Fokusi te mbrojtja, korçarët e Gvozdenoviç pësojnë shumë
Për t’u kthyer te fitorja Skënderbeu duhet të shënojë të paktën një gol, por më parë duhet të rregullojë lojën mbrojtëse për të mos pësuar. Pas 7 ndeshjeve të para të kampionatit, skuadra juglindore ka një nga mbrojtjet më të dobëta, bashkë me Bylisin dhe Teutën.
Që të tria këto skuadra kanë pësuar nga 11 gola dhe ky është një element ku pa dyshim trajneri Ivan Gvozdenoviç ka përqendruar punën e vetë këto ditë. Duke qenë se përballë do të jetë Egnatia, një skuadër me eksperiencë që të ndëshkon në çdo moment, përtej luhatjeve që ka pasur këto javë, stafi teknik i Skënderbeut duhet të gjejë strategjinë e duhur për të mos marrë gol.
Përkrah kapitenit Prençi pritet të luajë Vaskez, kolumbiani që ka bërë një paraqitje të mirë dhe madje ka shënuar edhe një gol. Korçarët mund të bëjnë një ndryshim edhe në krahun e djathtë të prapavijës, që shfaqi probleme serioze në ndeshjen me Tiranën, ku të dy golat e pësuar erdhën pikërisht në atë krah. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka edhe një seancë të fundit për ta përgatitur sfidën me kampionët në fuqi, ku mbrojtja do të ketë një rol vendimtar në rezultat.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"