Garancia e Dajan Shehit: Vorën e keni në Superiore vitin tjetër
Në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, Vora e trajnerit Arian Bellai testoi kryesisht të rinjtë dhe alternativat në stol. Kualifikimi rezultoi një formalitet për vorakët, që mposhtën në shtëpi Gramshin me rezultat tenistik, 6-1.
Pas këtij suksesi Vora ka vijuar përgatitjet për takimin e radhës në kampionat, ku të dielën presin Lushnjën. Vorakët nuk e nënvlerësojnë Lushnjën, që është përcaktuar si një ndeshje e fortë dhe e vështirë për t’u kapërdirë. Vora po përgatitet të marrë fitoren e 7-të sezonale. Kjo është mënyra e vetme që ekipi i drejtuar nga trajneri Bellai të përparojë drejt objektivit, vendit të parë në fund të sezonit dhe ngjitjes në Superiore.
Lidhur me këtë takim, qendërmbrojtësi elbasanas, 27- vjeçari Dejan Shehi, për “Panorama Sport” deklaroi:
“Vora kurrsesi nuk mund të bëj hapa prapa, qoftë edhe një ndalesë të vogël. Në këto momente, çdo gabim na kushton rëndë. Ne jemi një ekip që kemi në përbërje lojtarë me eksperiencë, por edhe mjaft të rinj që po ambientohen dita-ditës me grupin e titullarëve. Këtë e treguan edhe në ndeshjen e Kupës kundër Gramshit. Vora është një ekip, që objektivin e caktuar do ta bëjë realitet këtë sezon. Për këtë nuk ka më dyshime, as pritje. Vorën do ta keni sezonin e ardhshëm në Superiore. Siç e kam theksuar edhe në prononcimet e tjera, Vora kundër çdo kundërshtari futet në fushë për të marrë maksimumin, që është fitorja. Shpresoj që të vijojmë rrugën tonë të pathyeshme dhe të mos ngarkohemi psikologjikisht, gjë që na shkakton edhe gabime. Ta harrojmë atë humbje në Vlorë. Skuadra jonë po i merr ndeshjet një e nga një dhe gjithmonë është e përqendruar vetëm te takimi i radhës. Unë si gjithnjë do të ndihmoj ekipin duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje”, ka përfunduar prononcimin e tij Dajan Shehi, qendërmbrojtësi i Vorës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"