Gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Skënderbeut, kolumbiani Vaskez: Goli kënaqësi, me Tiranën për vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 21:04

Gjeti rrugën e rrjetës me fanellën e Skënderbeut, kolumbiani Vaskez: Goli kënaqësi, me Tiranën për vazhdimësinë

Fitorja e fundit në kampionat përballë Laçit duket se ka larguar makthet e rezultateve në Korçë. Pas suksesit 2-1 korçarët janë më të qetë dhe mbi të gjitha pa presionin e pikëve të munguara në këtë fillim sezoni. Duket se kjo fitore ka risjellë qetësinë dhe mbi të gjitha besimin tek grupi bardhekuq që ka filluar të mendojë për ndeshjen e radhës.

Luco Vaskez Skenderbeu

Suksesi me Laçin ishte një rezultat i detyrueshëm deri diku për bardhekuqtë që vinin nga dy humbje radhazi. Gjë që e ka vlerësuar edhe mbrojtësi kolumbian Luço Vaskez. Në një prononcim të dhënë për gazetën, Vaskez thekson se kjo fitore ka qenë shumë e rëndësishme për vetë faktin se ekipi po kalonte një moment jo të mirë në raport me pikët.

“Ishte një ndeshje që duhet ta fitonim me çdo kusht dhe për fat të mirë ia dolëm. Arritëm të merrnim pikët e plota, pasi vinim pas dy humbjesh dhe në të tilla kushte një fitore do të na rikthente sërish qetësinë. Kemi qenë nën presion dhe e kemi vuajtur faktin që nuk po merrnim dot, atë që prodhonim në fushë.

Ndaj gjatë gjithë javës, kemi punuar psikologjikisht për të hequr të gjitha makthet e rezultateve jo të mira. Ia dolëm dhe kjo është pjesa më e rëndësishme. Goli im i parë me këtë fanellë është një ndjesi akoma më pozitive dhe më kënaq më shumë. Jam i lumtur që arrita të shënoj dhe të ndihmoj ekipin në këtë situatë. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Tani jemi në një fazë, që duhet të ruajmë ritmin dhe të mbajmë një ecuri pozitive pasi kampionati është shumë i vështirë”, theksoi fillimisht Vaskez.

Vaskez Skenderbeu

KONKURRENCA – Në prapavijë duket se është një luftë e fortë për një vend titullari, por për Vaskez kjo i bën mirë grupit dhe individit. Ai thekson se është gati të japë maksimumin çdo ndeshje për të merituar fanellën e titullarit edhe pse në fund është trajneri që vendos.

“Gara për një fanellë titullari në qendër të mbrojtjes është shumë e fortë dhe tashmë ky është një fakt. Pas rikthimit të Randit është krijuar një grup i fortë në këtë repart. Ky fakt nuk është një problem, por një arsye më shumë për të dhënë maksimumin.

Na bën mirë dhe na rrit profesionalisht. Jam i mendimit se kjo situatë do të na ndihmojë të risim cilësinë dhe të japim më të mirën çdo ndeshje”, vijoi Vaskez.

TIRANA – Ndeshja kundër Tiranës është një tjetër sprovë për korçarët, që kërkojnë të mbajnë ecurinë pozitive në këtë kampionat. Ndaj Vaskez kërkon maksimumin, pavarësisht vështirësive që sjell ky takim.

“Normalisht është një ndeshje e vështirë, pasi luajmë ndaj një ekipi që ka pretendime. Duhet të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme që të marrim rezultatin maksimal. Për ne, fitorja është objektiv në çdo takim”, mbylli mbrojtësi kolumbian i Skënderbeut.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"