Futbollisti vlonjat i verdhejeshilëve, Deliaj: Besa lë shpesh pikë në shtëpi, Lushnja gati që të përfitojë
Lushnja po kalon një moment pozitiv në kampionat dhe verdhejeshilët po përgatisin me qetësi transfertën me Besën, takim i cili do të luhet të dielën në Rrogozhinë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erion Xhafa është në zonën “play-off” dhe synimi është të ruajë profilin duke dhënë më të mirën.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, vlonjati i Lushnjës, Fjoralb Deliaj u shpreh: “Ekipi vijon të përgatitet për takimin e së dielës me Besën. Jemi shumë të motivuar, pasi vijmë pas dy fitoreve radhazi dhe fitoret të motivojnë, sidomos ajo në derbi me Apoloninë. Është një rezultat që normalisht na kënaq. Bëmë një ndeshje të mirë, ekipi luajti futboll. Një fitore që erdhi ndaj një kundërshtari të drejtpërdrejtë, për objektivat që kemi.
Mendoj se ekipi pati një moment vetëkënaqësie pas golit të dytë, ndaj dhe u rrezikuam disi. Po kalojmë një moment pozitiv, por nuk duhet të ulim vigjilencën, sepse kundërshtarët janë shumë afër me pikët. Besa? Është një ekip shumë i mirë dhe do ta kemi shumë të vështirë. Duke parë që kanë lënë pikë në fushën e tyre, po punojmë fort gjatë javës për të marrë një rezultat pozitiv në përballjen e ditës së diel”.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"