Golat te Juventusi? Tiago Mota ka një plan B pa… Vlahoviç
Dushan Vlahoviç nuk është një çështje te Juventusi, të paktën kështu mund të konsiderohet nga fjalët e Tiago Motës që përpiqet të mbajë të qetë ambientin te Juventusi.
Megjithatë, 4 ndeshje pa realizuar nuk janë pak për qendërsulmuesin e “Zonjës” që është duke kaluar një krizë dhe nëse nuk bazohemi te fjalët ngushëlluese të Motës, serbi te Juvja është kryefjala e një “çështjeje” që ende nuk ka marrë zgjidhje. Vlahoviç në këtë start sezoni është numri një për raste të humbura, një statistikë që do ta kishte të njëjtë edhe me vitin e kaluar nëse Kvarashelia nuk do të ngjitej në shkallën më të lartë të podiumit. Por a është ky vetëm një faj i qendërsulmuesit?
GOLAT- Faji nuk është kurrë personal në futboll, të paktën jo kur lidhet me realizimin e golave. Fakti që Vlahoviç preku vetëm 6 herë topin në sfidën e fundit ndaj Napolit, nuk është vetëm faji i tij, por edhe i sistemit që Tiago Mota përdor. Pavarësisht një starti relativisht të mirë, tre barazimet radhazi në Serinë A kanë sjellë edhe kritikat e para për teknikun italian që duhet të gjejë një zgjidhje sa më parë. “E zëvendësova Vlahoviçin pas 45 minutash sepse na duhej më shumë thellësi”, u shpreh Mota pas ndeshjes me Napolin dhe kjo tregon se mund të mos jetë vetëm faji i tij. Pas dy ndeshjeve perfekte në startin e sezonit, Juventusi po vuan me skuadrat që e kanë studiuar dhe janë më të vëmendshme në mbrojtje. Manovra e skuadrës bardhezi duket e ngadaltë dhe Mota ende është duke menduar zgjidhjen.
RASTET- Statistikat, në fakt, tregojnë se si Juventusi është skuadra që bën numrin më të madh të pasimeve në Serinë A, por e dyta nga fundi për nga numri i asistimeve dhe goditjeve. Qarkullimi i ngadaltë dhe steril i topit në qendër bën që skuadrat të mbyllen mirë dhe ta detyrojnë Juven të luaj më shumë me krahët. Por edhe në këtë rast, kur harkimet vijnë të sakta në zonë ndodhet vetëm Vlahoviç që është lehtësisht i markueshëm nga një numër më i madh mbrojtësish. Kjo tregon se Mota nuk ka arritur dot të gjejë ekuilibrin e duhur mes një mbrojtjeje hermetike që deri më tani nuk ka pësuar asnjë gol dhe një sulmi që të jetë i rrezikshëm dhe të prodhojë raste.
PLANI B– Te Juventusi ka ardhur një pikë ku Mota po mendon për alternativa të reja në sistemin e lojës që mund të jenë më të përshtatshme për të qenë efikas në të dyja fazat. Megjithatë, plani B i Motës duket se është pa Dushan Vlahoviç. Trajneri i “Zonjës” me stilin e tij të lojës ka nevojë për një sulmues “alla Zirkze” me të cilin shkëlqeu te Bolonja. Por kush mund të jetë ky lojtar te Juventusi? Në mungesë të Milik që duhet të qëndrojë edhe pak kohë jashtë fushave, Kenan Jildiz duket se është profili perfekt si Plani B për të shpëtuar Motën. Ai mund të ndihmonte më shumë skuadrën për të krijuar hapësira të cilat do të shfrytëzoheshin më pas nga lojtarët e tjerë ofensivë. Në karrierën e shkurtër të Motës deri tani kemi parë se sulmuesit e “racës” janë mënjanuar me kalimin e kohës, njësoj si Nzola te Specia dhe Arnautoviç te Bolonja. A është radha e Vlahoviç?
OREST FLOKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"