Gjyqi për Rubiales, trajneri i Spanjës sherr me gjyqtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2025 | 19:08

Gjyqi për Rubiales, trajneri i Spanjës sherr me gjyqtarin

Një dëshmi në gjykatë në procesin ndaj ish-presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Luis Rubiales, rrezikon ta kthejë nga dëshmitar në të pandehur trajnerin e kombëtares kampione të Europës, Luis de la Fuente.

de la fuente

Prokuroria spanjolle po shqyrton akuzat e mundshme ndaj trajnerit Luis de la Fuente për dëshmi të rreme në “rastin Rubiales”. Sipas televizionit “La Sexta”, situata e trajnerit të Spanjës mund të ndryshojë, pasi ai dëshmoi si dëshmitar para gjyqtarit në hetimin për puthjen e Rubiales me futbollisten Jeni Hermoso pas fitimit nga Spanja të titullit botëror për femra.

Prokuroria, sipas informacioneve të “La Sexta”, do ta shqyrtojë këtë mundësi bazuar në deklaratat kontradiktore të trajnerit në lidhje me praninë ose jo të tij në një takim në zyrën e Luis Rubiales, ku dyshohet se është ushtruar presion ndaj shefes së shtypit të kombtares së femrave, Patricia Perez.

Më tej, “La Sexta” në raportin e saj, thekson se Prokuroria nuk e ka përjashtuar mundësinë që për dëshmi të rreme, përveç trajnerit aktual, të ketë aktakuzë edhe për dëshmitarë të tjerë. Në çdo rast, kjo nuk do të ishte e menjëhershme. Marta Durantez, prokurorja, dëshiron të dëgjojë të gjitha provat e paraqitura dhe do të vendosë pasi të ketë nxjerrë përfundimet e saj në një raport.

Nxehja e gjyqtarit – Mospërputhjet mes prokurorëve dhe Luis de la Fuentes kanë qenë të dukshme gjatë seancës së djeshme gjyqësore. Në fakt, kur trajneri u pyet vazhdimisht për praninë e Patricia Perez në takimin e sipërpërmendur në zyrën e Luis Rubiales, gjyqtari ndërhyri edhe gjatë seancës së pyetjeve: “Më falni, ju lutem përgjigjuni pyetjes që po bëjmë. Përputhej apo jo? Mjaft tani. Mos më bëni bisht me përgjigjet tuaja, dua t’i di gjërat me qartësi”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"