Goli i Berishës nderon Kastriotin, Apolonia me vetëm 3 lojtarë stoli. Trajneri Nica: Fitore për rrugën drejt elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2024 | 20:00

Goli i Berishës nderon Kastriotin, Apolonia me vetëm 3 lojtarë stoli. Trajneri Nica: Fitore për rrugën drejt elitës

Kastrioti ka marrë një fitore minimale dhe me vlera ndaj Apolonisë, falë golit të Bersihës në minutat shtesë. Ndërsa fierakët mbërritën në Fushë-Krujë me vetëm 3 lojtarë në stol, diçka e pazakontë për një ekip që pretendon elitën.

kastrioti apoloniaa

Takimi nisi me 1 minutë heshtje në nderim të 14-vjeçarit Martin Cani, ish-futbollist i moshave të Dinamos, që para disa ditësh u nda nga jeta në mënyrë tragjike. Ndeshja nisi e qetë nga të dyja skuadrat, të cilat e qarkulluan topin kryesisht në mesfushë. Në të 8-ën, fierakët sulmuan duke fituar një këndore. Topi krosohet nga Bejzade dhe devijohet nga Maksuti, por grushtohet nga Puja. Në të 15-ën, krutanët sulmuan portën fierake me anë të Hoxhës, topi shkon te Arrojo, por ai gabon. Minuta 18, Hoxha sulmon portën mike, por e humbet ekuilibrin nga terreni rrëshqitës dhe topi shkon jashtë kuadratit. Pas këtyre rasteve, loja qetësohet dhe zhvillohet kryesisht në mesfushë deri në të 31-ën, kur krutanët nisin një aksion, por mbrojtja mike e largon topin në këndore.

Në të 34-ën, Hoxha shërben për Ajazin, që gjuan, por pret Bushi. Pas kësaj gjuajtje loja rikthehet e qetë deri në mbyllje të fraksionit të parë pa gola. Edhe pjesa e dytë nis e qetë për më shumë se 20 minuta, kur në të 67-ën fierakët sulmuan portën e Pujës. Trifoni godet me kokë, por pret Puja. Pas dy minutash, në të 69-ën, vendësit sulmojnë portën fierake me Hoxhën dhe Ajazin, por mbrojtja mike largon rrezikun. Në të 74-ën, Kastrioti rrezikon me anë të Hoxhës, topi shkon te Zuna që gjuan fort, pret Bushi. Edhe pse pati përpjekje nga të dyja skuadrat, 90 minutat e rregullta u mbyllën pa gola. U akorduan 4 minuta shtesë. Pas disa sulmesh e kundërsulmesh të ndërsjella në të 92-ën, Kastrioti sulmon me anë të Hoxhës dhe Kapllanit, topi shkon te Berisha i cili e dërgon në rrjetë, dhe 1-0. Fitore e vuajtur për krutanët, por që i konfirmon në vend të katërt.

KASTRIOTI – APOLONIA 1 – 0

GOLAT: Berisha 90+2′

KASTRIOTI: Puja, Qyra, Krasniqi (Murati 90+2′), Doseh, Musaj, Moses (Hodo 88′), Kuka, Çela (Kapllani 46′), Arrojo (Zuna 46′), Hoxha, Ajazi (Berisha 75′); (Në dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Agius, Kukaj, Biba). Trajner: Stavri Nica

APOLONIA: Bushi, Ndubuisi, Topi, O. Repaj, Asllanaj, Jasin (Musa 78′), Hebeja, Bejzade, Kofi, Trifoni (Rajmond 88′), Maksuti; (Në dispozicion: Kaçaj). Trajner: Sedat Pajaziti

Kartonë të verdhë: Berisha 87’/ S. Pajaziti 48′ (trajneri), Topi 51’, Kofi 56′, Hebeja 81′

Gjyqtarë: E.Bastari, A.Koçiaj, Xh.Rroshi (Tiranë)

 Vëzhgues: Dritan Sala (Shkodër)

Delegat: Alban Tafaj (Tiranë)

 

Trajneri Nica: Fitore për elitën

 Stavri Nica, trajneri i Kastriotit, pas ndeshjes u shpreh: “Skuadra e nisi mirë, por nuk i finalizuam aksionet. Për mua ishte e rëndësishme që ekipi ishte kompakt dhe i zbatoi detyrat. Edhe pse ndeshja po shkonte barazim, në fund ekipi ia doli. E rëndësishme për mua ishte që jo vetëm nuk pësuam, por as nuk u rrezikuam seriozisht. Ekipi duhej të tregohej më agresiv, gjithsesi kam besim në të ardhmen. Shpresoj se kjo fitore do të jetë si start për sigurimin e rrugës drejt elitës”.

 

PRENG GJIKOLA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"