Golin e parë ia shënoi kampionëve, mesfushori i Partizanit: Mundëm rivalin direkt, duam titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 21:33

Golin e parë ia shënoi kampionëve, mesfushori i Partizanit: Mundëm rivalin direkt, duam titullin (E PLOTË)

Redon Ismaili zbarkoi te Partizani në janarin e vitit të shkuar dhe dalëngadalë po nis të marrë minuta e të shtojë peshën e tij në lojën e ekipit. Kundër Egnatias ai ishte vendimtar me golin e shënuar për 0-1, që është edhe i pari i tij me fanellën e Partizanit.

Redon Ismaili

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Ismaili i jep rëndësi të madhe fitores kundër Egnatias dhe shton se këtë sezon po nis të tregojë veten dhe sa më shumë luan, aq më shumë përmirësohet.

Redon, sa e vështirë ishte kjo fitore kundër Egnatias? Sigurisht që ishte e vështirë, çdo ndeshje kundër Egnatias është e tillë. Dihen cilësitë e tyre mund të themi se janë një kundërshtar shumë i fortë. Megjithatë, e menaxhuam ndeshjen shumë mirë dhe morëm tri pikë në një transfertë delikate.

Sa të kënaqur jeni me mënyrën sesi e gjithë skuadra u shfaq në këtë ndeshje? Po, kemi treguar një skuadër kompakte dhe kemi shfrytëzuar rastet në sulm. Shënuam golin e parë dhe e interpretuam shumë mirë fazën mbrojtëse, më pas gjetëm edhe mundësinë për golin e dytë dhe aty gjërat u bënë më të thjeshta. Ishte e rëndësishme të mos pësonim dhe ia dolëm. Kështu gradualisht edhe siguria rritet.

Vinit pas tri barazimesh, ishte detyrim kjo fitore për Partizanin? Nisur nga rezultatet që kishim regjistruar më parë, duhet thënë se na duhej shumë kjo fitore. Nga ana tjetër vjen në transfertë ndaj një rivali direkt për titullin kampion, çka i jep akoma më shumë vlerë dhe rëndësi. Ky triumf na shërben si motiv për të dhënë akoma më shumë në ndeshjen e radhës me Bylisin.

Nisur nga cilësitë e juaja dhe të kundërshtarëve, mendoni se Partizani ka gjithë forcën për të fituar titullin? Partizani është një nga klubet më të mëdha në Shqipëri dhe si i tillë çdo sezon e nis me objektivin për të fituar trofe. Mendoj se kemi të gjitha mundësitë që në fund të shpallemi kampion, por këtë konstatim duhet ta tregojmë në fushë me vepra.

Po luani më shumë minuta në këtë sezon, besoni se mund të bëheni akoma më i rëndësishëm për ekipin? Fakti që po marr më shumë minuta në këtë sezon më ndihmon që gradualisht të vij në formën time më të mirë. Unë jam gjithnjë gati për Partizanin dhe shpresoj që çdo performancë e imja të jetë e rëndësishme për ekipin, siç ndodhi kundër Egnatias.

Shënuat golin e parë me fanellën e kuqe, si ju bën të ndiheni dhe a e keni pritur të vinte pak më herët? Jam shumë i lumtur dhe i çliruar që arrita të shënoj golin e parë me fanellën e kuqe. Të them të drejtën, po, e kam pritur më parë, por edhe tani mendoj se ka ardhur në momentin më të mirë, kur i duhej ekipit. Në një ndeshje kundër një rivali direkt dhe kur fitorja ishte shumë e nevojshme. Ndesheni me Bylisin në ndeshjen e radhës, si e prisni këtë sfidë? Bylisi ka pësuar ndryshime në stol dhe mbetet një skuadër mjaft e talentuar, por siç dihet, Partizani zbret në fushë vetëm për tri pikët, kushdo qoftë kundërshtari.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"