Gjoka bën gati listën për janarin. Xhambazi ngre alarmin: Situatë emergjence, Skënderbeu duhet të reagojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2024 | 20:53

Gjoka bën gati listën për janarin. Xhambazi ngre alarmin: Situatë emergjence, Skënderbeu duhet të reagojë

Ardhja e Ernest Gjokës në stolin e Skënderbeut ende nuk po jep rezultatet që të gjithë prisnin në kampin bardhekuq. Skuadra vijon të vuajë krizën e rezultateve, siç ndodhi edhe në ndeshjen e fundit kundër një rivali direkt për mbijetesë si Bylisi. Korçarët janë në vend të fundit dhe situata sa vjen dhe rëndohet.

xhambazi

Kështu mendon edhe ikona e futbollit korçar, Dhimitraq Xhambazi, i cili beson gjithsesi se ardhja e Gjokës do të japë rezultat me kalimin e javëve. Xhambazi shprehet se skuadra duhet të reagojë sa më shpejt për të mos u zhytur më thellë në fund të tabelës.

“Mund të them se situata është emergjence dhe kërkon patjetër reagim nga skuadra. Po t’i referohemi lojës, mendoj se ka ardhur që në ndeshjen e fundit ndaj Bylisit, por ato që shqetësojnë janë pikët e lëna. Skënderbeu ka një fazë të tërë pa fitore. Mendoj se ekipi ka nisur të reagojë me mënyrën e lojës së trajnerit të ri, që duke e parë nga jashtë, më duket një mentalitet me atë që Ivan Gvozdenoviç ka injektuar për dy vite te ky grup.

Jam i mendimin që Gjoka dhe Gvozdenoviç plotësojnë njëri-tjetrin, ndaj nuk do të jetë i largët reagimi. Me Bylisin ishte mëkat lënia e 2 pikëve, duke u nisur nga mënyra se si shkoi ndeshja. Ndaj Elbasanit është e rëndësishme fitorja, pasi çdo rezultat tjetër do të ishte një hap i madh prapa, do të vështirësonte situatën për pjesën tjetër të sezonit”, ka theksuar Xhambazi.

EKIPI – Për situatën ku ndodhet, Skënderbeu ka nevojë për disa afrime, sepse i duhet më shumë cilësi dhe mbi të gjitha eksperiencë për të përballuar gjysmën e dytë të kampionatit. Nga burime të gazetës pranë klubit mësohet se trajneri Ernest Gjoka, përveç punës së përditshme për ndeshjen e radhës, po mendon edhe për afrimet dhe largimet e janarit.

Ata që do të çedojnë në mënyrën e punës së Gjokës, duke mos iu përgjigjur kërkesave të trajnerit, rrezikojnë të dalin jashtë planeve të ekipit, për t’u hapur më pas vendin afrimeve të reja. Më të rrezikuarit janë lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta loje gjatë këtij sezoni, ose nuk e kanë justifikuar besimin e klubit. Për emrat pritet që klubi të flasë pas ndeshjes së fundit me Elbasanin, për të mos e ngarkuar më shumë psikologjikisht skuadrën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"