Gafë e portierit, Burreli mposht Pogradecin në frymën e fundit. Bicaj: Fati ishte me ne. Nikaj: Meritonim një pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 19:10

Gafë e portierit, Burreli mposht Pogradecin në frymën e fundit. Bicaj: Fati ishte me ne. Nikaj: Meritonim një pikë

Burreli i gëzohet fitores së parë sezonale në shtëpi, ku në “Liri Ballabani”, morën një fitore dramatike, 2-1, ndaj Pogradecit. Trepikëshi u arrit mes shumë emocionesh, ku goli i fitores erdhi në minutën e katërt shtesë pas një gabimi foshnjarak të portierit mik.

BURRELI POGRADECI

Përveç golave, ndeshja dhuroi dhe një numër të lartë kartonësh, 4 për matjanët dhe 7 për miqtë. Në të 73-ën trajneri i portierëve të Pogradecit, Anesti Lipo, për protestë ndaj gjyqtarit, u ndëshkua me karton të kuq. Të tre golat u shënuan pas minutës së 88-të.

Takimi- Ndeshja nis me vendasit në kërkim të golit por miqtë kanë rastin e parë. Ky fraksion dhuroi disa mundësi shënimi nga të dy kampet, por 45 minutat u mbyllën 0-0. Pjesa e dytë e ndeshjes është më e bukur, pas loja ka ritëm dhe fundi dramatik prodhoi 3 gola. Minuta 50, Fetaj jep një pasim të saktë për Farrukun, që brenda zonës pengohet nga një mbrojtës, por gjithçka e rregullt për kryesorin Shabanaj. Në minutat 57 dhe 68, matjanët janë afër golit, por sulmuesit, sa për nxitim dhe sa për organizimin e mirë të mbrojtjes mike nuk ia dalin. Helio mundohet të befasojë me një gjuajtje nga 20 metra, por pret portieri Beqiri.

Me kalimin e minutave shtohet presioni në portën pogradecare dhe në minutën e 88-të Farruku, shfrytëzon një top të ardhur nga krahu i majtë i sulmit nga Helio dhe shënon, 1-0 për Burrelin. Dy minuta më vonë, liqenorët mund të barazonin me Sulon, por topi i goditur me kokë del jashtë. Në minutën e dytë shtesë, Pogradeci barazon me anë të kroatit Panadiç, i cili me kokë në qendër të zonës, shtang vendasit. Kur dukej se ekipet do të ndanin pikët, në minutën e 94-t Xhakaj shënon golin e fitores. Nga distanca ai ekzekutoi një goditje dënimi, por në fund portieri Beqiri ishte i pafat pasi topi i ikën nga duart dhe i bën një “dhuratë” matjanëve. Me fitoren 2-1 Burreli shkon në 8 pikë dhe provizorisht mban vendin e dytë.

BURRELI – POGRADECI 2-1

GOLAt: Farruku 88’, Xhakaj 90+4’/ Panadiç 90+2’

 Burreli: Dani, Fetaj, Shkalla, Muriel, Helio, Xhakaj, Osikel, Hoti (Sinaj 54′), Rrapi (Aristazabal 64′), Zani (Dushkaj 64′), Farruku;(Në dispozicion: Dreshaj, Murra, Pasmaçiu, Paloka, Pjetraj, Ramos, Musolli). Trajner: Ditmar Bicaj

 Pogradeci: Beqiri, Karabatic (Mik.Pere 76′), Ivani, Vagner, Kastrati (Kasmollari 77′), Pengu, Çipi, Sulo, Raza (Hysenllari 46’), Panadiç, Beçka (Kazim 63′); (Në dispozicion: Nikolovski, Peqini, Mat.Pere, Këndezi, Topllari). Trajner: Samuel Nikaj

 Kartonë të verdhë:  Hoti, 19′, Muriel 80′, Shkalla 86′, Farruku 89’/ Ëgner 18′, Pere 20’, Ivani 38′, Kastrtati 55′, Kasmollari 83, Beqiri 90′ Panadic 90+2, Nikaj 90+4’

Karton i kuq: Lipo 73’ (staf)

Gjyqtarë: M. Shabanaj, F. Kolleshi, I. Cani (Tiranë)

 Delegat: Armando Mandro (Tiranë)

Vëzhgues: Gjergj Selala (Laç)

 

Bicaj: Fati na buzëqeshi në këtë takim

Pas fitores dramatike dhe plot emocione që Burreli mori ndaj Pogradecit, trajneri i skuadrës Ditmar Bicaj, për “Panorama Sport” u shpreh: “E rëndësishme është që morëm 3 pikët. I falënderoj djemtë për angazhimin. Futbolli prandaj është i bukur, pasi loja përfundon kur vërshëllen gjyqtari. I uroj suksese Pogradecit që në këtë ndeshje u tregua dinjitoz. Fati na buzëqeshi ne, pasi e kërkuam fitoren që në fillim të ndeshjes. Një falënderim të posaçëm kam për kryebashkiakun Agron Malaj, për mbështetjen që na ka dhënë gjatë gjithë kohës. Tashmë fitoren ndaj Pogradecit e kemi arkivuar dhe do të mendojmë për ndeshjen e radhës kundër Kastriotit në transfertë”.

 

Nikaj: Meritonim një pikë

Pogradecit i ka ikur pika nga duart në transfertën e Burrelit. Pas humbjes së befasishme, trajneri i skuadrës liqenore, Samuel Nikaj, për “Panorama Sport” u shpreh: “Është e treta ndeshje që na përndjek fati i keq. Ndaj Burrelit me meritonim minimalisht një pikë, por fati nuk ishte me ne. Do të shohim përpara që nga përballja e kësaj javë, ku në fushën tonë do të presim Erzenin. Aty do të vijë dhe kthesa jonë, që do të jetë marrja e fitores”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"