FORMACIONI/ Duartrokitje për Kumbullën në stërvitjen e fundit, Silvinjo mendon një ndryshim
Pas konferencës zyrtare për shtyp të trajnerit Silvinjo dhe mesfushorit Kristjan Asllani, Kombëtarja zbriti dje në fushën e “Air Albania”-s dhe kreu seancën e fundit stërvitore. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen kundër Gjeorgjisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
SEANCA- Lojtarët u lanë të lirë fillimisht, duke ngrohur muskujt dhe duke pritur sinjalin e Silvinjos. Atmosfera ishte tepër pozitive dhe kjo u pa qartë edhe në humorin e skuadrës. Lojëra dhe duke ngacmuar njëri-tjetrin, trajneri i mbledh si gjithmonë në mes të fushës të gjithë lojtarët, për të mbajtur një fjalim të shkurtër.
Ndërkohë në atë moment, Marash Kumbulla po ndërronte këpucët e tij dhe u vonua disi. Sapo u bë gati ai vrapoi për në qendër, por me shaka i gjithë ekipi e priti me duartrokitje. Më pas lojtarët vijuan me ushtrimet e udhëzuara dhe seanca stërvitore e Kombëtares zgjati rreth një orë, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje. Në mesin e stërvitjes, mbërriti edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ndoqi nga afër ekipin.
TITULLARËT- Formacioni fitues nuk lëvizet. Nuk dihet nëse është ky rast sot për Silvinjon, por në konferencën për shtyp trajneri nuk dha ndonjë sinjal për ndonjë ndryshim në lojtarët që do ta nisin nga minuta e parë ndeshjen me Gjeorgjinë. Ndryshe nga Ukraina, rivalët e sotëm kanë një tipologji tjetër loje dhe mbetet për t’u parë qasja që do të kenë kuqezinjtë në fushë, por gjithashtu edhe futbollistët që braziliani do të zgjedhë.
Ky është një formacion i mundshëm, pasi trajneri është munduar të jetë “hermetik” në këtë pjesë dhe mundësia është e madhe që të zgjidhet i njëjti formacion si me Ukrainën, me vetëm një ndryshim të vogël, Balliu për Hysajn, që është edhe një dilemë.
Në portë do të jetë sërish Tomas Strakosha, ndërsa në qendër të mbrojtjes do të vendosen Marash Kumbulla dhe Ardian Ismajli, ndërsa në të majtë Mario Mitaj. Në krahun e djathtë Hysaj mbetet i avantazhuar, por nuk përjashtohet edhe Balliu nga fillimi.
Mesfusha me Asllanin, Ramadanin dhe Laçin, ndërsa përpara Asani, Manaj dhe Bajrami.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"