“Golin e dëshiroj dhe ndjek çdo aksion”. Sakrificë për Besën, Goxhaj: Ndeshjet fitohen me zemër
Besa ka arritur të marrë fitoren e tretë në transfertë. Pas atyre në Tropojë dhe Pogradec, kavajasit fitojnë edhe në Fier me përmbysje, por pësuan edhe golin e parë dhe të vetëm në këto 6 javë. Kjo fitore erdhi në limite dhe qendërmbrojtësi Jurgen Goxhaj bëri heroin, duke u shfaqur si një qendërsulmues.
Në fakt, Goxhaj mbetet shtylla e prapavijës verdhezi, duke dëshmuar sfidë pas sfide se është ndër afrimet më me vlerë te Besa. Vetë ai u pa i lumtur pas golit, që i dha Besës 3 pikë dhe në intervistën për “Panorama Sport” thotë: “Jam i lumtur që arrita t’i jap ekipit 3 pikë, që i kishim aq të nevojshme, në të kundërt do të linim vendin e parë. Ishte një fitore me zemër, djersë, besim dhe sakrificë. Filluam me një gabim të Mëhidrit, që i ndodh kujtdo, por vijuam të luajmë e besojmë.
Dhe, ia dolëm të barazojmë. Personalisht e dëshiroj shumë golin, dhe ju e patë se shpesh shkoj në zonat kundërshtare dhe godas me kokë për ta gjetur atë. Këtë radhë erdhi ndryshe, pasi e ndoqa aksionin dhe shënova. Jemi me plot meritë në krye dhe vetëm falë djersës sonë. Vërtet që është ende herët, por ne po tregojmë dhe duam të shfaqim qartë, hapur dhe me lojëra e rezultate ambicien tonë për ta rikthyer Besën në Superiore”.
Sakrifica- Ndaj Apolonisë, para sfidës pritej që Goxhaj dhe Mezarekaj të mos ishin titullarë, për shkak dëmtimesh. Por dëshira, ndjenja e sakrificës bëri që ata të futeshin në fushë edhe pse jo në 100% të gjendjes fizike. Për këtë, Goxhaj ndihet dyfish i lumtur që sakrifica ia vlejti. “Si unë ashtu edhe Mazerekaj ishim dëmtuar. Josa na pyeti nëse ishim në gjendje të luanim. Sigurisht që të dy i thamë direkt po, duke dashur të ndihmojmë ekipin sa të mundemi”.
Burreli- Kavajasit këtë fundjavë do të presin Burrelin e më pas kampionati ndërpritet për shkak të Kombëtares. Për Goxhajn, kjo do t’i bënte vetëm mirë Besës. “Ndeshja e radhës do të jetë me Burrelin, një kundërshtar për t’u vlerësuar. Do të jetë përballja e fundit, e më pas për 10 ditë kampionati do të pushojë. Ashtu si ka deklaruar trajneri Josa, ne i marrim ndeshjet një e nga një, kështu që menjëherë kemi nisur të mendojmë për Burrelin. Kemi luajtur 4 transferta, duke marrë 10 pikë. Në shtëpi nuk duhet as ta mendojmë se do të falim ndonjë pikë. Kjo, pasi vërtet tifozët tanë na ndjekim kudo, për këtë i falënderoj, por tjetër detyrim kemi kur luajmë në Rrogozhinë e kur prezentë janë qindra tifozë”, tha Goxhaj.
10 ekipe ka ndërruar Jurgen Goxhaj në karrierën e tij. Ai ka luajtur për skuadra si: Bylis, Tirana, Teuta, Egnatia, Erzeni, Iliria, Besëlidhja, Besa dhe jashtë vendit me Kabala dhe Sabail.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"