Flamurtari me marsh të pestë, likuidon edhe Valbonën. Agostineli: Ky ekip më kënaqi. Marku: kemi shumë rrugë përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 11:50

Flamurtari me marsh të pestë, likuidon edhe Valbonën. Agostineli: Ky ekip më kënaqi. Marku: kemi shumë rrugë përpara

Flamurtari për rekord, shënon fitoren e pestë radhazi. Të besuarit e Andrea Agostinelit likuiduan edhe Valbonën. Në këto vitet e fundit në Vlorë kishte munguar kjo ecuri pozitive. Deri në frymën e fundit kuqezinjtë luteshin të merrnin kreun, por fitorja në limite e Besës në Fier, i la një pikë pas.

FLAMURTARI FESTON

Vlonjatët fituan në shtëpi 2-0 në një ndeshje tërësisht të dominuar prej tyre. Zhgënjimi i javës së parë me Burrelin, tashmë është hedhur pas krahëve dhe Flamurtari po funksionon më së miri. Takimi është vendosur nga Marku dhe Oshafi të cilët kanë përshëndetur rrjetën në pjesën e parë dhe në të dytën.

PJESA E PARË– Kuqezinjtë do të tregoheshin shumë kërkues që në minutat e para. Zhbllokimi i shifrave do të vinte shumë shpejt. Do të ishte minuta e 15-të kur Flamurtari do të kalonte në avantazh. Herald Marku gjuan me të majtën nga jashtë zone duke e dërguar topin në rrjetë dhe 1-0. Pas pësimit të golit duket sikur reagon Valbona që vihet në kërkim të barazimit. Por as Llanaj dhe as Adetola nuk janë në ditën e tyre më të mirë. Flamurtari dominon jo vetëm në rezultat por edhe në lojë. Kuqezinjtë sulmojnë me anë të Ememe, i cili brenda zonës ka një mundësi shumë të mirë shënimi, por gabon shënjestër. Pak minuta më vonë është Oshafi që shfaqet rrezikshëm përpara Hoxhës. Vlonjatët vijojnë të shfaqen të frikshëm përballë miqve që janë thuajse të dorëzuar në këtë pjesë. Ka vend edhe për Trashin dhe Markun që të kërcënojnë, por pa shenjëstruar saktë kuadratin. Valbona kundërsulmon, por shumë rrallë duke mos përbërë asnjë rrezik për Kaloshin.

PJESA E DYTË– Flamurtari do ta niste edhe pjesën e dytë të ndeshjes në sulm. Duket sikur Valbona tenton të lëshojë shkëndija me Lalën që vrapon dhe duket sikur do bëjë diçka, por e ka të vështirë që të hyjnë në zonën e vlonjatëve. Vendësit do të ishin sërish kërkues. Është Ememe që rrezikon. Autori i golit të parë Marku, do t’ia linte vendin Paulo Pjeshkës. Kuqezinjtë kanë një mundësi shumë të mirë për të shënuar golin e dytë. Lorenc Trashi godet shtyllën dhe topi rikthehet pas në fushë. Paulo Pjeshka hedh një top në zonë, Diavara pason me kokë te Oshafi, por ky i fundit kroson dhe shënon por goli anulohet për pozicion të parregullt. Është sërish Ememe që prek shtyllën. Do të vinte goli i dytë në minutën e 70-të. Trashi pason në zonë dhe Mashi gabon e nuk e heq dot topin që përfundon në këmbët e Oshafit që me një lëvizje mashtruese bën që të gabojë edhe portierin Hoxha dhe 2-0. Pas dy minutave, trajneri Gega do të bënte tri zëvendësime njëkohësisht me shpresën për të ndryshuar diçka duke ulur në stol Farrukun, Berberin dhe Llanajn dhe duke hedhur në fushën e lojës Ballën, Alinanin dhe Agomuonso. Flamurtari ka mundësi që të shënojë dhe të tretin. Tre minuta shtesë në fund nuk do të ndryshonin asgjë. Flamurtari merr një tjetër fitore të rëndësishme, ndërsa Valbona zhytet edhe më shumë në zonën e ftohtë.

FLAMURTARI – VALBONA 2-0

GOLAT: Marku 15’, Oshafi 70’

FLAMURTARI: Kaloshi, Bolanos, Alla, Trashi, Atanda, Marku (P.Pjeshka 56’), Fernando (Beqja 88’), Batha (Murataj 88’), Diavara, Oshafi, Ememe (Kobian 84’) (Në dispozicion: Qarri, Hasa, Selimi, Leshi, Hoxhaj). Trajner: Andrea Agostineli

 VALBONA: Hoxha, Lamçe, Farruku (Balla 72’), Mashi, Lala, Zeqiraj, Berberi (Alinani 72’), Da Silva, Krasniqi, Llanaj (Agomuonso 72’), Adetola (Aluku 80’) (Në dispozicion: Marku, Doçi, Jetishi). Trajner: Emiliano Gega

Kartonë të verdhë: Alla 56’/Lala 63’

Gjyqtarë: G.Çokaj, E.Muça, D.Përndreca (Lezhë)

Vëzhgues: Ervis Peza (Tiranë)

Delegat: Endri Hyka (Tiranë)

Andrea Agostineli:  Krijuam volum dhe raste, ky ekip më kënaqi

 Andrea Agostineli e cilëson fitoren me Valbonën si një sadisfaksion për skuadrën e tij. Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, italiani tha se e kënaq volumi i lojës si dhe rastet e shumta për gol. Falënderon djemtë që luajtën duke sakrifikuar edhe në temperatura relativisht të larta. “Jam shumë i lumtur për ndeshjen që luajtëm. Futbollistët e mi luajtën duke edhe sakrifikuar pasi ishte një vapë shumë e madhe. Nuk e ulën as një herë ritmin. Krijuam volum të madh loje dhe raste të shumta për gol. Kundërshtarit nuk i dhamë as një herë mundësinë që të shënonte. Më kënaq kjo skuadër. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veç të festojmë për këtë fitore dhe pastaj që nga e hëna të mendojmë për ndeshjen e radhës”, përfundon Agostineli.

Marku: Falënderoj tifozët, kemi shumë rrugë përpara

Herald Marku shënoi golin e parë për Flamurtarin. Mesfushorin e kënaqin tri pikët e radhës, por edhe kontributi që dha për skuadrën. Për “Panorama Sport”, Marku falënderon tifozët që ishin të shumtë në numër dhe premton maksimumin. “Si pas çdo fitore ndihemi shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur sepse kemi siguruar tri pikë të tjera. Është fitorja e pestë radhazi dhe patjetër që është diçka shumë e bukur. Por, patjetër që e dimë se kemi shumë rrugë përpara dhe duhet që të punojmë fort. Në këtë ndeshje shënova dhe ndihem mirë që ndihmova skuadrën. Unë jap maksimumin tim në çdo ndeshje për të arritur rezultate pozitive. Falënderoj shumë tifozët për mbështetjen e madhe që po na japin dhe që në këtë takim ishin të shumtë në numër”, thotë Marku.

Pikantet

Dielli të “djeg” në Vlorë, kapiten shfaqet Batha

Flamurtari-Valbona e luajtur në Vlorë kishte disa momente pikante.

-Në mungesë të Denis Pjeshkës, shiritin e kapitenit te Flamurtari e mbante Idriz Batha.

-Një pjesëmarrje shumë e madhe e tifozëve në shkallët e stadiumit. Prezencë e lartë e femrave, fëmijëve, por edhe e turistëve të huaj.

– Në pjesën e dytë teksa lë fushën për Paulo Pjeshkën, autori i golit Herald Marku bën kryqin.

– Fund shtatori, por dielli të “djeg” në Vlorë. Ndeshja është luajtur në temperatura të larta. Futbollistët kanë konsumuar shumë ujë.

– Lojtarët e huaj të Flamurtarit festojnë fitoren me darkë. Fernando, Diavara, Ememe dhe Kobian pas ndeshjes janë parë në një nga restorantet e qytetit në shoqërinë e njëri-tjetrit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"