Gashi, një Yll që mund të veshë fanellën kuqezi. Ja biseda e presidentit Duka me babain e tij
Me imigracionin e pandërprerë të shqiptarëve pas rënies së sistemit komunist, sot ata mund t’i gjejmë në çdo cep të Europës.Shumica e tyre kanë hedhur bazat dhe kanë krijuar familje, duke iu dhënë mundësinë fëmijëve të tyre që të rriten në një ambient europian dhe në rastin e futbollit, të ndjekin një akademi të mirëfilltë. Nëse FSHF bën shpeshherë seleksionime për të evidentuar talente që mund të veshin një ditë fanellën e Kombëtares, ka disa lojtarë të cilët kanë dalluar në skuadrat e tyre dhe duhet të binden për tu angazhuar edhe me moshat kuqezi.
Një prej tyre është në Gjermani, teksa prindërit janë nga Kosova. Bëhet fjalë për Yll Gashin, sulmuesin që është pjesë e moshave të Bajernit të Myhniut dhe kreu i federatës Armand Duka ka takuar personalisht babain e vet, Hashim Gashin.
“Një talent shumë i madh për mua, që luan për moshat e Bayern, Yll Gashi, është potencial për Shqipërinë. Do të zbuloj edhe një bisedë që kam bërë me futbollistin Ylli Gashi dhe babain e tij në Mynih para një muaji, i thashë që nëse ju nuk do të vendosni që Ylli të luajë për Shqipërinë, të paktën të luajë për Kosovën, që vërtet, kur të gëzojë të gëzojë shqip dhe kur të shajë, të shajë shqip”, tha Duka.
YLL GASHI- Talenti Gashi ka lindur në 17 janar të vitit 2008, ndërsa është i gjatë 178 cm. Roli i tij është sulmues qendror dhe ka një raport shumë të mirë me golin që në moshë të vogël. Ai është evidentuar nga bavarezët te Herta e Berlinit në moshën 14-vjeçare. Berlinezët kanë marrë një tarifë transferimi rreth 100 mijë euro, ndërkohë kjo shumë mund të arrijë deri në 600 mijë nëse sulmuesi një ditë do të luajë për ekipin e parë të Bajernit.
Rruga për aty nuk është aspak e lehtë, por ambientet, stafi stërvitor dhe planifikimi i kujdesshëm, janë në rëndësinë e punës për klubin gjerman. Në garën për Gashin kanë qenë edhe Çelsi, Juventus, Leverkusen dhe Dortmund. Diçka të tillë e ka konfirmuar vet babai i futbollistit në një intervistë për “Bild” kohë më parë. Gashi konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të moshës së tij. Në 13 ndeshjet e këtij sezoni, 17-vjeçari ka realizuar 11 gola dhe ka dhënë 9 asiste. Ndërkohë në total për Bajern U-17 numëron 26 gola dhe 11 asiste në 35 ndeshje. Sakaq, ai ka qenë edhe i përfshirë me ekipin U-16 dhe U-17 të Gjermanisë.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"