“Futbolli shqiptar nuk prodhon, po mbarojnë edhe veteranët”, Vasil Ruci: Flamurtari i elitës të nisë punë nga janari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2024 | 11:14

“Futbolli shqiptar nuk prodhon, po mbarojnë edhe veteranët”, Vasil Ruci: Flamurtari i elitës të nisë punë nga janari

Vasil Ruci nuk e vë në dyshim, Flamurtari ngjitet në fund të sezonit në Superiore. Për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat thotë, se klubi ka afruar lojtarë me personalitet që nuk e pranojnë humbjen. Ruci këshillon: për elitën të mendojnë që në janar.

demollari, taho, ruci

Ai i druhet vetëm euforisë. “Unë pretendoj se merkato është bërë shumë e mirë. Në fushë kanë lojtarë me personalitet dhe që nuk e pranojnë humbjen. Nuk është e lehtë, por është kollaj e mundshme që Flamurtari të jetë në Superiore. Ne do të jemi në elitë dhe unë jam 100% i bindur për këtë. E vetmja këshillë që unë mund të jap për këtë Flamurtar është se strategjia për Superioren duhet të fillojë që në janar. Në përgjithësi, në verë është shumë e vështirë që të gjesh lojtarë. Planifikohen që në janar ato mbushje apo ato… Të fillojë nga janari plotësimi i gjërave, pasi ky vit kalendarik do të ketë ndonjë mangësi brenda fushës. Në përgjithësi, ekipet tona i bëjnë afrimet në verë. Ekipi për Superiore ndërtohet që tani. Duhet të mendojnë që në dhjetor për pjesëmarrjen në elitë.

Nuk mendohet në verë për ngjitjen. Shpesh vete blen bajame në pazar dhe shyqyr që del e hidhur e para dhe 9-të të tjerat dalin të mira. Ka raste që ha 9-të të mira dhe e 10-ta të del e hidhur dhe detyrimisht helmohesh. Kështu që Vlorës i doli e para e hidhur dhe të tjerat i ka të mira. Unë besoj se do të ngjiten dhe as diskutohet. Arsyeja është e thjeshtë, sepse në atë lloj kategorie, 2-3 ekipe janë konkurrente me Flamurtarin, pjesa tjetër është për mbijetesë. Besoj se këtë radhe duhet të hyjnë, por unë e kam tek euforia. Nuk duhet që ta kenë… Euforinë e kemi pak ne. Megjithatë, ata njerëz janë mësuar të luajnë edhe në fusha më të vështira. Ka personalitete që e zgjidhin ndeshjen. Ka lojtarë me aftësi të tilla që edhe në këto fusha e mbajnë ekipin në tonus”, shprehet Ruci.

LIGJI PËR SPORTET

Vasil Ruci thekson se problematikat në futbollin shqiptar zgjidhen vetëm me ligjin e sportit. Sipas tij, futbolli në Kosovë është më i zhvilluar. “Për mua, futbolli nuk ka ecur po ta krahasosh me Kosovën. Ata bënë një ligj që e ndihmon shumë futbollin, ligjin e sponsorizimit edhe ligji i privatizimit. Në Shqipëri po nuk filloi të funksionojë ligji i privatizimit, ligji i sponsorizimit dhe të deklarohen të ardhurat, them se do të mbetemi në këto stade. Nuk besoj se do të rritemi shumë. Fatkeqësia është kjo, se ne na pëlqenin që në ekipin Kombëtar të shkonin futbollistë, por edhe trajnerë.

Por pa pasur kampionat shqiptar me futboll jo të fortë dhe të mirë, detyrimisht kështu do të mbetemi. Kombëtarja do të jetë e përbërë me disa lojtarë nga jashtë shtetit, ndërsa kampionati ynë nga disa të huaj që vijnë këtu për të marrë lekët. Nuk kemi as prodhim vendës, por nuk kemi as veteranë tani, se po na mbarojnë”, thotë duke qeshur Ruci, teksa shton: “Nëse nuk privatizohet futbolli, detyrimisht edhe akademitë do të jenë vullnetare. Do vijnë të paguajnë dhe do të mundohen që të zënë vetëm rrogën e trajnerit. Janë disa gjëra që janë të vështira. Parimet bazë janë pastërtia financiare dhe ligji i privatizimit, që detyrimisht do ta ngrenë këtë kampionat”..

BATUTA

Pyetjes nëse ka të rinj që kërkojnë të stërviten nga Vasil Ruci, ai i përgjigjet: “Në Vlorë janë të gjithë trajnerë, më vjen keq! (qesh) Bëj shaka, por në Vlorë ka shumë të mirë. Madje, mua më ka rastisur edhe kur kam punuar aty që vinin pyesnin. Arsyeja është se ata kanë kuptuar që unë nuk kam dashur ta bëj kurrë trajnerin, por besoj se u ka vlejtur ndonjë mendim që u kam dhënë për futbollin. Ka pasur djem plotë”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"