“Fshiu” mungesën e Shkurtajt në fushë, Oshafi: Privilegj të luash për Flamurtarin, ngjitemi në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 13:20

“Fshiu” mungesën e Shkurtajt në fushë, Oshafi: Privilegj të luash për Flamurtarin, ngjitemi në elitë

Aldrit Oshafi po spikat në Vlorë. 24-vjeçari u bë pjesë e kuqezinjve në verë dhe po bën detyrën si në miqësore dhe në ndeshje zyrtare. Shtatlarti beratas me një eksperiencë në skuadra të njohura si Besa, Luftëtari, Teuta, Tomori, apo edhe Malisheva e Kosovës, ka ardhur te Flamurtari për të dhënë kontributin e tij për ngjitjen në Superiore.

OSHAFI DUKE FESTUAR GOLIN

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se dëshiron të shënojë sa më shumë. Sulmuesi i qendrës në ndeshjen me Vorën hapi serinë e golave, si dhe e zëvendësoi mjaft mirë Vasil Shkurtajn, që mungoi për arsye dëmtimi. Oshafi zbulon se grupi i lojtarëve është shumë i shoqërueshëm, por më shumë qëndron me Ariol Kaloshin.

Oshafi, si po të duket aventura te Flamurtari?
Të them të drejtën, jam shumë i kënaqur. Në Vlorë ndihem shumë mirë në të gjitha aspektet. Ambienti është shumë i mirë dhe jam ambientuar shumë shpejt. Kjo ka ardhur falë ngrohtësisë së grupit që kemi.

E kishe menduar ndonjëherë se do të ishe pjesë e këtij klubi?

Nuk e kam menduar, por dëshira ka qenë e madhe. Flamurtari i ka dhënë tonusin futbollit shqiptar. Falënderoj presidentin Idrizi për mundësinë që më dha. Është privilegj që të mbaj veshur ngjyrat kuqezi dhe njëkohësisht një përgjegjësi e madhe, që më motivon më shumë.

Pas fitores me Vorën, si është atmosfera në skuadër?

Jemi të lumtur dhe atmosfera është shumë pozitive dhe entuziaste, por tani të gjithë jemi të fokusuar te ndeshja e radhës me Kukësin. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një.

Me Kukësin në transfertë, si e shikoni këtë përballje?

Ne po i marrim ndeshjet një e nga një dhe duhet të jemi të përulur dhe aspak euforikë. Kukësi është ndeshja e radhës dhe patjetër duhet të marrim maksimumin nga kjo transfertë.

Shënuat me Vorën, por edhe në miqësore. Si ndihesh me këtë ecuri?

Qëllimi im është që të realizoj në çdo ndeshje. Sa herë të më jepet mundësia do të mundohem të jap maksimumin. Dua të shënoj sa më shumë të jetë e mundur për ekipin e Flamurtarit.

Ndaj Vorës e bëtë rolin e Shkurtajt. Si u ndjetë në atë pozicion?

Nuk kam koment për këtë. Unë luaj kudo që të jetë e nevojshme dhe jam aty që të jap maksimumin tim.

Objektivi është madhor, mendoni se e arrin Flamurtari në fund?

Me grupin që kemi objektivi është më se i arritshëm. Ne e dimë që duhet shumë punë dhe djersë për të çuar Flamurtarin aty ku e meriton, që të jetë dhe ku e ka realisht vendin.

Me kë shoqërohesh më shumë nga shokët te Flamurtari?

Grupi është shumë i afrueshëm dhe të gjithë shkojmë shumë me njëri-tjetrin, por unë më shumë qëndroj dhe shoqërohem me Ariol Kaloshin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"