Gjeti golin e parë me Dinamon, mesfushori: Mezi po e prisja, po përmirësohemi çdo ditë
Fatjon Andoni ka gjetur golin e parë me fanellën e Dinamos. Ishte ai që i hapi rrugën fitores në ndeshjen me Laçin.
Mesfushori i ardhur në merkaton e verës te kryeqytetasit pas një eksperiencë të gjatë në Superligën greke, reflekton cilësitë e liderit në fushë dhe duket se po jep një dorë të mirë në ngjitjen e bluve në klasifikim. Luajti pak më i avancuar këtëherë, përveç golit u shfaq edhe 2-3 herë të tjera rrezikshëm në zonën kundërshtare.
Për golin dhe fitoren ndaj Laçit, Andoni për “Panorama Sport” u shpreh: “Ndihem shumë i gëzuar për golin dhe për fitoren që arritëm sot (dje). Ishte një fitore me shumë rëndësi, ndërsa golin mezi po e prisja. E kisha gjithmonë në mendje, sepse edhe u dëmtova dhe mezi po prisja të luaja dhe të shënoja. Dedikim për golin? Për djalin tim. Gjithmonë marr me vete një fanellë të tij të Dinamos dhe e vendos te vendi im”.
I pyetur për ndryshimet që ka pësuar skuadra në javët e fundit, 32-vjeçari deklaroi: “Dinamo po kalon një moment të mirë, me disa rezultate pozitive radhazi. Profesori na ka mbledhur, ka bërë punën e vet, por edhe lojtarët kanë reaguar mirë, duke marrë përgjegjësi. Kampionati është i tillë, që duhet të marrësh rezultate çdo javë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Po përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe gjithmonë duhet të kërkojmë më shumë”.
Sa i përket problematikave gjatë ndeshjes me Laçin, ai shtoi: “Problematika gjithmonë ka në futboll, sepse nuk luan vetëm, është edhe kundërshtari. Me Laçin u rrezikuam nga disa topa që i humbëm ne, por e ritheksoj se është e rëndësishme që e kaluam me sukses këtë ndeshje. Le të shohim përpara”.
PANOAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"