Gjermania me opsione në mesfushë, por tani nuk ka… përvojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 11:30

Gjermania me opsione në mesfushë, por tani nuk ka… përvojë

Katër lojtarë me përvojë të jashtëzakonshme si Ilkai Gyndoan, Tomas Myler, Manuel Nojer dhe Toni Kros janë tërhequr nga futbolli ndërkombëtar, që do të thotë se Gjermania do të duket shumë ndryshe kur të përballet me Hungarinë në hapjen e Ligës së Kombeve të shtunën.

gjermaniaa festa

Kuarteti ka bërë së bashku 451 paraqitje gjatë dekadës së fundit, një epokë që përfshin fitoren e “Die Mannschaft” në Kupën e Botës 2014. Por suksesi ka qenë i rrallë kohët e fundit, me Gjermaninë që nuk arriti të përparojë dy herë fazën e grupeve në katër turnetë e fundit të mëdhenj dhe humbi nga Spanja në çerekfinalet e Euro 2024. Pas disa vitesh të mjerueshme, skuadra e Julian Nagelsmanit tregoi momente të rikuperimit gjatë verës, por, me gardën e vjetër që “vari këpucët”, a mundet skuadra e tij me pamje të re të kthehet në majën e lojës botërore?

Kros dhe Gyndoan shërbyen si figura kyçe në mesfushën e Nagelsman në Euro, ndërsa Nojer mbajti vendin e tij si portier titullar. Edhe pse Toni ishte 34 vjeç kur filloi turneu, ai ishte “spiranca” e mesfushës gjermane. Dalja në “pension” e gjashtë herë fituesit të Ligës së Kampionëve do të krijojë një vrimë që mund të jetë e vështirë për t’u mbushur. Të katër lojtarët ishin liderët kryesorë brenda ekipit, pavarësisht nga ngadalësimi potencial me moshën. Flet vetë që Mançester Siti e shfrytëzoi mundësinë për të rikthyer Gyndoan pas largimit të tij të papritur nga Barcelona muajin e kaluar.

Me Kros, Myler dhe Nojer, anëtarët e fundit të skuadrës fituese të Kupës së Botës 2014 kanë dalë nga skena ndërkombëtare, Nagelsman ka për detyrë jo vetëm të ndërtojë një bërthamë të re në fushë, por edhe brenda dhomës së tij të zhveshjes.

Ndërsa Xhamal Musiala dhe Florian Virc janë brezi i ardhshëm i talenteve të shquar sulmues, ata nuk janë aspak në një pikë ku do të jenë liderë të ashpër së shpejti. Tani për tani, këta të dy, ashtu si Kai Haverc ose Maksimilian Baier, bëjnë përshtypje para së gjithash përmes aftësive të tyre futbollistike. Joshua Kimish është zgjedhur si kapiteni ri, duke pasuar Gyndoan dhe Nojer. Ndërsa Joshua ka aftësitë e një lideri, promovimi i tij vjen në një kohë kur ai pothuajse duket se ka kaluar kulmin e tij. Për dy vitet e fundit ka pasur vështirësi në Bajern Mynih dhe me Gjermaninë, dhe mbete enigmë nëse në të ardhmen do përdoret si mesfushor qendror apo mbrojtës i djathtë. Është një situatë e vështirë për një lojtar që të ndërrojë pozicione vazhdimisht. Kimish njihet si një personalitet energjik, madje tepër i etur që nuk i merr lehtë pengesat dhe humbjet. Në këtë kuptim, ai mund të jetë pothuajse një kundërpeshë për lojtarët më të rinj që duken si shpirtra të lirë dhe kënaqen duke u shprehur në fushë. Theksimi i krijimtarisë mund të jetë devijimi më domethënës nga gjeneratat e mëparshme të lojtarëve të Gjermanisë.

Sa i përket pasardhësve të lojtarëve të pensionuar së fundmi, vendin e Nojerit pritet ta zërë Mark-Andre ter Shtegen. Portierit 32-vjeçar i Barcelonës është dhënë fanella me numrin “1” për ndeshjet kundër Hungarisë dhe Holandës, duke treguar se ai më në fund e ka arritur qëllimin e tij pas një periudhe të gjatë pritjeje.

Në të kundërt, nuk ka asnjë pasardhës të qartë për Kros si lojtar i thellë. Zgjedhja më realiste mund të jetë Aleksandar Pavloviç i Bajernit, i cili u tërhoq nga skuadra për shkak të bajameve në Kampionatin Europian. Mesfushori 20-vjeçari shihet si një talent i ri, i cili mund të bëhet lojtari tjetër i madh për Gjermaninë. Por do të ishte e tepërt të kërkosh që një futbollist që ka bërë vetëm 21 paraqitje në Bundesligë për bavarezët, të mbajë mbi supe Gjermaninë ashtu siç bëri Kros në Euro 2024.

Ndërsa skuadra e Julian Nagelsman ishte ndër më të vjetrit në turne, ata do të jenë shumë më të rinj dhe më pak me përvojë për të ecur përpara.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"