Flamurtari vuan me Erzenin, ruan kreun falë një autogoli. Dëmtimi i Shanit krijon ankth dhe frikë, loja u ndërpre për 15 minuta
Flamurtarit ia bën “malore” edhe Erzeni i vendit të fundit. Kuqezinjtë e Andrea Agostinelit fituan me vështirësi në shtëpi ku përballë kishin shijakasit, ndërsa do të duhet t’i falen autogolit të Jurit, që u dha edhe tri pikët duke mbrojtur vendin e parë.
Erzeni edhe pas kësaj ndeshje mbetet i fundit dhe skuadra e vetme në Kategorinë e Parë që në 13 javë nuk ka fituar asnjë takim.
Ndeshja- Loja nis e qetë nga të dyja skuadrat, por Flamurtari duket më kërkues. Vendësit i zhbllokonin shifrat shumë shpejt. Në minutën e 10-të, Trashi kroson për Oshafin, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për vlonjatët. Ndeshja u ndërpre për afro 15 minuta për shkak 19-vjeçari Mohamed Diallo. Vlonjatët do të dominonin në vijim, ndërsa Marku ka një mundësi shumë të mirë për të shënuar, por bllokohet nga mbrojtja e Erzenit. Në vijim kemi një dialogim mes vlonjatëve dhe portierit Dema, që ndal disa aksione goli. Në minutën e 44-t, Erzeni ka një shans për të barazuar shifrat me Akibu, por ai shpërdoron. 1-0 u mbyll pjesa e parë.
Fraksioni i dytë nis me Erzenin në sulm. Në minutën e 66-të Oshafi pengohet në zonë dhe gjyqtarja Rusta akordon 11-metërsh për Flamurtarin, vendim i cili u kontestua nga shijakasit. Ememe gjuan nga pika e bardhë, por goditja është e lehtë dhe devijohet nga portieri Dema. Pas këtij momenti Kobian është më i rrezikshmi për vlonjatët. Në minutën e 73-të, Juri, teksa përpiqet ta devijojë topin jashtë e dërgon në krahun e majtë të portierit Dema, një autogol që për Flamurtarin pati vlerën e një goli vendimtar për fatin e ndeshjes. Flamurtari vijon që të ngul këmbë me Shkurtajn në zonë të rreptësisë.
Në minutën e 79-të Flamurtari shtanget nga goli Akibu, që me kokë mposht Kaloshin dhe 2-1. Vlen të theksohet se në 15 minutat e fundit, Erzeni rrit lojën dhe tentoi edhe barazimin e rezultatit. Edhe vlonjatët kanë disa mundësi për të trefishuar, por gjithçka mbyllet në shifrat 2-1 për Flamurtarin.
FLAMURTARI – ERZENI 2-1
GOLAT: Oshafi 10’, Juri 73’ (aut), Akibu 79’
FLAMURTARI: Kaloshi, Beqja (Allmuça 90’), Bolanos, Atanda, Trashi, D.Pjeshka, Marku (P.Pjeshka 68’), Diavara, Selimi (Kobian 61’), Oshafi (Shkurtaj 68’), Ememe; (Në dispozicion: Qarri, Hasa, Kacbufi, Murataj, Hoxhaj, Adem). Trajner: Andrea Agostineli
ERZENI: Dema, Gjoni, Juri, Baruti, Shani (Diallo 12’), Isteri, Bespalla, Akibu, Migone, Oulare (Lajthia 57’), Kola (Duraku 69’); (Në dispozicion: Arevalo, Çillambo, Marinaj, Shehu, Xheka, Brahja, Zeneli). Trajner: Ergys Luga
Kartonë të verdhë: Kaloshi 79’/Oulare 54’, Baruti 57’, Akibu 79’
Gjyqtarë: E.Rusta, D.Kapxhiu (Durrës), R.Jahja (Elbasan)
Vëzhgues: Klajdi Kola (Tiranë)
Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)
Pikantet
Dëmtimi i Shanit krijon ankth dhe frikë në Vlorë
– Ankth dhe frikë në stadiumin Flamurtari të Vlorës. 21-vjeçari Keslin Shani u përplas me një mbrojtës të Flamurtarit në dyluftim e sipër dhe ra në fushë. Menjëherë të dyja stafet mjekësore shkuan pranë lojtarit, por konstatuan se ishte pa ndjenja dhe se kishte marrë një goditje pas koke. Autoambulanca bëri transportimin e tij drejt spitalit dhe loja u ndërpre për 15 minuta, por në këtë kohë të gjithë ishin në ankth si stafet teknike dhe lojtarët. Fatmirësisht nuk rezultoi dëmtim serioz, pasi Shani u rikthye në pjesën e dytë në stadium, ku qëndroi në pankinë, ndërsa ishte i fashuar në kokë.
– Ndeshja me Erzenin dje është luajtur nën temperatura të larta. Koha e bukur dhe me diell kishte joshur tifozët në stadium, që dje ishim më shumë se zakonisht.
– Flamurtari dje kishte veshur fanellat karakteristike kuqezi. Ndërsa Erzeni ato me ngjyrë të bardhë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"