Flamurtari ndalet në Fier, skandal me ambulancën. Pajaziti: Pikë e pranueshme, por jo “e artë”. Liçaj: Ndikoi trysnia e rezultatit, tifozëve u premtoj elitën
Kryendeshja e javës së 16-të të Kategorisë së Parë mes Apolonisë dhe Flamurtarit e programuar për të dielën në stadiumin “Loni Papuçiu”, u shty me 48 orë për shkak të motit të paqëndrueshëm. Mes dyluftimeve të ashpra, tensionit të lartë, 7 kartonëve të verdhë dhe një të kuqi, sfida e djeshme mes Apolonisë dhe Flamurtarit u mbyll 1-1.
Skuadrat dhuruan spektakël dhe emocione të forta, por pa fitues. Fierakët kaluan në avantazh me Maksutin në të 29-ën, ndërsa vlonjatët barazuan në të 79-ën me Selimin. Ekipet ndanë pikët dhe barazimi më shumë u ka prishur punë të dy ekipeve, me Flamurtarin të tretin që largohet me 4 pikë nga Vora dhe me Apoloninë që nuk del nga zona “e ftohtë”.
Vonesa- Ndeshja nisi me 24 minuta vonesë, shkak u bë parregullsia me autoambulancën. Në fakt në stadium ishte një autoambulancë, por pas kontrollit nga delegati, u konstatua se mjeti nuk kishte pajisjet e duhura. Duhej të vinte një tjetër autoambullancë, e cila kishte gjithçka dhe loja rinisi pas 24 minutash vonesë.
Pjesa e parë- Takimi nisi i qetë dhe i ekuilibruar për disa minuta. Me kalimin e kohës, miqtë ishin më kërkues dhe krijojnë epërsi me lojë e raste. Në minutën e 8-të godet Oshafi, pret portieri Kaçaj. Në të 14-ën, Beqaj gjuan fluturimthi, por diagonalja e tij kalon ngjitur me shtyllën. Fierakët bëhen konkretë në minutën e 20-të. Bejzade depërton bukur dhe pason për Trifonin, i cili driblon Atandën, godet fort me të majtën, por portieri Kaloshi bën heroin duke e larguar topin. 9 minuta më vonë, Apolonia shënon dhe kalon në avantazh.
Aksion i rrjedhshëm që nis nga këmbët e Umejiegos, vazhdon në krahun tjetër te Trifoni, që gjen të lirë brenda në zonë Maksutin, i cili finalizon dhe 1-0. Flamurtari vihet menjëherë në kërkim të golit të barazimit, Por në dy momente është portieri Kaçaj që u mohon baraspeshën, duke grushtuar goditjen me kokë të Oshafit dhe më pas të Ememes. Fierakët mund të dyfishonin në minutën e dytë shtesë, ku Maksuti depërtoi bukur nga e majta dhe pason për Umejiegon, por nigeriani goditi fort dhe portieri Kaloshi largon topin me këmbë. Në shifrat 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Pjesa e dytë- Pas pushimit, Flamurtari është më i përkushtuar dhe thekson dominimin, ndërsa fierakët mbyllen prapa, ndonëse trajneri kërkon qasje tjetër në fushë. Në të 49-ën, vlonjatët janë pranë golit të barazimit. Beqja kroson nga e djathta për Oshafin, por portieri Kaçaj reagon bukur. Më pas vjen një gjuajtje e Muratajt mbi traversë. Miqtë krijojnë dhe rrisin rrezikshmërinë, por goli mungon. Minuta 60, Ememe depërton brenda zonës dhe arrin të godasë topin, por grushton Kaçaj. Pesë minuta më vonë, një tjetër rast i pastër për miqtë. Pas krosimit të Hasës, Oshafi godet me kokë në zhytje e sipër, por Kaçaj fluturon në cepin e portës.
Kur “bunkeri” i Apolonisë u duk se e bëri punën e vet, vjen goli i barazimit në minutën e 79-të, me autor Trimëror Selimin. Nga e majta, Trashi lëshon topin përpara dhe e dërgon me një trajektore të lartë për Selimin. Sulmuesi shtatshkurtër godet tokazi dhe shënon, 1-1. Loja u rihap. Në minutën e dytë shtesë, Flamurtari pretendon për penallti. Sulmuesi Oshafi depërton bukur nga e majta dhe harkon lehtë në shtyllën e parë me topin që përfundon në dorën e Hebejës. Për kryesorin Lata nuk ka asgjë, pasi dora është në pozicion natyral. Minutat e mbetura nuk sjellin ndryshim dhe sfida mbyllet në barazim 1-1 dhe ekipet ndanë pikët. Një barazim që u ka prishur punë të dyjave, me Flamurtarin që frenohet në vend të tretë me 36 pikë, ndërsa Apolonia që nuk ia del të dalë nga zona “e ftohtë”.
APOLONIA – FLAMURTARI 1-1
GOLAT: Maksuti 29’ / Selimi 79’
APOLONIA: Kaçaj, O.Repaj (Rajmond 87’), Asllanaj, Topi, Kofi, Hebeja, Rakipaj (Hoxhaj 87’), Bejzade, Trifoni (Çulli 68’), Maksuti (Musa 76’), Umejiego; (Në dispozicion: Bushi, Gabriel, Cjapi). Trajner: Sedat Pajaziti
FLAMURTARI: Kaloshi, Beqja (Hasa 58’), Bolanos (Hoxhaj 90’), Atanda (Allmuça 48’), D. Pjeshka, Trashi, Diavara (Kobian 66’), Murataj, Ememe, Oshafi, Shkurtaj (Selimi 48’); (Në dispozicion: Frashëri, Kacbufi, P. Pjeshka, Marku, Adem). Trajner: Lejdi Liçaj
Kartonë të verdhë: Kofi 30’, Rakipaj 40’, O.Repaj 85’, Kaçaj 90+1’, Bejzade 90+3’ / Ememe 30’, Trashi 66’
Karton i kuq: E. Dinaj 45’(trajneri i portierëve Flamurtari)
Gjyqtarë: F. Lata (Durrës), Xh. Mani, A. Shkreta (Tiranë)
Vëzhgues: Genc Maloku (Tiranë)
Delegat: Besnik Çela (Tiranë)
Trajneri
Pajaziti: Pikë e pranueshme, ja fokusi i merkatos dimërore
Trajneri i Apolonisë e ka quajtur të pranueshëm barazimin me vlonjatët, duke krahasuar përbërjet që kanë dy ekipet. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, Sedat Pajaziti u shpreh: “Po të shikosh kontingjentin e Flamurtarit, ky barazim mund të quhet si një pikë e pranueshme dhe e kënaqshme ndaj tyre, por jo një pikë ‘e artë’ sepse nuk e shoh Apoloninë për të mbijetuar në këtë kategori. Për shkak të mungesave, që janë të përjavshme te ne, një pikë ndaj Flamurtarit pretendent vlen. Ishim në avantazh, mbajtëm lart rrezikun, por në të vetmin rast të rrezikshëm gabuam dhe më vjen shumë keq. Ishte një gol që mund të evitohej me përqendrimin e duhur. Flamurtari falë cilësive që ka dhe alternativave në stol na ndëshkoi me një rast të vogël, atëherë kur nuk e prisnim.
Omer Repaj dhe Erald Maksuti lanë fushën të dëmtuar dhe u detyrova të fus dy lojtarë të tjerë, por jo në pozicionet e të larguarve. Ndryshova sistem loje duke ditur dhe mungesën e qendërmbrojtësit Ndubuisi, që ishte i pezulluar. Kush më shumë e kush më pak, ndikoi që në fund të dilnim me një pikë. Jemi në diskutime për të përforcuar skuadrën, si në sasi ashtu dhe në cilësi. Tregu vendas nuk të jep shumë mundësi, plus të gjitha ekipet duan të përforcohen. Nuk e përjashtojmë tregun vendas, por vëmendje më të madhe mund të ketë tregu i huaj. Mesfusha është reparti ku çalojmë dhe fokusi ynë do të jetë pikërisht aty, që ky kampionat i vështirë dhe konkurrues të përballohet me sukses deri në javën e fundit”.
Lejdi Liçaj
“Ndikoi trysnia e rezultatit, tifozëve u premtoj elitën”
Me trajnerin Agostinelei të pezulluar, në Fier, Flamurtari u drejtua në pankinë nga zëvendësi i tij, Lejdi Liçaj, i cili pas ndeshjes për “Panorama Sport” deklaroi: “Më vjen keq për mënyrën e lojës që bëmë në pjesën e pare, ku mendoj se ekipi ishte në trysninë e rezultatit. Ndryshuam në pjesën e dytë, ku ishim më të rrezikshëm dhe ia dolëm të barazonim rezultatin. Nuk ishte ky rezultati që dëshironim në Fier, pasi e kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar, si çdo ndeshje tjetër, dhe si e vetmja mundësi për të qenë afër Superiores. Kishim mundësi të shënonim edhe golin e dytë, por nuk ishim as efikasë dhe as të qetë në metrat e fundit. Këtë herë ishim në trysninë e minutave që kalonin.
Përforcimet? Merkatoja e janarit është e mirëpritur, ku nevojitet fillimisht analizë e gjerë dhe me detaje për të parë veçanërisht lojtarët me pak minuta. Mos të harrojmë se kemi edhe dy lojtarë titullarë të dëmtuar, Allën dhe Bathën. I pari kthen Denis Pjeshkën në prapavijë dhe i dyti lë boshllëk të madh në mesfushë. Me rikthimin e të dyve besoj se ekipi do të jetë i pandalshëm, siç edhe ishte në fakt, ku nuk e diskutonim fitoren brenda dhe jashtë fushe. Tifozët? Me tifozët patëm një bisedë të shkurtër. Ishin të mërzitur dhe me të drejtë, pasi luftojmë çdo vit për Superioren. Është sezoni i pestë radhazi që Flamurtari lufton dhe synon të arrijë elitën, aty ku ka realisht vendin mes më të mirëve të futbollit shqiptar. U premtoj që do ta arrijmë”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"