FORMULA 1/ Norris shkëlqen në Singapor, fiton para Vershtapen dhe shkurton diferencën nga kryesuesi i kampionatit
Kampionati i Formula 1 mund të cilësohet i hapur përsëri, pasi makinat MekLaren po tregohen më të forta se ato Red Bull dhe Lando Norris ka fituar duke shkurtuar përsëri diferencën nga Maks Vershtapen i cili kryeson kampionatin. Sot anglezi fitoi Çmimin e Madh të Singaporit duke u konfirmuar në një formë të shkëlqyer, edhe pse Vershtapen limitoi humbjet me vendin e dytë në renditje.
Ashtu siç pritej, Norris ishte i pakapshëm nga të tjerët, duke krijuar menjëherë diferencën dhe duke mos i lënë kohë rivalëve. Të vetmet momente ku ai ishte në dyshim, ishin ato kur me një diferencë mbi 25 sekonda në kryesim, rrezikoi më kot të përplasej me muret e pistës.
Sizzling pace under the Singapore lights 🔥@LandoNorris cruises to a third career win 👏#F1 #SingaporeGP pic.twitter.com/X9xeaYcQTT
— Formula 1 (@F1) September 22, 2024
Vershtapen ndërkohë u shfaq shumë i lumtur në fund të garës me vendin e dytë, në një moment kur makina e tij nuk është se po shkëlqen. Ai minimizoi dëmet në garë pasi së shpejti pritet të bëhen modifikime në njëvendshen e tij dhe do t’i lejojnë të administrojë më mirë në 6 garat e fundit avantazhin prej 52 pikësh që ka në renditje.
Vendi i tretë i shkoi Piastrit, i cili u konfirmua si një pilot me shumë perspektivë, pasi di të shfrytëzojë në maksimum potencialin aktual të makinave MekLaren, të cilat janë shkëputur në vendin e parë në renditjen e konstruktorëve.
E katërta ishte makina Mercedes e Rasëll, ndërsa Lëklerk me Ferrari doli i pesti, i penalizuar nga kualifikueset e dobëta që bënë të nisej nga vendi i 9. Hemilton doli i 6-i, i ndjekur nga Sainz, Alonso, Hulkenberg dhe Perez të cilët plotësuan zonën e pikëve.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"