“Futbollisti që la sportin në kulmin e shkëlqimit”, enigma që mori me vete Agim Murati! Pasuria modeste, një apartament dhe një biçikletë kineze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 23:00

“Futbollisti që la sportin në kulmin e shkëlqimit”, enigma që mori me vete Agim Murati! Pasuria modeste, një apartament dhe një biçikletë kineze

SAMI GUZINA/ Shijakasi “mreti i ajrit”. Kjo nuk është gjetja ime, por të tillë e bëri Agim Muratin përkushtimi, loja, këmbëngulja, finesa, golat që “detyruan” gazetarët, tifozët e kolegët e tij, madje dhe kundërshtarët e portierët ta cilësonin kësisioj.

agim murati

Rreth dy muaj para se të ndahej nga jeta, në një ditë të nxehtë të mes korrikut 2005, isha para Liceut Artistik, duke këmbyer një cigare me një koleg të vjeter, kur dëgjoj një zë nga pas:

– Oooo shef Samiu, ku je o katnar Shijaku?

Kthej kokën e pranë meje ndaloi biçikletën duke ngjeshur pedalin në trotuar e paçka se ishte ora 9 e mëngjesit, djersa mbi një triko rozë kishte filluar të bulëzonte. U përqafuam si miq të vjetër.

E prezantova me kolegun tim. Ai shprehu haptazi habinë për thjeshtësinë e gjigandit të dikurshem të stadiumeve tona.

-Po ti kaq me ngut?

– Kemi mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës( Asokohe federata e kishte selinë mbi Ambasadën Amerikane). Për ta ngacmuar i them:

– Biçikletën e merke për fizkulturë e benzinë e ke lënë në hije të pallatit. U kthye nga kolegu im për ta sqaruar:

– Mos e nigjo Samiun, ky është “Benz”-i im prej 12 vitesh, kisha një tjetër më të mirë, por ma vodhën.

Ky ishte takimi i fundit me ish-shokun tim të gjimnazit e me pas përmbi 30 vite në Tiranë. Me 15 shtator të 2005-s, pas një leuçemie akute u nda papritmas nga jeta, në moshën më të mirë, vetëm 52 vjeç. Ishte një bombë për mua e miqtë e tij të panumërt, shijakas, partizanas e kudo.

PINJOLL I DINASTISË MURATI

Agim Murati u lind në Shijak në mars të vitit 1953. Në gjimmnazin e Shijakut ishte dy vjet pas nesh. Vjen nga një familje futbollistësh të njohur në Shijak, i katërti nga dinastia Murati që veshi fanellën e Erzenit që 14 vjeç. Por, Agimi kishte lindur me “këmishë” se në moshën 17-vjeçare “rrëmbehet” nga Partizani…

Ekipi i parë i Erzenit e grumbulloi që në moshen 17-vjeçare nga të rinjtë. E po atë vit, u bë i përhershëm në formacion. Pas disa muajsh, Partizani bën një ndeshje miqësore me Erzenin. Pikërisht aty, të madhit Loro Boriçi i bie në sy djaloshi thatanik, por që me nuhatjen para porte, Loros i “plotësoi” parametrat. Pasi i merr emrin shënim, sapo kthehet në Tiranë “urdhëron” që shijakasi të vijë te të kuqtë.

Ku te të kuqtë? Të mblidhte topat pas porte? Aty ishte mbreti Pano me kompani. Ani! Të nesërmen pasdite, Agimi zbarkon në klubin legjendë pa i shkuar kurrë ndërmend se do bëhej dhe vetë legjendë.

-Ja klubi djalosh. Këtu do stërvitesh, do flesh e do ushqehesh. Boriçi thuajse i përshpërit në vesh me dorën në sup.

– Po shkolla? Guxoi të ngrinte kokën, Agimi. –

Ah, po! Do të rregullojmë në shkollën “Skenderbej”, të vazhdosh direkt në vitin e tretë – i thotë trajneri i ardhshëm, duke menduar më të mirën për të.

– Jo, nuk shkoj atje. Unë dua të përfundoj gjimnazin….

– Epo mirë, tash po të fusim në “Qemal Stafa”, se e kemi dhe ma afër…. Të nesërmen vjen një nënoficer me makinë për ta çuar në shkollën “Skenderbej”, siç dukej ashtu ishte biseduar në klub apo në Ministrinë e Mbrojtjes. Agimi nuk pranoi kurrsesi të hipte në makinë, duke bërtitur “se profesor Loro më ka premtuar gjimnazin”. Nënoficeri ikën nga klubi e pesë minuta pas tij dhe Agimi ia mbath me çantën e sportit në sup për në Shijak. Në stërvitjen e pasdites Loros i bie ne sy mungesa e shijakasit dhe pyet për të. Dikush i tregon ngjarjen e paradites. Loro tund kokën e “urdhëron” që të niset makina e klubit bashkë me Refik Resmjen për të risjellë shijakasin kryeneç. … Tre muaj stërvitje intensive me VIP-at e në tetor të vitit 1971, në ndeshjen kundër Shkëndisë gjatë pjesës së dytë, Loro i thotë:

– Hajde djalosh, zhvishu! “Unë ia kisha ngulur sytë Loros duke veshtruar përreth”.

– Unë presor?! – Po, po shpejt. Do zëvendësoja Neptun Bajkon. U futa pa nxemje. Stadiumi “Dinamo” po më dukej i vogel si shkrepse. Topi i parë më rrëshqiti nga këmbët. Panajoti mu afrua, më përqafoi duke më thënë:

-O robi! Mos e çaj kokën. Mua më ka ndodhur më keq në ndeshjen e parë. Hajt, më qëndro sa më afër. “Pas dy minutash, më kroson një top nga e majta në gjysmë lartësie. Unë hidhem plonzhon, e godas me kokë dhe shtyllë! Panajoti vrapon drejt meje duke më puthur në ballë:

– E sheh, për dy centimetra do ishe futur në histori, si Gerd Myler”.

…Stadiumi oshëtiu. Tifozët pyesnin njëri-tjetrin: “Nga është ky thataniku”. Unë atëherë nuk isha as 65 kile…

I THASHË LAMTUMIRË FUTBOLLIT SE…

Ka qënë qershori i vitit 1994, në mos gaboj kur në gazetën “SPORTI” botova intervistën me titull “Murati, njeriu gol”.

Shfletova mjaft numra të gazetës “Sporti” në vitet kur Agimi bënte “namin” nëpër stadiume, bisedova me mikun tim, trajnerin e viteve kampion të Partizanit, Bejkush Birçe, me të pavdeshmin Panajot Pano, me bashkëkohesin Feim Breca…

Mezi e binda…më ftoi në shtëpi për të përzgjedhur disa foto. Aty mes grumbullit të fotografive, e pyes: – Do më thuash si shok, pse e braktise futbollin në kulmin tënd, në moshën 29-vjeçare?

Tifozët e kuq, miqtë e shumtë ( e jo vetëm) kanë të drejtë ta dinë. E latë Ju, ju la ai, apo… ( Agimi buzëqeshi hidhur, heshti disa çaste).

– Ehhhh! Psherëtiu gati me dhimbje, pastaj mu drejtua:

– Shkruaj aty. Arsye objektive…nuk ia vlen për t’u diskutuar pas kaq kohësh. Më mirë që ndodhi ashtu. Unë isha 29 vjeç. Mund të luaja dhe 2-3 vjet, por ika në atë kohë që më la emrin e mirë te sportdashësit. Pastaj u shkund e pa më vështruar në sy, rrëmbeu gotën e rakisë.

– Hajde gëzuar! Nuk ia vlen për në gazetë. Kaq është më mirë. Le te mbahem mend kështu. – Leri këto! Nuk bind asnjë me këto argumente.

– Jo, nuk ka pasur asgjë tjetër! As ai nuk mu zbraz, as Panajoti e as Bejkushi, e askush nga shokët e ekipit nuk u qartësuan kurrë. Enigmën e mori me vete

PENGU I TIFOZËVE NUK MORI PËRGJIGJE AS NGA KLUBI. NJË KRISJE E PANDREQSHME DUHET TË KETË PASUR…

Të merrje fanellën e të madhit Pano, nuk ishte pak.

Atë ditë që Pano do të linte futbollin, stadiumi ishte mbushur sikur do luanin kundër “Barcelonës”. As vetë Joti nuk më tha gjë një ditë më parë se numri i tij “10”-a do t’i mbetej Agim Muratit.

Ishte një ceremoni madhështore. Stadiumi u përlot. Panajoti hoqi bluzën, e puthi e ia veshi vetë Gimit. Stadiumi oshëtiu. E miratuan unanimisht se mjeshtri i ri do ta meritonte. S’kishte si të ndodhte ndryshe.

Të paktën nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, tifozët e Partizanit mbajnë mend dy numra “10”, Pano e Murati.

Vetëm 1 m e 78 cm e kërcyshmërinë në ajër e kishte nga më të mëdhatë në Evropë.

Vetëm 12 vjet sa për 22. Ishin gjurmë që i bënin tifozët e kuq të mos flinin gjumë. “17 Nentorit” të asaj kohe ( ato ndeshje ishin super derbi, me mbi 10-15 mijë tifozë) Murati i ka shënuar 11 gola në 9 ndeshje.

Vetëm në ndeshjen e 28.12.1980 i shënoi 3 gola për 27 minuta.

– Nga derbi i atyre viteve me “17 Nëntorin” ( Tirana sot) ku ju shënonit vazhdimisht, cilën ndeshje do veçonit?

– 16 maj 1976. Deri në orën 14:00 isha në Shijak në fejesën time. Presor Loros i kisha dhënë fjalën se do vija në ndeshjen kundër “17 Nëntorit”

Në orën 16:00, isha në stadium e 3:2 për ne. Shënova dy gola.

Pastaj të tjerëve, ehuuu. Ishte vendimtar që Partizani të fitonte 2 tituj kampionë (’77- ’78 e ’80-’81) ku ai u shpall kryegolashenues i kampionatit me 14 gola. Gjithashtu, dhe dy kupa.

Ishte tmerri i mbrojtësve e portierëve. 75 për qind të golave i ka shënuar me kokë.

“NJERIU GOL” DHE NJË KUJTIM I LARGËT. MBAJ MEND NJË NGJARJE GAZMORE PËR GOLAT E GIMIT.

Mbasi mbaroi kampionati e Partizani u shpall kampion në qershor të vitit 1978, klubi organizoi një takim me sportdashësit e vet. Takimi u zhvillua një pasdite në sallën e Estradës së Tiranës. Salla plot e përplot. Në skenë pas një tavoline të kuqe trajner Bejkush Birçe e anash tij kapiteni Safet Berisha e kryegolashënuesi Agim Murati. Atmosfera … si në stadium.

Dikur nisën pyetje nga salla. Një tifoz i drejtohet Birçes:

– Sivjet Murati nga 14 gola 10 i shënoi me kokë. Cila mbetet detyra juaj që të përmirësojë goditjet në portë?

E Birçe si lab 24 karatsh ia kthen:

– Do t?i them që këtë vit t?i shënojë të gjitha me kokë..

Në sallë shpërthyen duartrokitje. Gimi uli kokën me buzën në gaz.

GOLAT E MURATIT ME KOKË…

Ka mbetur emblematik ai kundër SELLTIK (19.08.1979).

E dy vjet para Sëlltikut, në kupë ballkanike i shënon 2 gola RJEKES jugosllave. Në kampionatin e vitit 1977 theu mitin 6- vjeçar të të madhit Ilir Pernaska si golashënues për t’u bërë tashmë ai mit.

Në moshën 19-vjeçare Loro Boriçi e grumbullon me ekipin kombëtar për të milituar kundër Finlandës e si handikap, mbase unik në Evropë, luan me Shpresën e Shqipërisë në 1974-ën pasi luan fillimisht me përfaqësuesen (turneu në Rumani).

– Ej, shoku! Sa ndeshje ndërkombëtare ke?

-Për t’u dukur shumë do të fus dhe ndeshjet ndërkombëtare me ekipin. Mbi 20, ato zyrtare. Se po të llogarisim ato miqësoret, kryesisht me kinezët, ehuu, mbi 50.

(Qesh me lot) Pastaj në moment bëhet serioz.

– Fati ynë i keq, në ato vite Shqipëria nuk mori pjesë në aktivitetet n/kombëtare.

Ishim një brez i humbur, por tepër cilësor si: Berisha (Safet), Musta, Dibra, Përnaska, Braho, Rragami, Lame, Lleshi, Hysi, Zëri, Ballgjinët, Baçi…

– Cilën ndeshje tënden e dallon si më të bukur?

– Padyshim ajo me Sëlltikun, jo vetëm për golin, por sepse përfaqësuam Partizanin dhe Shqipërinë, pas një ndërprerje të gjatë në aktivitetet evropiane.

– Momenti më i lumtur?

– Në një jetë të suksesshme sportive njeriu ka mjaft të tilla, por unë e pata një privilegj. 25 majin e vitit 1975 kur mjeshtri i madh Pano më dorëzoi me ceremoni bluzën e tij me numrin 10.

Po më i hidhuri?

– Ah, më i hidhuri? Partizani luante kundër Austrisë së Vjenës. Unë në stol i dënuar nga trajneri. Ekipi më kërkonte, e ndjeja se mund t?i ndihmoja shokët. Ata luftonin në fushë, unë vuaja në stol.

– Me sa trinerë keni punuar, cilin veçoni?

– Kam punuar me 11 trajnerë. Mbi të gjithë presor Loro, më racionali Bejkush Birçe. Prit, mos harro trajerin tim të parë te Erzeni, Sulejman Maliqati.

– Po sikur me Birçen keni pasur dhe…

– Ah, jo! Ato i përkasin punës. Nuk duhet të ngatërojmë vlerat profesionale me…

– Cilin mbrojtës të kohës suaj dalloni?

– Pa dyshim Safet Berishën. Ishte mbrojtës modern e i pastër.

– Keni luajtur pesë vite në sulm me të madhin Pano. Ndonjë kujtim të veçantë?

– Ishte ëndërr, mu realizua. Pra, nder e kënaqësi. Unë erdha te Partizani shumë i ri e te Panajoti gjeta një futbollist të madh, një njeri të pakrahasueshëm, një shok shumë dashamirës, me gjithë dyfishin e moshës mes nesh. Më mësoi, më dha gjithçka kishte e që mu desh mua, vendin në sulm, emrin e mirë e në fund dhe atë që quhej traditë e kohës, bluzën me nr 10.

RAPORTI I VËSHTIRË ME TIFOZËT.

Me Gimin bënim shpesh në ato vite rrugën me tren “Tiranë-Sukth” apo kthim. I zinim vend njëri-tjetrit. Një mbrëmje, pas një ndeshje (të cilën e kisha parë dhe unë) erdhi pas meje në tren. Ishte i mërzitur e nuk fliste.

Disa tifozë kishin shprehur pakënaqësinë për një rast të humbur ( si tërë tifozët e botës)

-Ata nuk i dinë hallet e mia ( vazhdonte Fakultetin Histori -Gjeografi, sapo ishte fejuar, babain të sëmurë në Shijak e i duhej të vinte në orar në stërvitje e të jepte rendiment maksimal në ndeshje).

-Shihe! – më afroi fytyrën e tij deri te hunda ime,- shihi shenjat që kam marë nga goditjet e kundërshtarëve. Këto janë peshqeshe që do t’i “mbaj kujtim” gjithë jetën. E një rast të humbasesh duhet të dëgjosh dhe të shara e ofendime.

… Në vitin 1999, shoqata e boshnjakëve organizoi një spektakël në pallatin e kulturës në Shijak për të nderuar 10 sportistët më të mirë me origjinë boshnjake në sportin shqiptar.

Krahas personaliteteve të tjerë të sportit (A. Dervishi, I Bellova, K. Tartari, A. Belinova etj), shefi i aeronautikës shqiptare, A. Islami, ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Tiranë z. M. Zejnullahu, ftova dhe Gimin për të nderuar ish-futbollistin e Erzenit e Teutës, Shaban Ceka. Me thjeshtësinë e tij tipike hipi në podium për t’i dhënë kupën e dhuratën e personalizuar.

U zu shumë ngushtë nga stuhia e duartrokitjeve e mezi shqiptoi falënderimin e ftesën për ne organizatorët. Pastaj në koktejlin e pas takimit mu afrua bashkë me mikun e përbashkët, basketbollistin Bujar Gashi.

Trokitëm gotat e Gimi nxitoi t’i a bënte me dorë fotografit ta shkrepte.

E kam kujtim të vyer atë fotografi.

PAK RADHË NË VEND TË EPILOGUT

Për njeriun Agim Murati e për futbollistin Agim Murati padyshim që mund të shkruaj një monografi të suksesshme.

Madje, e meriton plotësisht. Ka qenë e mbetet sportisti më i suksesshem i qytetit të Shijakut. Murati mbetet emblema e tifozërisë shijakase dhe mes futbollistëve të tjerë për vlerat e kontributin e dhënë në ekipet e tjera, përveç Erzenit si: Skënder Guzja (Labinoti), Niko Llambi (Luftëtari), Niko Bespalla (Partizani, Dinamo, Lokomotiva), Kristaq Toçi (17 Nëntori, Lokomotiva, Josif Ristani (Lokomotiva), Shaban Ceka (Lokomotiva), Agim Bulku (Shkëndia, Lokomotiva), e më të mëvonshmit e Teutës kampione, Dashi e Zalla. Agim Murati mban titullin “Mjeshtër sporti” dhe “Mjeshtër i Madh”. Ai u diplomua për sociologi ( viti 1977 ) në Fakultetin e HistoriFilologjisë e pas shkëputjes nga futbolli, punoi si kuadër ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes.

Në çdo institucion e funksion la emrin e tij të nderuar e respektuar.

Iu lindën një djalë e një vajzë. Në 12 vite me Partizanin Murati shënoi mbi 120 gola.

Rekordin e golave në një ndeshje e ka me Besën e Kavajës, 5 gola në Tiranë(1974). Ky rekord evropian u barazua pas 20 vitesh në kampionatin hungarez.

AGIM MURATI NË KUJTIMIN E TË TJERËVE

BEJKUSH BIRÇE – trajner i Partizanit: Murati si qendër e avancuar jeton shumë mirë me lojën e nuk i shmanget luftës sportive.

AGRON DUKA – ish-volejbollist i Erzenit: Kërcyshmërinë e lartë që ka pasur Agimi e ka “dhuratë” nga volejbolli. Është stërvitur me ne që i vogël. Mund të bëhej një volejbollist shumë i mirë.

ILIRJAN KRISTO (ALIAS TARDELI) – tifoz exselent i Partizanit: Murati ishte ylli ynë e tmerr i mbrojtësve kundërshtarë. Me 28.12.1980 i shënoi tri gola Tironës e të tre me kokë për 26 minuta e 13 sekonda. Të tre krosimet ishin të Bujar Hados.

BUJARR SHARRA – ish-portier i “17 Nëntorit” (Tiranës): Gim Murati të bënte gjëmën me kokë po të kërcente me trehapsh. Ai na kishte ardhur hakut thuajse në çdo ndeshje. I paharuar kujtimi i mjeshtrit Murati.

FERID RRAGAMI – ish-futbollist i Vllaznisë, Partizanit e ekipit Kombëtar: Kemi qenë tre vjet bashkë te Partizani. Djalë flori e rob Zoti. Futbollist shumë i mirë. Shyqyr që nuk e kisha kundërshtar.

ILIR LAME – ish-futbollist i Partizanit e ekipit Kombëtar: Gimi ishte “mbret i ajrit”. Ai gol kundër Sëlltikut mbetet emblema e futbollit shqiptar. Le pastaj ato kundër rivalëve tanë historikë, Tiranës. Ishte nder të luash krah tij. Ndarja në mënyrë të parakohshme na dhembi të gjithëve.

OSMAN KUSHTA – aviator. Ish-fqinjë me Muratin: Për 15 vjet e kisha komshi. Një kat më sipër. Një njeri e familjar i përsosur. Shtëpia e tij ishte gjithmonë plot. Xhamllëku njihet si zonë e tifozëve tiranas, por Gimin nuk e lejonin të kalonte pa e përqafuar. Kishte një thjeshtësi të jashtëzakonshme.

BASHKIM SEITI – ish-futbollist (1961-’76) e trajner i Erzenit( 1980-’82): Kam luajtur me Gimin rreth dy vjet. Ai sapo erdhi nga të rinjtë e unë isha veteran. Kishte një vullnet të jashtëzakonshëm, përveç talentit të lindur. Më kujtohet dhe ndeshja me Partizanin kur Loros i ra në sy. Kur isha trajner i Erzenit luante dhe Çim Murati, vëllai i Gimit, një mjeshtër në përdorimin e topit që i ka dhënë shumë ekipit të Shijakut. Vetë Agimi mbetet emblema e Shijakut.

NIKOLA SUDARI, pedagog në gjimnazin e Shijakut. Historian e publicist: Dhe një veçanti për Agimin që pakkush e di. Që në 8-vjeçare e në gjimnaz ai aktivizohej me ansamblin e Shijakut si valltar. Ishte i mrekullueshëm e si solist i parë na përfaqësoi në mjaft aktivitete. Këmbët sikur nuk i preknin skenën nën atë kostum popullor… Se ku e gjente kohën ai djalë që krahas shkollës ( nxënës shumë i mirë) merrej dhe me ansamblin, me volejbollin, futbollin….

NEXHAT GJUZI – gazetar sportiv: Ai ndaj Sëlltikut ishte një ndër golat më spektakolarë e më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

UVIL ZAJMI – gazetar sportiv: Murati ishte goleador autentik i Partizanit. Ai ishte realizues i talentuar. Ishte mbret i ajrit. Model në fushë e jashtë saj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"