Gjashtë javë nga starti, Kategoria e Parë në krizë
Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së në mbledhjen e fundit vendosi për axhendën e fillimit të të gjitha kampionateve që organizohen nga qeveria e futbollit shqiptar.Në këtë mbledhje u vendos që kampionati i Kategorisë së Parë për edicionin 2024-2025 të fillojë më datë 24.08.2024 dhe të mbarojë më datë 19.04.2025. Ndërsa të hënën do të hidhet edhe shorti për këtë aktivitet. Kanë mbetur edhe 6 javët nga starti i këtij edicioni të ri, por situata nuk duket premtuese, madje ka edhe sinjale alarmi. Thuhet kështu, pasi disa klube ende nuk kanë nisur nga puna për sezonin e ri. Ka edhe nga ato që po vuajnë shprehjen shekspiriane:
“Të jenë apo të mos jenë?!”. Kryesisht bëhet fjalë për dy skuadrat që zbritën nga Superiorja në Kategorinë e Parë, Erzeni dhe Kukësi. Që nga mbarimi i sezonit të shkuar dhe deri më sot, në Shijak dhe Kukës lajm përben vetëm eksodi, që duhet pranuar ka qenë i konsiderueshëm. Të dyja ekipet janë në kushte ekzistence. Askush nuk di të thotë me saktësi se cila do të jetë e ardhmja dhe kush do t’i financojë dhe drejtojë këto klube. Kriza financiare është e prekshme edhe në klube të tjera, pasi mungojnë afrimet e reja, apo planifikimi i fazave të mirëfillta përgatitore. Klubet që e kanë ndarë mendjen për objektiva madhore tashmë janë pozicionuar, nga vetë investimi i kryer në këtë periudhë, ku pararojë janë Besa, Flamurtari dhe Vora.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"