron të shënojë sa më shumë për të ndihmuar skuadrën. “Normalisht që jemi shumë të kënaqur për këtë fitore dhe për të gjithë djemtë që dhanë çdo gjë për ta fituar ndeshjen, por duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë”. Ndeshjet duhet ti marrim me radhë dhe tashmë vëmendjen e kemi te sfida e radhës. Jam i lumtur edhe që shënova në këtë takim. Golin ia dedikoj skuadrës. Dëshira ime është që të shënoj në çdo ndeshje sa herë që të më jepet mundësia dhe ta ndihmoj skuadrën me paraqitje dinjitoze. Do të japë maksimumin tim për të ndihmuar sa më shumë Flamurtarin për të çuar skuadrën aty ku e ka vendin dhe që i takon të jetë”, përfundoi Oshafi.
PIKANTET
Trajneri Nica “ngujohet” pas humbjes, nuk flet për mediat
– Autoambulanca mbërriti në orën 13:30 në stadium, në orarin kur sfida do të fillonte. Dëgjohet zyrtari i klubi Çimi Rama, i cili u thotë zyrtarëve të ndeshjes: “Erdhi ambulanca”.
– Flamurtari pati dje mbështetjen edhe të “Flotës Kuqezi”. Ultrasit hodhën fishekzjarrë dhe brohoritën gjatë gjithë ndeshjes: “Flamurtar fito për ne”.
– Në stadium një prezencë e shtuar e vajzave, grave dhe fëmijëve.
– Trajneri Andrea Agostineli nuk e mban vendi. Italiani komunikon gjatë gjithë kohës me lojtarët. Zëvendësi i tij Lejdi Liçaj jepte udhëzime për kapitenin Denis Pjeshka.
– Çela dhe Zuna marrin ndihmën e stafit mjekësor pas dëmtimit. Vonesa e lojës sjell pakënaqësi për tifozët.
– Spartak Ajazi del i pakënaqur nga fusha në momentin e zëvendësimit, por e përgëzojnë në stolin krutan.
– Gjyqtari bën lëmsh tabelën. Në vend që të nxirrte numrin 20 të Oshafit që duhet të zëvendësohej, nxjerrë numrin 21 të Markut.
– Diavara largohet nga fusha e lojës mes duartrokitjeve.
– Pas golit të dytë të Flamurtarit, trajneri Stavri Nica ulet në stol.
– Arrojo largohet nga fusha e lojës i dëmtuar. Stafi sjell barelën, por lojtari nuk preferon të shtrihet del vetë nga fusha duke çaluar.
– Portieri Kaloshi më shumë u duk si spektator në fushë.
– Trajneri Stavri Nica pas ndeshjes “ngujohet” në dhomat e zhveshjes. Tekniku nuk del para mediave, ndërsa stafi i klubit njoftoi se nuk do të prononcohej.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"