Flamurtari me katër mungesa kundër Valbonës, probleme nga porta deri te sulmi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 11:15

Flamurtari me katër mungesa kundër Valbonës, probleme nga porta deri te sulmi

Dëmtimet kthehen në “makth” për Flamurtarin. Sikur të mos mjaftonin problemet fizike të disa lojtarëve, infermierisë i shtohet edhe Fabjan Beqja. Burime zyrtare pranë klubit konfirmojnë për “Panorama Sport”, se Beqja ka pësuar frakturë në gishtin e vogël të këmbës.

flamurtar

30-vjeçari do të humbasë ndeshjen me Valbonën, që luhet në Vlorë këtë të shtunë. Beqja e ka bërë pushim këto ditë për të fituar kohë në drejtim të shërimit të gishtit nga dëmtimi. Mendohet që gjatë kësaj jave, mesfushori të nis stërvitjen me grupin. Duke qenë kohë e shkurtër, Beqja nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Valbonën.

PORTA – Flamurtari mori një goditje jo të vogël në ndeshjen me Kukësin. Stivi Frashëri la fushën në fund të ndeshjes, korçari ka pësuar tërheqje në muskulin kuadriceps. Rikuperimi i Frashërit nga ky dëmtim mund të zgjas deri në tre javë. Gjasat janë që të kthehet në ndeshjen e Lushnjën, por gjithsesi ende nuk dihet se si do të ecë rikuperimi. Gjithsesi, në portë tashmë do të jetë Ariol Kaloshi. Ky i fundit e bëri mjaft mirë detyrën në ndeshjen me Apoloninë. Kaloshi prej dy sezonesh është pjesë e kuqezinjve, ndërsa i ka provuar të dyja, si vendin titullar ashtu edhe stolin. Në mungesë të Frashërit, në dispozicion është portieri i ri Bruno Qarri.

RIKUPERIMET – Përveç portierit Stivi Frashëri, lojtarë të tjerë janë të dëmtuar dhe ende nuk janë gati për Andrea Agostinelin. Bëhet fjalë për Vasil Shkurtajn dhe Ilir Allmuçën.  Të dy kanë pësuar tërheqje. Ata janë në fazë rikuperimi dhe po bëjnë fizioterapi. Me Valbonën edhe ata do të mungojnë. Gjasat janë që të jenë të gatshëm javën tjetër dhe të udhëtojnë me skuadrën në transfertën e Peshkopisë. Dje, trajneri italian i Flamurtarit ka marrë një lajm të mirë. Valentino Murataj iu bashkua grupit në stërvitje. Mesfushori i qendrës ka pasur probleme me ligamentin krocitat. Në takimin me Vorën, që u luajt në Vlorë, u aktivizua pak minuta dhe u fut në fushë vetëm në minutën e 84-të. Por me Kukësin dhe Apoloninë nuk ka qenë i grumbulluar.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"