Gavi rikthehet të luajë pas 348 ditësh: Kanë qenë ditë shumë të vështira
Në ditën e kthimit në fushë pas 348 ditësh që nga dëmtimi i tij, Barcelona ka publikuar një dokumentar për procesin e rikuperimit të Gavit.
Klubi ka nxjerrë në dritë përmes platformës “BarçaOne” se si mesfushori e ka kapërcyer dëmtimin e rëndë. Lojtari u lëndua në ndeshjen e Spanjës kundër Gjeorgjisë.
Futbollisti u largua nga fusha me gjurin e lënduar dhe i përlotur: “E kisha të qartë se i kisha bërë diçka gjurit, me siguri, në fund do ta dini”.
Megjithatë, që në momentin e parë ai e kishte shumë të qartë se nuk do të dorëzohej: “Kështu kam qenë gjithmonë dhe do të jem i njëjti, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, çfarëdo dëmtimi”.
Dhe trajneri Flik ia ka dhënë shansin të luajë minutat e para që pas dëmtimit të 23 nëntorit 2023. Gavi ka luajtur për 10 minuta, duke përfshirë dhe minutat shtesë, teksa vetë ai ka folur pas takimit, duke e cilësuar këtë periudhë të gjatë si një ferr.
“Ka qenë një periudhë shumë e gjatë jashtë. Kam pasur momente shumë të vështira, por tani jam kthyer”, ka deklaruar Gavi pas takimit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"