Flamurtari- Vora, sot ora 16:00/ Agostinelin e kënaq vetëm një rezultat, Tabaku i bindur për vazhdimësinë e vorakëve në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2024 | 10:00

Flamurtari- Vora, sot ora 16:00/ Agostinelin e kënaq vetëm një rezultat, Tabaku i bindur për vazhdimësinë e vorakëve në Vlorë

Takimi Flamurtari- Vora, që do të luhet sot, në orën 16:00, në stadiumnin e qytetit të Vlorës mbyll javën e tretë të Kategorisë së Parë. Andrea Agostineli kërkon vetëm fitoren sot me Vorën.

Agostineli

Pushimi duket se i ka bërë mirë skuadrës, që për italianin e pankinës vlonjate duhet të marrë vetëm maksimumin. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, përpara kësaj përballje me një kundërshtar direkt, trajneri Agostineli thotë se nuk do ta kënaqte asnjë rezultat tjetër përveç tri pikëve.

“Situata në ekip është shumë e mirë. Pushimi na vlejti për t’u përgatitur. Nga skuadra kam marrë reagim pozitiv gjatë këtyre ditëve të përgatitjeve, por edhe në ndeshjen miqësore që e luajtëm javën e kaluar me Luftëtarin ku provuam dhe pamë lojtarët që nuk morën shumë minuta. Nga ndeshja me Erzenin ekipi reagoi mjaft mirë dhe ishte kërkues dhe i vendosur për ta fituar atë takim, që për ne ishte shumë i rëndësishëm. Më pëlqeu reagimi i skuadrës, pasi normalisht vinim pas një humbje.

Kam marrë sinjale pozitive nga të gjithë lojtarët. Kemi futbollistë që duan pak kohë sa të marrin veten, për shkak se janë në fazë rikuperimi ose na janë bashkuar me vonesë. Besoj se brenda një kohe të shkurtër ata do të na bashkohen dhe do të jenë të gatshëm për të dhënë maksimumin e tyre. Jemi gati për këtë ndeshje. Duhet të marrim tri pikët dhe të bëjmë një lojë të mirë për tifozët tanë. Nga takimi i sotëm me Vorë presim vetëm fitoren. Nuk do të isha aspak i kënaqur me asnjë rezultat tjetër”, shprehet fillimisht Agostineli.

KUNDËRSHTARI – Agostineli e shikon Vorën një kundërshtar të fortë, por ka besim tek skuadra që drejton. Ai parashikon një ndeshje të bukur dhe të luftuar. “Do të jetë një ndeshje e vështirë. E dimë që kundërshtari është i fortë dhe se ka objektivat e tij, ashtu sikundër edhe ne. Do të jetë një ndeshje e bukur. Ne do të futemi në fushë për të bërë detyrën tonë. Nuk duhet që të gabojmë. Kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë për ta fituar këtë ndeshje, por edhe për të arritur objektivin madhor që kemi, ngjitjen në Superiore. Asnjëherë unë nuk i jam fshehur këtij objektivi dhe nuk do ta bëj kurrë. Kjo skuadër është ndërtuar për të bërë gjëra të mëdha”, thotë italiani.

TIFOZËT – Pavarësisht ditës dhe orarit, trajneri Agostineli kërkon sot sa më shumë tifozë në stadium. “Ndeshjen e luajmë në shtëpi. Jemi përballë tifozëve tanë dhe kërkojmë mbështetjen e tyre. Ne përgatitemi dhe luajmë për ta, për ti kënaqur si me lojë ashtu edhe me rezultat. I ftoj që sot të na mbështesin, pavarësisht se është një ditë e zakonshme jave dhe një orë ndoshta jo shumë e përshtatshme. Ne kemi nevojë që t’i kemi sa më pranë”, përfundon Agostineli.

Hyrja, me bileta vetëm në tribunën qendrore

 

Java e tretë e Kategorisë së Parë mbyllet me një përballje rivales kryesor për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Flamurtari pret sot në Vlorë, skuadrën e Vorës, që ka 6 pikë pas dy javëve të para. Ndeshja luhet në orën 16:00 dhe përmbyll javën e tretë të Kategorisë së Parë. Nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostineli, skuadra dje i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për këtë takim dhe grupi duket thuajse i plotë. Klubi njofton se për ndeshjen e sotme tribuna qendrore do të jetë me pagesë për tifozët, teksa bileta do të kushtojë 1000 lekë të rinj. Ndërsa tribunat e tjera do të jenë falas. Vlonjatët kanë kërkuar që ndeshjet e tjera në shtëpi t’i luajnë në mbrëmje, nën dritat e prozhektorëve.

 

VORA

Kapiteni Tabaku: Në Vlorë, për trepikëshin e radhës

tabaku

Skuadra e Vorës do të zbres sot në fushën e stadiumit të Vlorës për të marrë suksesin e radhës, ndonëse përballen me Flamurtarin. Pritet të jetë një ndeshje e bukura, pasi të dyja skuadrat do të jenë rivalët kryesorë në luftën për t’u ngjitur në elitë. Skuadra e Vorës do të ketë një mungesë, Kevin Dalipi, që ende nuk është i gatshëm. Trajneri Bellai e ka zgjidhur problemin me Dukën që do ta aktivizojë në vend të tij. Kështu që vorakët do të jetë e kompletuar në të gjitha repartet për këtë takim. Një nga lojtarët më me përvojë te Vora është kapiteni kryeqytetas, 29-vjeçari, Xhuljo Tabaku, që rolin e tij kryesor e ka qendërmesfushor dhe shkatërrues në mbrojtje.

Në lidhje me takimin e radhës, për “Panorama Sport” kapiteni Tabaku u shpreh: “Jemi dy skuadra që si objektiv tonin kemi shpallur ngjitjen në Superiore. Pra, të dy ekipet do të synojnë vetëm tri pikët e plota. Ne e kemi nisur mjaft mbarë sezonin e ri dhe kërkojmë që këtë rrugëtim drejt Superiores ta vazhdojmë deri në fund. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, pasi të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, sikurse edhe Flamurtari që do të kemi përballë sot. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona, duke dhënë maksimumin nga vetja për ta fituar edhe këtë takim. Forca dhe përvoja e shumë lojtarëve tanë nuk mungon, prandaj mendoj se ne na duhen vetëm pikët. Synimet tona janë që ta mbyllim sezonin në dy fazat e para, për të mos pritur më tej. Ne duhet të fitojmë në çdo takim”. Vora në dy javët e para ka mundur në shtëpi Apoloninë dhe Kukësin dhe sot luan transfertën e parë sezonale, dhe kalendari i dhuron duelin me Flamurtarin.

ERMAL SIKA/ ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"