“Gjyq” dhe paqe, Çalhanoglu rimerr regjinë e Interit dhe është gati për të qenë titullar kundër Xhenoas
Jam rikthyer dhe jam shumë i uritur. Kështu shkroi në rrjetet sociale Hakan Çalhanoglu, pasi u rikthye në stërvitje me Interin si për të treguar gjendjen shpirtërore pas Europianit të Gjermanisë 2024.Turku dhe portieri Zomer ishin të fundit që u rikthyen për të nisur punën në prag të sezonit të ri. Nëse për portierin zviceran gjithçka ishte më spontante, mesfushori turk duhet që të bënte një bisedë më të detajuar dhe më të thelluar me trajnerin Simone Inzagi, pas lajmeve të publikuara se ai kërkonte të largohej drejt Bajernit të Mynihut gjatë kohës që ishte i grumbulluar në Europian.
Trajneri ka dashur që ta marrë veçmas dhe të flasë sy më sy, pavarësisht se diçka të tillë e kishte bërë me telefon gjatë ditëve të mëparshme. Ishte si një “gjyq” për të kuptuar se sa dëshirë ka Çalha dhe sa i përfshirë është në projektin zikaltër dhe për të mësuar nëse ka pengje që zikaltrit nuk e lanë që të transferohej në Gjermani. Por mesa duket kësaj çështjeje i është vendosur kapaku ditën e djeshme. Trajneri, i cili në fakt pati një lloj frike për një divorc të mundshëm, ka përqafuar “djalin” e tij të preferuar. Besimi që Inzagi i ka dhënë Çalhanoglusë në rolin e ri përpara mbrojtjes ka qenë shumë i rëndësishëm edhe në rendimentin e mesfushorit turk dhe në ecurinë pozitive të të gjithë skuadrës.
PAQE- Një “mini-krizë” të vogël duket se telefonata nga Bajerni e krijoi në shtëpinë e zikaltërve, por gjithçka është lënë pas krahëve dhe Çalha është gati për të marrë kabinë e regjisë për të komanduar edhe një tjetër sezon lojën dhe manovrën e Interit. Çalhanoglu kërkoi një rinovim të kontratës me përmirësimin e pagës vjetore, por duket se zikaltrit nuk e kishin në plan pasi ajo skadon në vitin 2028.
Vetë skuadra e Interit ka publikuar një foto të mesfushorit me trajnerin Simone Inzagi si për të treguar se të dy janë gati për një tjetër sezon fantastik, ashtu si ai që lamë pas. Çalhanoglu kaloi një nga sezonet më të mira të karrierës së tij duke u shpallur kampion i Italisë dhe duke qenë vendimtar në shumë ndeshje me golat dhe asistet e tij. Tani trajneri Inzagi e ka shumë të vështirë që të bëjë pa shërbimet e tij, prandaj e kërkon të impenjuar në maksimum në misionin për të mbrojtur yllin e dytë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"