Flamurtari vendos rekord kombëtar, 15 gola Devollit. Agostineli: Përgëzoj djemtë, goleada do të kujtohet gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 13:55

Flamurtari vendos rekord kombëtar, 15 gola Devollit. Agostineli: Përgëzoj djemtë, goleada do të kujtohet gjatë

Turi i parë i edicionit të 73-të të Kupës së Shqipërisë ka nisur me festival golash, 77 në 16 ndeshje. Padyshim, Flamurtari spikati duke vendosur rekord kombëtar, pasi i shënoi 15 gola Devollit, ku miqtë realizuan golin e nderit me penallti.

FLAMURTAR

Vlonjatët hyjnë në historinë e futbollit shqiptar si skuadra që shënon kaq shumë gola në një ndeshje zyrtare, por edhe në historinë e tij si klub, që kur është themeluar në vitin 1923. Rekordi deri më tani mbahej nga ekipi i Partizanit i vendosur në vitin 1951 dhe vlonjatët e thyejnë atë pas 73 vitesh. Më 31 janar 1951, Partizani fitonte në shifrat 14-0 ndaj Punës së Beratit, ku 7 gola i shënoi Refik Resmja. Skuadra e Andrea Agostinelit u kualifikua lehtësisht për në turrin tjetër të Kupës së Shqipërisë, duke treguar se brenda skuadrës ka cilësi dhe lojtarë me eksperiencë.

Gola ka pasur për të gjithë, por Vasil Shkurtaj, i aktivizuar në pjesën e dytë, shënoi plotë pesë herë. Takimi nisi me 11 minuta vonesë, pasi miqtë nga Devolli mbërritën në stadium në orën 13:15, çerek ore përpara startit të takimit. Flamurtari në këtë ndeshje ka aktivizuar lojtarët që kanë marrë më pak minuta, ose ata që kanë qenë të dëmtuar dhe janë drejt rikuperimit. Binte në sy rikthimi i lojtarëve Denis Pjeshka, Murataj e Hoxhaj. Minuta morën edhe Kacbufi, Selimi dhe Adem, të cilët nuk kanë pasur hapësira.

NDESHJA – Vlonjatët e nisnin takimin me dy gola të shpejtë. Është Beqja që në minutën e 9-të do të hapte serinë e golave me një gjuajtje brenda zonës. Dy minuta më vonë shënoi Selimi. Dominim total i Flamurtarit, por shpërdoruan shumë. Në minutën e 32-të, Kacbufi shënoi golin e tretë, një gol mjaft i bukur me kokë. Në të 42’, Paulo Pjeshka vë në vështirësi Medollin, duke shënuar të katërtin. Nuk mbaron këtu, pasi sulmuesi Hoxha, shënoi edhe të pestin për të shkuar në dhomat e zhveshjes me një ndeshje që nuk do të kishte histori.

Në këtë fraksion loje vlen të theksohet edhe Kobian me tetë asiste. Në pjesë e dytë, trajneri Andrea Agostineli preferoi të bënte 4 ndryshime që në start. Ato do të nisnin që nga porta, ku italiani i beson të riut Qarri. Shkurtaj do ta bënte sefte pas një mungesë relativisht të gjatë dhe zëvendëson Beqjan, Alla hidhet në fushë në vend të Bolanos, ndërsa Selimi ia lë vendin Hasës. Festivali i golave në këtë fraksion të dytë u hap nga Shkurtaj, i cili do të shënonte dy herë brenda dy minutash, 50-51. 7 minuta më vonë është Adem nga distanca që shënoi golin e tetë.

Dy minuta më vonë Hasa me një gjuajte potente brenda zonës do të mposhte Medollin. Më pas është sërish Shkurtaj që tund rrjetën nga distanca. Pas tij përsëri Hasa shënon të dytin personal. Do të jetë sërish Shkurtaj që përfiton nga një gabim i mbrojtjes dhe shënon të katërtin personal, ndërsa dy minuta më vonë është Oshafi që bën detyrën. Ivan do të shënonte golin e nderit për Devollin me penallti në minutën e 86-të. Sulmuesi Shkurtaj do të vuloste fitoren 15-1, një minutë më vonë. Në turin e dytë Flamurtari do të përballet me Besën.

FLAMURTARI-DEVOLLI 15-1
GOLAT:
Beqja 9’, Selimi 11’, Kacbufi 32’, P.Pjeshka 40′, Hoxhaj 44′, 53′, Shkurtaj 50, 51′, 70′ , 82′, 87’, Adem 58′ , Hasa 60′ 75′, Oshafi 84′/ Ivani 86′ (11-m)

FLAMURTARI: Kaloshi (Qarri 46’), Bolanos (Alla 46’), D.Pjeshja, Kacbufi, Murataj, Beqja (Shkurtaj 46’), P.Pjeshka (Oshafi 62’), Selimi (Hasa 46’), Adem, Hoxhaj, Kobian. (Në dispozicion: Trashi, Marku, Atanda, Ememe, Fernando) Trajner: Andrea Agostineli

DEVOLLI: Medolli, Çuko, Zymeri, Dalipi (Ago 55’), Lipo, Staroj, Hasaj (Ibrahimi 61’), Gallo, Martins (Çiço 41’), Ivani, Teksiera (Gjyli 46’). (Në dispozicion: Agudelo). Trajner: Trifon Meraku

Gjyqtarë: E. Demiraj (Pogradec), D. Mile (Fier), Gj. Gegprifti (Pogradec)

Vëzhgues: Krenar Peci (Gjirokastër)

Delegat: Emiljano Gjyla (Lushnjë)

Trajneri i Flamurtarit

Agostineli: Përgëzoj djemtë, goleada do të kujtohet gjatë

Trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, është i lumtur që me Flamurtarin theu një rekord historik në futbollin shqiptar, duke shënuar 15 gola në një ndeshje zyrtare. Për “Panorama Sport”, trajneri italian pas ndeshjes komplimentoi lojtarët e stolit, të cilët sipas tij treguan se vlejnë. “E kishim menduar fillimisht që do të kalonim këtë fazë të Kupës, por nuk e menduam se do ta kalonim në këto dimensione. Më vjen mirë që ky është një rekord i ri për Flamurtarin dhe për qytetin e Vlorës. Kjo gjë do të kujtohet shumë gjatë. I komplimentoj të gjithë djemtë e skuadrës. Në Kupë u aktivizuan ata futbollistë, që nuk kanë luajtur në kampionat. Më pëlqeu gjithashtu që djemtë bënë një lojë shumë serioze dhe më vjen mirë që ka një mentalitet shumë të mirë në ekip. Të gjithë lojtarët e Flamurtarit janë kërkues. Ndihem mirë, pasi edhe ata që nuk luajnë në kampionat donin të tregonin se janë po aq të mirë sa ata që luajnë. Sot (dje) e treguan dhe vërtetuan këtë gjë”, përfundon Agostineli.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"