Flamurtari i do ndeshjet me drita, kërkesë FSHF-së. Idrizi zbardh lëvizjet e fundit në kampin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2024 | 10:48

Flamurtari i do ndeshjet me drita, kërkesë FSHF-së. Idrizi zbardh lëvizjet e fundit në kampin vlonjat

Flamurtari i ka bërë kërkesë FSHF-së që ndeshjet si pritës t’i zhvillojë në darkë, nën dritat e prozhektorëve. Është vetë kreu i klubit Sinan Idrizi, që kërkon nga FSHF-ja, që duke nisur nga ndeshja me Vorën dhe të gjithë të tjerat në shtëpi, të luhen në mbrëmje me drita. Idrizi thekson për “Panorama Sport”, se Flamurtari i ka të gjitha mundësitë infrastrukturore për këtë gjë, që sipas tij do të shtonte numrin e tifozëve në stadium.

idrizi ferko

“Ne kërkojmë nga FSHF-ja që ndeshjet t’i luajmë në darkë. Nuk e kuptoj se përse nuk pranohet kjo gjë. Nuk kam preferencë për orën, por dua që të zhvillohen në mbrëmje, me drita. Ne i kemi të gjitha mundësitë, ndriçimin e kemi. Kështu do të ftonim edhe tifozët në stadium. Ne po i largojmë vetë ata me këto mënyra që bëjmë. Çfarë i kushton federatës që ndeshjet e Flamurtarit të luhen në darkë. Ato janë kosto për ne, energjia elektrike, atyre nuk u prish punë kjo gjë. Ndaj, ne kërkojmë që duke nisur nga ndeshja me Vorën dhe të tjerat që do të kemi në shtëpi, t’i luajmë në mbrëmje”, shprehet fillimisht Idrizi.

POLLOZHANI DHE DREJTORI I RI

Idrizi mendon se Artim Pollozhani bëri zgjedhje e duhur dhe ai nuk mund ta pengonte. “Pollozhani bëri zgjedhjen e tij dhe unë nuk mund që ta pengoja aspak. Madje, e kam deklaruar edhe më përpara se ajo ishte një ofertë e majme dhe nuk mund ta refuzonte. Pollozhanin e kam mik dhe dua që ai të bëjë zgjedhjen më të mirë për veten. E falënderoj për atë që dha te Flamurtari dhe i uroj suksese ku ka shkuar”, shprehet Idrizi, i cili më pas konfirmoi lajmin e “Panorama Sport”, se nuk do të emërojë drejtor të ri. “Ju siguroj se nuk do të kemi drejtor të ri që ta marrim nga jashtë. Do ta zgjidhim brenda familjes. Kemi Alfred Ferkon, Lejdi Liçajn dhe Andi Ribajn. Besoj se ata e bëjmë shumë mirë atë detyrë”, tha Idrizi.

FUSHA E RE

Flamurtari po i zhvillon përgatitjet që në nisje të këtij sezoni të ri, në fushën e stadiumit. Kjo për frikën e dëmtimeve, pasi fusha në Pyllin e Sodës ka degraduar. Vjet disa futbollistë u dëmtuan nga gjendja skandaloze e fushës në Pyllin e Sodës. Pritet që në ditët në vijim të mbërrijnë në Vlora fushat e reja nga Turqia që do të instalohen së bashku me shtyllat e ndriçimit dhe pankinat. Madje, Idrizi ka udhëtuar drejt Turqisë për të sjellë tapetin e ri. “Ndodhem në Turqi. Kam ardhur posaçërisht për fushat e reja. Do të fillojmë investimin në Pyllin e Sodës. Është kthyer në një shqetësim të madh gjendja e fushës dhe lojtarët nuk po stërviten më për shkak se kemi frikën e dëmtimeve. Fushat e reja do të jenë bashkëkohore. Po ngarkojmë stolat dhe shtyllat e ndriçimit. Është një rrugë e gjatë dhe besoj se për 5 ditë do të vijnë në Vlorë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"