Goxhaj: Fitorja shkon për Bizhdilin, ja “basti” që kam vënë me Mëllugjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2024 | 17:00

Goxhaj: Fitorja shkon për Bizhdilin, ja “basti” që kam vënë me Mëllugjën

Besa e ka nisur me fitore sezonin e ri dhe është kthyer me tri pikë nga Tropoja. Kavajasit dominuan tërësisht sfidën me raste, gola, shtylla, por nuk harruan “sëmundjen” e vjetër atë të shpërdorimit të një morie rastesh.

goxhaj besa

Besa është gëzuar dy herë fundjavën e shkuar, fitorja, por edhe martesa e shefit të klubit, Romeo Bizhdili, djali i presidentit Nexhat Bizhdili. Njëri prej “shtyllave” të Besës, mbrojtësi Jurgen Goxhaj, ia dedikon fitoren  pikërisht shefit të klubit: “Fitorja ishte urimi më i mirë që i bëmë shefit të klubit, Romeos për martesën e tij. Fitorja i dedikohet atij”. Më tej, Goxhaj flet për dominimin në çdo aspekt të sfidës. “Së pari, falënderoj Valbonën për mikpritjen, ‘fair play’-in në fushë e tribuna. Kemi nevojë për këto mesazhe që në fillim të garës. Sa për takimin, e dominuam atë nga fillimi në fund dhe duhet ta kishin zgjidhur që në 10 minutat e para.

Duke parë dominim tonë total, rastet e humbura erdhën ndoshta edhe prej besimit të tepruar te forcat tona. Duke qenë se sulmuesit luajtën vetëm pas 3 ditësh në ekip, pres që në javët në vijim ata të koordinohen me grupin dhe besoj se do zgjidhim edhe problemin e golit. Fitorja na gëzoi, por përballë Valbonës mendoj se e kishin detyrim”, u shpreh Goxhaj për “Panorama Sport”. Më tej ai tregon edhe “bastin” që ka vënë me shokun e ekipit, Donald Mëllugja. “Kam vënë bast me shokun tim, Mëllugja, që Besa do të kryesojë e vetme kampionatin deri në javën e fundit. Kam besim të plotë dhe besoj fort se do të më dalë fjala e do të fitoj bastin”, përfundoi mbrojtësi. Kavajasit do t’i luajnë sfidat e shtëpisë në stadiumin e Rrogozhinës, ku të shtunën presin Korabin.

Kujtojmë se dibranët në sezonin e kaluar u bënë “macja e zezë” për Besën, kur i morën pikë në Kavajë dhe e mundën në Peshkopi. Një faktor plus këtë sezon do të jetë tapeti i stadiumit “Arena Egnatia”, ku një ekip me lojtarë teknikë e përvoje si Besa, do të shprehej në maksimumin e tij. Avantazh tjetër do të jenë edhe tifozët nisur nga aftësia mes dy qyteteve, por edhe tifozët e Egnatias që gjithashtu do të jenë në tribuna për të mbështetur Besën.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"