Flamurtari pret të pestën radhazi, Agostineli: Të mos lëshojmë më, ekipi po kthen entuziasmin në Vlorë
Trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, ka mbetur mjaft i kënaqur nga fitorja e katërt resht. Tekniku italian pohoi pas suksesit me fierakët se skuadra e tij e dominoi krejtësisht Apoloninë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Agostineli thekson se nuk duhet as një tolerim në vijim, pasi kundërshtarët janë të fortë.
Është i kënaqur, pasi skuadra po i përgjigjet dhe po bind si me lojë ashtu edhe me rezultat. Ai kërkon fitoren e pestë me Valbonën, ndërsa thotë së skuadra e tij duhet të luajë e përulur dhe me respekt për kundërshtarin. Agostineli nuk e fsheh lumturinë kur shprehet se ky Flamurtar po i kthen entuziazmin qytetit të Vlorës.
Agostineli, keni “likuiduar” edhe Apoloninë dhe merrni katër fitore radhazi. A jeni i kënaqur me këtë ecuri?
Patjetër që jam shumë i kënaqur. Ishte një fitore e rëndësishme dhe që më shijoi shumë, pasi u ndeshëm me një skuadër me kualitet, sikundër është Apolonia. Flamurtari zhvilloi një ndeshje të bukur dhe kjo gjë më entuziazmon edhe më tepër. Kjo fitore ishte më se e merituar nga ana jonë. Një falënderim për të gjithë futbollistët, të cilët dhanë maksimumin në këtë takim.
Jeni më shumë i lumtur që fituat, apo edhe për lojën e zhvilluar nga skuadra?
Jam i lumtur me rezultatin, por edhe me lojën e skuadrës në përgjithësi. Nëse e keni vënë re dhe e keni ndjekur ndeshjen me kujdes, ne dominuam krejtësisht për 1 orë e 15 minuta. I lamë vetëm 15 minuta Apolonisë, që të luante pak. Skuadra po më përgjigjet dhe është në rrugën e duhur.
I jeni afruar kreut, vetëm një pikë larg Besës…
Jam i lumtur që ekipi po përmirësohet nga dita në ditë, por nuk duhet të lëshojmë, sepse ka edhe ekipe të forta. Ta shijojmë këtë fitore dhe menjëherë të mendojmë për ndeshjen e radhës. Festën e kishim vetëm të dielën. Nga sot (dje) mendojmë për sfidën që na pret në fundjavë.
Ndeshja e radhës përsëri do të luhet në Vlorë me Valbonën. Çfarë prisni nga ky takim?
Po e presim me padurim takimin. E rëndësishme është që ekipi im të luajë i përulur dhe me respekt për kundërshtarin. Duam maksimumin.
Çfarë mesazhi keni për tifozët?
I falënderoj shumë tifozët. Më vjen mirë që po kthehet entuziazmi në këtë qytet.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"