FORMULA 1/ Provat e lira në Bahrejn, Hamilton shkëlqen me Mercedesin
Formula 1 ka ndezur zyrtarisht motorët për Botërorin 2024, teksa dje janë zhvilluar dy sesionet e provave të lira të vlefshme për Çmimin e Madh të Bahrejnit. Dita e parë në Sakhir u mbyll nën shenjën e Mercedesit, teksa ishte Luis Hamilton ai që fiksoi rezultatin më të mirë.
Piloti britanik regjistroi kohën më të shpejtë në sesionin e dytë, duke e ndalur kronometrin në 1:30.374, për të lënë pas shokun e skuadrës, Xhorxh Rasëll (+0.206). “Është befasuese ta shohim veten kaq lart, por nuk duhet ta bëjmë hapin më të madh se mundësitë tona.
Për sa i përket asetit të përgjithshëm jemi larg Red Bullit, por jemi afruar shumë në xhiron teke”, deklaroi ndër të tjera Hamilton pas ditës së parë të provave. Fernando Alonso konfirmoi bazën e mirë startuese të makinës Aston Martin duke plotësuar podiumin virtual me 286 të mijta nga kreu përpara pilotit të Ferrarit, Karlos Sainz, i katërti, me 395 të mijtë pas britanikut që do ta zëvendësojë në sezonin e ardhshëm te “kokëkuqja”.
Një hap mbrapa për MekLarenin, me vendin e pestë të Oskar Piastrit, ndërsa Maks Vershtapen ende nuk i ka zbuluar “kartat” e tij, duke e mbyllur sesionin e dytë të provave në vend të gjashtë me 477 të mijtat larg kreut.
Niko Hulkenberg i skuadrës Haas dhe Lans Stroll me njëvendëshen e tij Aston Martin bënë një hap të mirë përpara, duke i paraprirë pilotit tjetër të Ferrarit, Sharles Lëklerk. Monegasku (+0,739) nuk shkoi më shumë se vendi i nëntë, ndërsa Red Bulli tjetër, i drejtuar nga Serxho Perez kompleton dhjetëshen e parë të renditjes në provat e lira 2.
Pas shkëlqimit në sesionin e parë, pilotët e RB Honda, Daniel Rikardo dhe Iuki Tsunoda nuk shkuan më shumë se vendi i 12-të dhe 15- të në sesionin e dytë. Sot në orën 13:30 do të jetë radha për sesionin e tretë, ndërsa në 17:00 do të mbahen kualifikueset.
Ndërkohë Çmimi i Madh i Bahrejnit, që do të ngrejë edhe siparin e Botërorit 2024 do të ndezë semaforët jeshilë të shtunën në orën 16:00.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"