Goditje me “llogari”, Tirana prek fundin. Ja çfarë nuk shkon me vendimin e FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2024 | 9:20

Goditje me “llogari”, Tirana prek fundin. Ja çfarë nuk shkon me vendimin e FSHF-së

Incidentet në Tirana-Vllaznia 3-4, luajtur këtë të mërkurë në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës, kanë bërë që Komisioni i Disiplinës të marrë një vendim drastik për bardheblutë si pritës në këtë ndeshje.tiranaa

Dje FSHF-ja njoftoi se Tirana është dënuar me zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit 2024-2025 pa spektatorë, si dhe një gjobë prej 3 milionë lekësh të vjetër. Pasi e degdisën të luante në Korçë, Vlorë dhe Lushnjë si pritës, tashmë skuadrës bardheblu i japin edhe një goditje. Teksa pritet të shembet stadiumi “Selman Stërmasi”, edhe pse në Tiranë ka dy stadiume të tjera si “Air Albania” dhe “Arena e Demave”, ekipin bardheblu e degdisin qytet me qytet. Por çfarë nuk shkon me këtë vendim? Po aplikohen dënime kolektive në vitin 2024.

Pasi kanë dështuar të identifikojnë atë pakicë njerëzish që bën trazira, i mbyllin stadiumin Tiranës edhe kur policia ndjek penalisht personat që shkaktuan dëmin në Klasike. Tirana si klub nuk ka reaguar ende, por duket se nuk është rastësi kjo situatë. T’i heqësh tifozët një klubi deri në fund të sezonit është si pushkatim, por ajo që lë hije dyshimi në këtë histori, është se duket sikur goditjet Tiranës po i vijnë me “llogari” nga të gjitha anët.

DËNIMI

Disiplina mësohet se ka vendosur në këtë formë, pasi së pari, lënda plasëse ka rrezikuar jetën e fëmijëve që mbledhin topat anës fushës, lojtarëve, por edhe pjesës tjetër të individëve, të cilët rrinë rreth fushës. Si rrethanë rënduese është fakti, që nëse lënda plasëse i binte një fëmije, pasojat ndoshta do të ishin të pariparueshme. Fakt rëndues është marrë mos marrja e masave organizative nga e ana e bardhebluve dhe ndalja e lojës për më shumë sesa 13 minuta.

Megjithatë, dënimi ndaj Tiranës duhet thënë se nuk është proporcional me atë që ndodhi në fushën e lojës. Dakord janë të gjithë, që mund të rrezikoheshin njerëz në fushë, por ka ikur koha e dënimeve kolektive dhe të përjetshme. Superiorja është në krizë tifozësh, ndërsa ky lloj dënimi është edhe një goditje për klubin Tirana, për spektaklin e derbit të kryeqytetit dhe të ardhurat. Fakt është që në javën e 15-të, Tirana-Partizani, do të luhet pa tifozë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"