Goditje e rëndë për Ukrainën para ndeshjes me Shqipërinë, humb gjyqin e bujshëm në KAS me “tradhtarin”
Federata e Futbollit të Ukrainës ka marrë një lajm tronditës para ndeshjes vendimtare me Shqipërinë në stadiumin “Air Albania”. Ajo ka humbur një gjyq të bujshëm në KAS të Lozanës, që padyshim do të dëmtojë imazhin e saj ndërkombëtar.
Gjyqi ka të bëjë me ish-kapitenin dhe liderin e kësaj përfaqësueseje, Anatoli Timoshçuk. Ky i fundit është shpallur tradhtar që kur vendosi të vazhdonte të jetonte në Rusi dhe të mos fliste kundër rusëve për pushtimin e Ukrainës. Federata vendosi që t’i hiqte atij çdo licencë e titull që i kishte dhënë, çdo nderim, si dhe ta fshinte nga regjistri i përfaqësueses së saj, ku Timoshçuk ka vendosur disa rekorde dhe ka qenë kapiten.
Por ish-lojtari ka çuar çështjen në KAS të Lozanës dhe atje ka fituar, pasi gjykata e arbitrazhit sportiv vlerësonte se Timoshçuk nuk kishte kryer asnjë veprim që nga nisja e sulmeve të Rusisë që mund të sillnin një sanksion të tillë drastik.
Federata Ukrainase, që drejtohet tashmë nga Andrij Shevçenko, i cili ka luajtur për shumë vite përkrah Timoshçuk, bëri një reagim zyrtar pas këtij vendimi. “Për fat të keq, europianët e trajtuan këtë çështje në mënyrën më formale dhe konfirmuan keqkuptimin e pjesshëm që kanë për realitetin në të cilin ne jetojmë. Pozicioni i komuniteti të futbollit në Ukrainë është i qartë dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë. Njerëz si Timoshçuk nuk kanë asnjë vend në futbollin e Ukrainës”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"