Garancia e kapitenit Florenc Farruku: Burreli do të jetë surpriza e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2024 | 16:31

Garancia e kapitenit Florenc Farruku: Burreli do të jetë surpriza e Kategorisë së Parë

Florenc Farruku po justifikon më së miri besimin dhe vlerësimin e drejtuesve të klubit në prag të sezonit të ri. Ai jo vetëm është kapiteni dhe golashënuesi më i mirë i matjanëve, por me golat e tij periodik është kthyer edhe në “mace e zezë” për Flamurtarin.

farruku

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Farruku skanon ecurinë aktuale të ekipit, formën e tij, si dhe vazhdimësinë.
Burreli ndaloi sërish Flamurtarin, që i keni marrë 4 pikë dhe ju vazhdoni t’i shënoni vlonjatëve?  

Jemi mjaft të kënaqur me marrjen e këtyre pikëve, përballë një ekipi si Flamurtari që ka lojtarë mjaft cilësorë. Kjo është një shtysë për të besuar në forcën që kemi si ekip, si dhe motivim për objektivin. Adrenalina rritet kur i shënon një ekipi si Flamurtari, aq më shumë që me golat e mi jam bërë si një “mace e zezë” për ta. Në 3 ndeshjet e fundit u kam shënuar 3 gola dhe i kemi marrë 7 pikë. T’i shënosh një ekipi cilësor është kënaqësi dhe shtysë për të vlerësuar veten sa dhe si duhet. I kam të gjitha mundësitë për t’u përmirësuar.
Keni shënuar më shumë se gjysmën e golave të skuadrës. Çfarë duhet të përmirësojë Burreli dhe ju në të ardhmen?
Asgjë më shumë, thjesht të bëj detyrën time, shënimi i sa më shumë golave për skuadrën. Deri-diku ndihem i plotësuar, por jam pishman për disa ndeshje që mund të bëja më mirë. Mendoj se unë dhe skuadra duhet që çdo ndeshje ta vlerësojmë si finale dhe asgjë më tepër.
Mbani peshën e kapitenit, sa e keni justifikuar besimin e dhënë?
Peshën e kapitenit po mundohem ta mbaj me përgjegjësi duke dhënë në fushë dhe jashtë saj atë çfarë mundem. Përpiqem që ta justifikoj, por e ndjej se kam për të dhënë edhe më shumë. Kolektiviteti dhe fryma pozitive e grupit, angazhimi maksimal i stafit me në krye trajnerin Bicaj, si dhe përkujdesja e presidencës, më bëjnë optimist se Burreli do të jetë surpriza e këtij kampionati.
Burreli ka dëshmuar se është një ekip i fortë, por hera-herës ka pasur edhe luhatje. Nga se ka ardhur kjo?
Në 12 javë jemi shfaqur si ekip kompakt e me dëshirë për të arritur rezultate. Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por edhe kemi çaluar, si me Valbonën dhe Kukësin. Nuk na falen ato barazime, sepse ndeshje në shtëpi janë detyra për arritjen e objektivit. Duhet të impenjohemi, sidomos në fushën tonë dhe të marrim maksimumin e pikëve.
Në disa raste stafi dhe ju keni kontestuar vendimet e gjyqtarëve… Nuk dua të flas për pjesën e gjykimit, se nuk është detyrë e imja. Mjafton të shohim vetëm ndeshjen e fundit, që u transmetua në TV, ku na u mohua një penallti e pastër dhe një e dyshimtë për Flamurtarin.
Burreli deri tani është brenda objektivave, pasi renditet i pesti. Kampionatin e rinisi në transfertë ndaj Valbonës, çfarë prisni?

Jemi brenda objektivit. Mundësitë i kemi pasur për më lart, por kemi lënë shumë pikë, edhe në fushën tonë. Po e përsëris, nëse luhet futboll i pastër, Burreli do të jetë surpriza e këtij kampionati. Java tjetër është e ngjeshur, ku si fillim do të kërkojmë kualifikimin në Kupë ndaj Apolonisë. Me Valbonën do të jetë një “hakmarrje” dhe barazimi i fazës së parë shlyhet me një fitore.

MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"