FORMULA 1/ Nga Shumi në 98-ën te Sainz, kur guximi shpërblen Ferrarin
Ferrari shënoi një të diel magjike në garën e shtëpisë në Monza, falë një strategjie të rrezikshme por të suksesshme. Sharl Lëklerk u tregua fantastik në drejtim duke marrë një triumf, që mban gjithashtu firmën e zgjedhjes fituese nga skuaderia.
Vendimi për të vendosur garën në një ndalesë të vetme rezultoi vendimtar, duke mos u dhënë shans makinave MekLaren, të cilat zgjodhën të bënin dy ndalesa. Një ide e rrezikshme, siç e shpjegoi edhe vetë drejtori i ekipit, Frederik Vasër, por e realizuar në mënyrë perfekte, duke befasuar Oskar Piastrin dhe Lando Norrisin. Por kjo nuk ishte hera e parë që skuadra italiane ka gjetur rrugën e suksesit në Formula 1, falë një plani të rrezikshëm. Këtu ju zbulojmë pesë precedentë historikë në zgjedhjet e guximshme të skuadrës italiane.
HUNGARI 1998, REKORDI I SHUMAKERIT
Të fitosh duke startuar nga vendi i tretë në një cirkuit ku është e vështirë të parakalosh: një mision i arritur nga Mikael Shumaker dhe Ferrari në Çmimin e Madh të Hungarisë 1998. Ky sukses erdh falë një strategjie të ndryshuar drejt mesit të garës, kur gjermani u gjend pas makinave MekLaren të drejtuara nga Mika Hakinen dhe David Kulthard. Skuadra italiane zgjodhi një garë me tri ndalesa, krahasuar me dy të kundërshtarëve. Për t’ia dalë, në pit stop-in e dytë, Ferrari futi më pak karburant, duke e bërë makinën më të lehtë. Kështu, me xhiro të shpejta njëra pas tjetrës, Shumaker kaloi në epërsi, duke krijuar diferencën e nevojshme të sigurisë për të qëndruar përpara edhe pas ndalesës së tij të tretë dhe të fundit. Intuita e drejtorit teknik Ros Braun përmbysi një garë me një rezultat që dukej se ishte i shkruar.
JAPONI 2000, SHAH MAT
Fitimi i titullit të parë me Ferrarin ishte një sukses për Mikael Shumakerin. “Match piont”-i në atë sezon bashkoi klasin e tij dhe intuitën e skuaderisë. Në Japoni, në raundin e parafundit të Kampionatit Botëror 2000, gjermani u parakalua në fillim nga rivali Mika Hakinen. Finlandezi i MekLarenit dukej në gjendje për t’ia shtyrë festë e titullit botëror Shumakerit, por lëvizje e skuadrës së kuqe e përmbysi gjithçka. Kur Hakinen u kthye në bokse për ndalesën e dytë, Shumakeri rriti ritmin për tre xhiro, duke hapur një hendek të madh që i shërbeu për të konkretizuar parakalimin pas ndalimit të tij në pit stop. Gjermani menaxhoi tentativën e dëshpëruar të Hakinen për të rikuperuar dhe fitoi kështu titullin e tij të parë me Ferrarin në Formula 1, i treti në karrierën e tij.
FRANCË 2004, KATËR NDALESAT
Në Manji-Kur 2004, Ferrari shkroi një faqe në historinë moderne të Formulës 1. Në atë periudhë asnjë ekip nuk kishte fituar një garë në një pistë të thatë me katër ndalesa. Por ajo e pamundura u bë e mundur në Çmimin e Madh të Francës falë një paraqitje mjeshtërore të Mikael Shumakerit. Strategjia u ndryshua gjatë garës duke pasur parasysh vështirësitë në parakalimin e Renaultit të drejtuar nga Fernando Alonso, me francezët që synonin një garë me tre ndalesa. Në gjysmë të garës, skuadra e kuqe zgjodhi dy ndalesa shumë të shpejta në pit stop, duke lejuar një qëndrim me një makinë më të lehtë. Shumaker krijoi kështu hendekun e nevojshëm për të qëndruar përpara pas ndalimit të tij të fundit në pit stop, duke anuluar kështu performancën e shkëlqyer të Alonsos.
MALAJZI 2015, FETEL SHTANG MERCEDESIN
Sebastian Fetelit iu deshën dy gara për të fituar zemrat e tifozëve të Ferrarit. Fitorja e tij në Malajzi në vitin 2015 ishte e bujshme, e para në Formulën 1 me ekipin nga Maranelo. Suksesi në Sepang mbërriti duke shtangur Mercedesin që dukej se po shkonte drejt një dopiete të thjeshtë. Skuadra italiane shfrytëzoi futjen e “Safety Car” në xhirot e para, duke mbajtur Fetelin në pistë, i cili menaxhoi gomat në mënyrën më të mirë, ndërsa Luis Hamilton dhe Niko Rosberg u kthyen në bokse për të vendosur goma të forta. Ferrari e thirri gjermanin menjëherë më pas, duke zgjedhur gomat mesatare. Me një zgjedhje më efikase, Fetel realizoi fillimisht parakalimin ndaj Rosbergut dhe më pas ndaj Hamiltonit në gjysmë të garës, duke siguruar triumfin.
SINGAPOR 2023, KRYEVEPËR E SAINZIT
Disa gara Formula 1 ngjajnë me lojëra të vërteta shahu. I tillë ishte edhe Çmimi i Madh i Singaporit në vitin 2023. Një garë emblematike, e fituar nga Ferrari me Karlos Sainzin. Pas “pole position”, spanjolli kryesoi garën, i ndjekur nga Xhorxh Rasëll dhe Lando Norris, ndërsa shoku i tij i skuadrës Sharl Lëklerk humbi kohën të çmuar pas një ndalese në bokse, duke u gjendur i katërti, përpara Luiss Hamiltonit. “Treni” vazhdoi në mënyrë kompakte derisa makina virtuale e sigurisë u ndez nga tërheqja e Esteban Okonit, drejt gjysmës së garës. Mercedesi i thirri pilotët për të vendosur goma të reja, por u frenuan nga mbrojtja e Lëklerkut, duke e vonuar afrimin me kreun. Sainz e menaxhoi hendekun në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përdorur Norrisin si një aleat të pavullnetshëm për t’u mbrojtur nga sulmet e Mercedesit. Një gabim nga Rasëll në xhiron e fundit i mbylli llogaritë, me Karlos Sainzin që fitoi një garë të paharrueshme.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"