Gati të ofrojnë mbi 100 mln euro, Bajerni kalon Realin për talentin Virc. Ja prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 11:41

Gati të ofrojnë mbi 100 mln euro, Bajerni kalon Realin për talentin Virc. Ja prapaskenat

Bajern Mynih raportohet se ka rivendosur kontaktet me familjen e Florian Virc, me klubin bavarez që po përgatit një lëvizje për yllin e Bajer Leverkusen verën e ardhshme. Lideri i “Aspirinave”, Virc, është identifikuar si objektivi kryesor i gjigandëve nga Mynihu për afatin kalimtar të verës, sipas “Sport Bild”.

virc

KONTAKTI ME FAMILJEN – Pasi ka kontaktuar fillimisht me familjen e Florian kur ai ishte vetëm 13 vjeç, Bajerni tani ka bërë një qasje të re, sipas raportit, i cili pretendon se bavarezëve u është sinjalizuar se kanë një shans real për ta nënshkruar atë. Rivalët kryesorë të rekordmenëve gjermanë në garën për nënshkrimin e Virc besohet të jenë Real Madridi, me një nga arsyet se Leverkusen do të preferonte ta dërgonte 21-vjeçarin jashtë vendit sesa ta shiste atë te një rival për titullin e Bundesligës. Nëse Ksabi Alonso largohet nga Leverkusen këtë verë për të marrë drejtimin e trajnerit të Real Madridit, gjigantët spanjollë do të ishin në një pozicion veçanërisht të fortë. Megjithatë, bavarezët mbeten optimistë, pjesërisht sepse ata kanë punuar për transferimin për një kohë të gjatë, por edhe sepse miku i mirë i Virc nga kombëtarja gjermane, Xhamal Musiala, pritet të nënshkruajë një kontratë të re afatgjatë me klubin.

VLERA – Bajern Mynih është i vetëdijshëm se për Florian Virc do të thyente tarifën rekorde të transferimit të klubit prej 100 milionë euro, e vendosur kur nënshkroi me Herri Kejn nga Totenhem verën e kaluar. Bajerni është në një pozitë të shëndetshme financiare dhe mund të vërë në dispozicion fonde të tjera duke shitur lojtarë, me klubin të gatshëm të dëgjojë ofertat për Leon Gorecka, Kingsli Koman dhe Serzh Gnabri. Kontrata lojtarit më të shtrenjtë nga gjiri i Bajer Leverkusenit është deri në vitin 2027.

AVANTAZHI – Rekordmenët gjermanë duket se kanë fituar një avantazh të rëndësishëm ndaj Real Madridit në garën për të siguruar nënshkrimin e Virc, sipas “SPORT”. Ky zhvillim mund të jetë një pengesë e madhe për “Galaktikët”, të cilët e kanë mbajtur me vëmendje gjermanin e ri. Florian pritet të jetë një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton e ardhshme të verës, me disa klube elitare që konkurrojnë për nënshkrimin e tij. Në këtë drejtim, Bajerni ka punuar në mënyrë strategjike prej muajsh për të ecur përpara në garë, duke zhvilluar takime të shumta për ta pozicionuar veten si favorit. Ata madje janë të përgatitur të paguajnë mbi 100 milionë euro për të siguruar talentin gjerman.

SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"