Fusha la në hije fitoren e Kosovës. FFK-ja reagon pas akuzave, gati të heqë dorë nga menaxhimi i “Fadil Vokrrit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2023 | 21:00

Fusha la në hije fitoren e Kosovës. FFK-ja reagon pas akuzave, gati të heqë dorë nga menaxhimi i “Fadil Vokrrit”

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate pas akuzave të shumta që i janë bërë lidhur me gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Ndonëse e ka nën menaxhim stadiumin më të madh në vend, FFK-ja ka refuzuar ta marrë barrën për gjendjen e fushës. Madje Federata ka shprehur gatishmëri për të hequr dorë nga menaxhimi i stadiumit në Prishtinë, nëse “vazhdohet me një neglizhencë të tillë të institucioneve ndaj këtij problemi”.

fushaaaa

Të dielën mbrëma e të hënën ka pasur kritika të shumta për gjendjen shumë të keqe të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Një lojtar i Izraelit e krahasoi atë me “stallë derrash”. Të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri” u luajt ndeshja Kosova – Izraeli. Fitore shënoi Kosova me rezultatin 1:0. Por fusha ishte e mbuluar me lloç dhe gjendja e saj ka shkuar duke u rënduar gjatë ndeshjes.

FFK-ja ka pranuar se gjendja e fushës ka lënë në hije fitoren e vlefshme.

“Gjendja e fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen e mbrëmshme Kosovë – Izrael la nën hije fitoren dhe paraqitjen e angazhimin e shkëlqyeshëm të djemve tanë dardanë. Shumëkush nuk ngurroi që shigjetat për gjendjen e fushës t’i hedhë në një drejtim. Por është e rëndësishme të theksohet se ky stadium nuk është pronë e FFK-së dhe kjo ka sjellë sfida të mëdha financiare për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tij”, thuhet në fillim të komunikatës së FFK-së.

Sipas “koha.net”, Federata e Futbollit është arsyetuar se stadiumin e mori nën menaxhim kur ai ishte në gjendje të mjerueshme. Ka shkruar se punëtorët që ishin të angazhuar nga Komuna nuk ishin paguar për muaj të tërë deri kur Federata mori përgjegjësinë edhe për punëtorët.

“FFK-ja nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti. Askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativ”, ka shkruar Federata e Futbollit.

Sipas komunikatës, bari i fushës në “Fadil Vokrri” është konsumuar dhe është i domosdoshëm reagimi i plotë për riparimin e fushës. Sipas FFK-së, deri më tani nuk është lejuar intervenimi i plotë në fushë. Por nuk është bërë e ditur se nga kush nuk është lejuar.

Federata është arsyetuar që në stadium kanë luajtur Ballkani e Prishtina dhe se ditëve të ardhshme do të luajnë edhe shumë ekipe përfaqësuese të Kosovës e më pas sërish Ballkani.

“Nuk ka askund në botë ndonjë stadium që do të mund t’i bënte ballë një kalendari kaq të ngjeshur të ndeshjeve, aq më parë kur dihen edhe kushtet atmosferike që mbretërojnë në vendin tonë në një periudhë të këtillë”, është arsyetuar FFK-ja.

Sipas Federatës, menaxhimi i fushës kushton mbi 100 mijë euro në vit. Federata thotë se askush nuk kujdeset për dëmet që bëhen në stadium, pos asaj. FFK-ja ka paralajmëruar se fusha do të jetë në gjendje të keqe edhe në javët e muajt e ardhshëm.

“Ndonëse nuk ka pronësi mbi stadiumin, FFK-ja është e gatshme që ta realizojë projektin me bari hibrid, por meqenëse tani nuk premton koha e nevojshme prej dy muajsh për një gjë të tillë, ka angazhuar kompani private me ekspertë për ta mirëmbajtur në mënyrën më të mirë të mundshme fushën aktuale dhe do të bëjë çmos që ta rikëndellë atë për aq sa ekzistojnë mundësitë. Mirëpo, me një kalendar të tillë të ngjeshur të ndeshjeve është e pamundur që fusha të jetë në gjendjen optimale”.

Për më tepër, FFK-ja është e gatshme të heqë dorë nga menaxhimi i stadiumit dhe menaxhimin t’ia lërë Komunës apo ndonjë pale tjetër të interesuar, nëse “vazhdohet me neglizhencë të institucioneve”. Por FFK-ja ka lënë të kuptohet se në një situatë të tillë do të rrezikohej që ndeshjet e Kosovës të luhen jashtë vendit.

FFK-ja vlerëson se lojtarët e Kosovës nuk kishin përkrahjen e duhur. Ka shprehur keqardhje që lojtarët nuk janë lavdëruar për paraqitjen që kishin në fushën e rënduar.

“FFK-ja do të vazhdojë të japë maksimumin për përmirësimin e infrastrukturës sportive, por pa dyshim se në këtë objektiv është e nevojshme edhe ndihma e shtetit”.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në vend që i plotëson kushtet për ndeshje të kupave evropiane dhe të përfaqësueseve seniore. Gjendja e fushës në “Fadil Vokrri” është bërë lajm ndërkombëtar të dielën dhe të hënën. Fitorja ndaj Izraelit mbeti disi në hije të gjendjes së fushës, ndërsa pamjet e lloçit janë vlerësuar imazh shumë i keq për vendin.

PANORAMASPORT.AL    

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"