“Gjyqtarët? I çuditshëm termi dorë natyrale”. Ferko: Me kujdes në merkato, Flamurtarit i kanë munguar golat e Shkurtajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2025 | 10:37

“Gjyqtarët? I çuditshëm termi dorë natyrale”. Ferko: Me kujdes në merkato, Flamurtarit i kanë munguar golat e Shkurtajt

Alfred Ferko zbulon se klubi po punon për një merkato të kujdesshme gjatë janarit. Për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i klubit thekson se grupi i lojtarëve është cilësor, por ka nevojë për afrime. Ferko uron që Vasil Shkurtaj të kap formën e tij të mirë, pasi është një armë e fortë e skuadrës.

idrizi ferko

“Ne kemi hyrë në merkato. Kemi krijuar një ekip shumë të mirë, por ecuria tregon se ndoshta diçka mungon. Përpara dy vitesh patëm prurje masive në merkaton e janarit. Tani, gjërat po i shikojmë më me kujdes dhe po ndërhyjmë për mirë. Ekipet kanë nevojë për përforcime në janar, por do t’i shohim me kujdes. Nga shtatori deri në dhjetor na kanë munguar golat e Vasil Shkurtaj për shkak të dëmtimeve. Uroj të gjej formën e tij dhe të ndihmoj skuadrën. Ai është një armë e madhe mbështetëse për skuadrën. Idrizi nuk është kursyer asnjëherë për afrimet e reja. Unë kam biseduar gjatë me trajnerin për merkaton dhe jemi duke folur ende”, shprehet fillimisht Ferko.

ECURIA – Ecurinë e Flamurtarit deri në fund të dhjetorit e cilëson pozitive, por mund të bënte edhe më mirë. Drejtori Ferko ka edhe një këshillë për gjyqtarët: “Dy ndeshjet e fundit, marrja e katër pikëve është pozitive. 6 pikët ishin të mundshme, por futbolli i njeh edhe këto. Nga ana sportive dhe e interpretimit të futbollit, Flamurtari ka qenë superior, si në Fier ashtu edhe me Valbonën. Ndoshta meritonin diçka më shumë se katër pikë. Mënyra se si ka shkuar Vlora dhe sidomos në Fier në pjesën e dytë, jemi treguar shumë superior dhe duhet ta fitonim ndeshjen.

Pavarësisht ndonjë momenti… Ndoshta dikush duhet që t’u thotë gjyqtarëve dhe të ndërhyjë, pasi dikush e interpreton ndryshe, është apo nuk është penallti. Nuk e kuptoj termin e një dore natyrale. Çdo kush e interpreton ndryshe, por kjo fraza dorë natyrore natyrale më duket shumë e çuditshme. Ne jemi njerëz dhe dorë natyrale kemi. Ne kemi bërë ndeshje shumë të mira. I kemi vënë kundërshtarët në shumë vështirësi. Goli vjen në minutën e parë ose të fundit dhe në futboll nuk ka asgjë të shkruar. E rëndësishme është që një skuadër lufton. Ne kemi pasur fatin dhe kemi përmbysur edhe rezultate me lojë bindëse. Ekipi ka ardhur në rritje”.

AKADEMIA – Ferko pohon se do të dëshironte të kishte sa më shumë futbollistë vlonjatë në ekip, por kur nuk ka tregu, natyrisht do shikosh jashtë Vlorës. Sipas tij, po punohet me akademinë. “Akademia po ribëhet dhe po bëhen ndryshime. Fillon me fushën e re dhe në pak kohë shpresojmë që do të jepet edhe leja për fushat e tjera. Baza për të stërvitur fëmijët janë terrenet sportive. Pastaj duhen edhe projekte afatgjata që djemtë nga Vlora të vijnë në një moment të mirë. Idrizi i ka kushtuar shumë vëmendje terreneve sportive për akademinë. Është pak komplekse si është bërë sot futbolli në botë. Edhe për të arritur majat duhet të shkosh në treg për të blerë diçka të mirë. Do të ishin të mirëpritur djemtë tanë vlonjatë”, shprehet Ferko.

THUMBIMI – Drejtori i Flamurtarit ka edhe një thumbim për Superioren, referuar “Final 4”. Sipas Ferkos, me këtë skemë nuk ka më një kampion të qartë. “Në Superioren shqiptare nuk ka as kampion dimri dhe as kampion vere me ‘Final 4’-in e famshëm. Më vjen çudi se është i vetmi vend në botë që nuk të lë të gëzohesh kur shpallesh kampion”, përfundon Ferko.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"