“Gjithmonë ka pasur diçka, që vlonjatët të mos ngjiteshin në elitë”, Lutaj: Flamurtari nuk dështon sivjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2024 | 14:38

“Gjithmonë ka pasur diçka, që vlonjatët të mos ngjiteshin në elitë”, Lutaj: Flamurtari nuk dështon sivjet

Edmond Lutaj i shikon dështim vitet e lëna pas nga Flamurtari, por ka bindjen se me investimet e këtij sezoni, ekipi do të ngjitet në Superiore. Ish-trajneri ka qenë shpesh kritikë ndaj ecurisë jo pozitive të skuadrës, por tashmë e shikon në rrugë të mbarë.

EDMOND LUTAJ

Për “Panorama Sport”, Lutaj thotë se dështimet shpesh kanë ardhur nga faktorë të ndryshëm. “Për të qenë i sinqertë, Flamurtari ka pësuar disfata gjatë këtyre viteve në rrugëtimin e tij për t’u rikthyer në elitë. Çdo vit ekipi ndërtohet për të fituar, për të dalë në Superiore, por ka dështuar. Shumë herë për fajin e vet, disa herë për faj të të tjerëve, federatës, a nuk e di se kujt. Gjithmonë ka qenë diçka që e pengon Flamurtarin.

Një diskutim që e bëj me shokët gjithmonë sa herë kthehem në Vlorë, është se çfarë do bëhet? Do investohet më? Ka takat më klubi të investojë? Administratori Idrizi e ka ndarë mendjen, do ta çojë Flamurtarin në Superiore dhe këtë po e vërteton. Kjo është gjë e mirë. Është ndërtuar një skuadër e mirë dhe duket se është në rrugën e duhur”, u shpreh fillimisht Lutaj.

OBJEKTIVI DHE GRUPI – Edmond Lutaj vlerëson grupin e lojtarëve, por apelon që të jenë me “këmbë në tokë” deri në fund. “Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për t’u ngjitur në elitë dhe mendoj se me këtë grup që ka dhe me këto cilësi, do të bëjë mirë edhe në Superiore. Është shumë herët për të thënë, që Flamurtari është një kategori më lart, por grupi është i ndërtuar mirë. Ekipi është në rrugën e mbarë dhe mendoj se duhet të jenë me ‘këmbë në tokë’, duhet të ndjekin trajnerin dhe të vazhdojnë në këtë rrugë. Mendoj se ekipi do të na gëzojë të gjithëve, por të bëjë punën dhe të presim”, vijon ish-trajneri.

FUTBOLLI DHE KARRIERA – Edmond Lutaj thotë se e ndjek kampionatin shqiptar. Ai flet edhe për karrierën në Suedi, ku aktualisht punon në Federatën Suedeze të Futbollit. “Karriera ime në Suedi. Unë bëra 34 vite këtu. Jam marrë me sportin dhe futbollin. Pas karrierës time si futbollist, kam punuar si trajner, por tani kam ndryshuar pak profil. Jam pranë futbollit, por punoj si koordinator në Federatën Suedeze të Futbollit. Merrem me licencimin e trajnerëve, gjithashtu edhe me akademitë e klubeve që kanë nevojë. Futbollin shqiptar e ndjek. Ndjek Kombëtaren, Superioren, por edhe Flamurtarin e Kategorinë e Parë. Një sy dhe një vesh e kam edhe te vajzat e basketbollit të Flamurtarit, edhe ato i ndjek”, përfundon Lutaj.

5 sezone

ka Flamurtari larg elitës së futbollit shqiptar, ku për herë të fundit ka milituar në Superiore në edicionin 2019-2020. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Flamurtarin në këtë sezonin që e ka nisur vrullshëm. Gjasat janë për një rikthim, ku investimi po jep rezultat.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"