Goli i parë në Superiore, Preknicaj: Ja çfarë synoj te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2024 | 15:37

Goli i parë në Superiore, Preknicaj: Ja çfarë synoj te Teuta

Teuta vijon të jetë macja e zezë e Skënderbeut edhe në këtë sezon. Fitorja në Korçë i ka kënaqur të gjithë, por në veçanti sulmuesin Kristian Preknicaj, i cili ia doli të shënonte golin e parë me fanellën e Teutës. Për djaloshin kjo ishte ndeshja e tretë në Superiore, pasi më herët ka qenë pjesë e Lushnjës dhe jashtë është aktivizuar në Serinë D në Itali.

preknicaj

Goli me korçarët ishte i pari në Superiore për Preknicaj i cili pati edhe një dëmtim të lehtë kur po festonte, çka e detyroi që të zëvendësohej. Numri 9 i bluve ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport” gjatë së cilës ka shprehur të gjitha emocionet e tij për suksesin dhe golin.

Kristian, cilat janë emocionet e golit te parë në Superiore?
Për mua ishte ditë fantastike, jam i lumtur. Të luash titullar dhe të shënosh është shumë. Shënova gol dhe për këtë jam i kënaqur. Ka qenë një 90-minutësh i mirë. U mundova të bëja më të mirën. Te goli nuk u mendova gjatë, sapo mora topin nuk e mendova dy herë, godita fort dhe shënova. Kur shënon për herë të parë ndihesh shumë i gëzuar, por këtë herë ishte ndryshe. Festimi me shokët e ekipit më emocionoi shumë.

Veç golit, jeni duke u paraqitur shumë mirë në fushë…
Në çdo moment jam shumë i përqendruar, por dhe këtë ndeshje pasi e dija rëndësinë e kësaj sfide. Ishte një takim shumë i luftuar, e patëm jashtëzakonisht të vështirë. Nuk kam bërë gjë akoma dhe jam me këmbë në tokë dhe rëndësi ka të ecë ekipi mirë. Unë po rritem dhe kam fatin që kam lojtar me eksperiencë në ekip. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të paraqitem sa më mirë në ekipin e Teutës.

A morët mesazhe urimi pas ndeshjes?
Pas ndeshjes, për mua ishte një atmosferë shumë e mirë, shumë e bukur dhe shumë e veçantë. Më uruan të gjithë shokët e mi që kam kontakte. Për golin më uroi stafi dhe lojtarët e ekipit, të gjithë, por dhe familja ime dhe goli është dedikim për ta.

Luani me Vllazninë të dielën, çfarë prisni nga ky takim?
Luajmë përballë një kundërshtari shumë të fortë, besoj se një nga tri ekipet me të mira të kampionatit për momentit. Rëndësia e kësaj ndeshje dihet dhe ne do futemi në fushë me besimin maksimal që të marrim një rezultat pozitiv. Nuk hyjmë në fushë me mendimin që thjeshtë mos të humbasim. Ky kampionat ka treguar që nuk ka diferenca dhe kush përqendrohet dhe jep më të mirën në fushën e lojës mund të fitosh. Normalisht do na pëlqente vazhdimësia. E besoj dhe e them se kthesa vjen gradualisht. Vazhdimësia është e rëndësishme. Fitorja me Vllazninë do ishte një bonus i madh. Ne do luajmë për të fituar dhe për të bërë maksimumin.

Vetë ju personalisht, çfarë synimesh keni për të ardhmen?
Objektivi im është që të vijoj të bëj akoma më mirë me ekipin e Teutës, të rritem si lojtar dhe të ndihmoj ekipin të arrijë sa më lart, për të tjerat le t’ia lëmë kohës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"